Një 40-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi ka kërcënuar një 50-vjeçare, po shqiptare, me videon e tyre intime, duke i kërkuar në këmbim të fshirjes së saj shumën prej 5 mijë euro.

“Milanotoday.it” shkruan se 40-vjeçari dhe gruaja 10 vite më e madhe se ai, e cila kishte humbur bashkëshortin, janë njohur rastësisht.

Shqiptari dhe gruaja e ve kishin nisur të frekuentoheshin bashkë dhe në një nga takimet e tyre, 40-vjeçari e kishte filmuar 50-vjeçaren gjatë seksit oral, shkruajnë mediat italiane.

Këtë video, ai e ka përdorur menjëherë, kur në fund të takimit, i ka bërë të qartë shqiptares se në telefonin e tij ndodhet video intime dhe ajo do të shpërndahej në internet nëse ajo nuk i jepte 5 mijë euro.

Sipas mediave italiane, shqiptari i cili ishte i martuar, është denoncuar në Polici nga 50-vjeçarja, e cila me lot në sy, siç përshkruajnë mediat italiane, ka rrëfyer situatën ku ndodhej për shkak të njohjes me bashkëatdhetarin.

Kështu, efektivët i kanë ngritur një kurth 40-vjeçarit. Policia organizoi një takim mes tij dhe gruas të cilën e pajisën me regjistrues, i dhanë një pjesë të parave që kërkonte, të shënuara më parë, që të njiheshin nga policia dhe rrethuan zonën ku “çifti” do bënte takimin.
Duke parë shumën e vogël të parave që ajo kishte bërë gati, 40-vjeçari e kërcënoi përsëri shqiptaren duke i kërkuar më shumë para.

Çdo bisedë mes tyre u dëgjua nga policia dhe në atë moment u ndërhy për ta bllokuar shqiptarin i cili mbante në dorë paratë e shënuara nga policia.

Në celularin e tij u gjet videoja intime, e cila, nga hetimet paraprake, nuk rezulton të jetë zbuluar përmes rrjeteve sociale apo përmes mesazheve.

40-vjeçari përfundoi pa telefon dhe me pranga në duar në Burgun e Busto Arsizio (Varese).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb