ELBASAN– Rikthehet i ngjarjeve kriminale e historisë së vrasjeve dhe hakmarrjeve në Elbasan ndaj fisit ‘Çapja’. Pas sulmit me armë zjarri që iu bë sot kësaj familje, ku fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar, ‘BalkanWeb’ po ju sjell si më poshtë historinë se si nis ‘lufta’. Krimet e kanë zanafillën në fund të vitit 2005. Në muajin dhjetor të atij viti, biznesmeni Sokol Çapja u ekzekutua në një lokal pranë Universitetit të Elbasanit. Policia nisi hetimet dhe arrestoi shumë shtetas, të cilët akuzoheshin për vdekjen e biznesmenit, ku në dosjet e policisë ndaj tij nuk kishte asnjë procedim penal dhe thuhej se biznesmeni Sokol Çapja bënte një jetë të qetë. Mes të akuzuarve ishte edhe Gentian Beqiri, apo njohur ndryshe si Ardian Meta, i cili u vra në banesën e tij kur ndodhej në ruajtje nga policia në gjendjen e “arrestit të shtëpisë”.

Më parë autorët u kanë kërkuar klientëve dhe kamerierëve që të shtrihen përtokë, dhe më pas kanë nisur të qëllojnë në drejtim të biznesmenit. Sokol Çapja u dërgua në spital dhe vdiq gjatë operacionit. Pas atentatit, vrasësit janë larguar me një automjet me targa të huaja.

Pas kësaj vrasjeje, në kohë të ndryshme, ndodhën një varg ngjarjesh misterioze. Oficeri i Policisë Rrugore, Fadil Mema u plagos me armë në këmbë nga një atentat i ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Familja Çapja kishte akuzuar Memen si organizator të atentatit, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapjas dhe një person tjetër. Por prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Mema.

Disa kohë më pas, u ekzekutua në dyqanin-autoshkollë të Fadil Memes, kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Policia nuk mundi të identifikojë dhe të kapë autorët. Një nga të akuzuarit për atentatin ndaj Çapjas, Ardian Meta (Gentian Beqiri), u kap nga policia ndërsa tentonte të arratisej për në Greqi. Pas kapjes së Ardian Metës, u vra në rrethana misterioze në Tiranë i dyshuari tjetër, Dritan Sheme. Autorët arritën ta gjejnë vendndodhjen e tij nëpërmjet së dashurës. Asokohe, policia shpalli në kërkim Armando H., autorin e tretë të dyshuar për vrasjen e Sokol Çapjas. Sipas të dhënave të policisë, Armando H. ka qëndruar i fshehur me identitet të rremë në Tiranë. Më pas ai u arrestua në vitin 2008 në Tiranë.

Megjithëse kaq shumë ngjarje, drejtësia u tregua e pafuqishme për të parandaluar këtë seri vrasjesh, të cilat kanë ndodhur në “dijeninë” e tyre. Asnjëri prej atentatorëve nuk është dënuar me burg me vendim të formës së prerë, por ata janë “dënuar me vdekje” nga hasmët.
Vrasjet e Elbasanit
26.12.2005 vritet Sokol Çapja
28.05.2006 vritet Ardian Ibrahimi
15.08.2012 vritet Gentian Beqiraj
15.08.2012 vritet Nezir Beqiraj
16.08.2012 plagoset Fadil Mema
13.03.2015 vritet Fadil Mema
03.02.2016 vritet Eno Badelli
03.02.2016 vritet Ardit Sinakolli
03.02.2016 vritet Agron Çapja
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb