Kryeministri Edi Rama bëri bilancin e operacionit Forca e Ligjit, përgjatë vitit 2020.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përjavshme “Ekonomia në fokus”, kreu i qeverisë theksoi se OFL ka sekuestruar 1713 pasuri kriminale, ka referuar në SPAK 223 raste, si dhe ka goditur 30 grupe kriminale.

Sa i përket numrit të vrasjeve, Rama deklaroi se gjatë periudhës janar-nëntor 2020 janë regjistruar 7 vrasje më pak se vitin e kaluar.

“Ka vijuar intensivisht lufta kundër krimit të organizuar. Kulmi i kësaj lufte ka qenë veprimtaria e OFL, që aktualisht numëron sekuestrimin e 1713 pasurive dhe referimin në SPAK të 223 rasteve. Ndërkohë, 103 anëtarë të organizatave kriminale janë arrestuar dhe janë 30 grupe të goditura, si dhe 628 pasuri të sekuestruara. Nga ana tjetër, edhe këtë vit numri i vrasjeve me dashje vijon të jetë në rënie, janar-nëntor 2020 ishin 45 vrasje, 7 më pak se vitin e kaluar. Në vitin 2012 kemi pasur 126 vrasje, sot kemi 2.5 herë më pak. Nëse i referohemi mesatares së disa viteve përpara se sa të merrnim detyrën, jemi gjysmë për gjysmë. E keqja harrohet shpejt, e mira s’ka fund, por nga një vend ku kishte mesatarisht 1 vrasje në cdo 2-3 ditë, kemi një vend që po stabilizohet pranë mesatares së BE”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb