TIRANË

Ekspertët e shëndetit publik janë në një mendje se vera e këtij viti do të jetë shumë më e lehtë se ajo e vitit të kaluar sa i përket COVID-19. Ata deklarojnë se si vaksinat ashtu dhe kalimi i infeksionit të SARS-COV2 janë disa shkaktarë, por edhe ndërgjegjësimi.

“Duhet të jemi të ekuilibruar jo asimetrik. Meqë po bëjmë vaksinat dhe oburra u vë deti kos dhe të jemi të pakujdesshëm. Në qoftë se numri i vaksinimeve vazhdon me këtë ritëm, do të thosha që të ulet në fashën e driverit të infeksionit që janë moshat 35-40-45 vjeç them që edhe vera do kalojë shumë më lehtë se sa vera e parë”, deklaroi drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi” Perlat Kapisyzi.

“Në qoftë se objektivi ishte 500 mijë brenda majit, mbërriti që më datë 2 maj 500 mijëshi. Vera do të jetë më e thjeshtë se ç’ishte vjet për arsye që një pjesë e mirë e kanë kaluar, një pjesë janë vaksinuar. Nxehtësia, ventilimi janë të gjithë faktorë që edhe nëse do të ketë një përhapje të infeksionit, do të ketë forma të lehta, s’do të ketë forma të rënda siç u bë vjet. Problemi do të vijë në vjeshtë, nëse ne jemi vaksinuar në një numër masiv të madh dhe kemi arritur atë imunitetin e tufës dhe unë mendoj që brenda vitit në një mënyrë apo një tjetër është e realizueshme. Po, 60-70% mendoj se do të arrihet imuniteti i tufës midis vaksinimit dhe kalimit të sëmundjes. Do të kemi një bashkëjetesë për dimrin që vjen, por në pranverë unë mendoj që do ta kemi një grip pastaj”, tha kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj.

Alimehmeti tha se vera edhe turistët kur vijnë qëndrojnë në ambiente të hapura. “Në 2020 pjesa e popullatës që mund të prekej ishte tejet e lartë, le të themi sikur nuk kishte të prekur. Një element tjetër, verën e vjetshme kishte dhe mosbesim. këtë verë jo vetëm që nuk ka mosbesim, por jam i bindur se disa njerëz dhe kur të hiqen masat do i mbajnë maskat dhe masat e tjera”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb