Zbardhet identiteti i plotë i 4 ‘të fortëve’ të cilëve Operacioni Forca e Ligjit iu ka kërkuar që të plotësojnë formularin e deklarimit të pasurisë. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se bëhet fjalë për Olisi Ibraliun, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, Kreshnik Allarajn, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë” si dhe Erjon Kola, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim”.

Po ashtu, personi i katërt është Ilir Rustemi, banues në Shkodër, person nën hetim, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: