Askush nuk dëshiron të mbyllë jetën larg njerëzve të familjes, por fatin nuk e kemi gjithmonë në dorë. Emisioni “Jeta pa filtër” i autores Ervisa Lula ka mundur të futet brenda një strehe për të moshuar për të dëgjuar rrëfimet kaq njerëzore e prekëse të Liljanës, Bashkimit e Haxhiresë, secili me një varg vuajtjesh pa fund.

Gjendja shëndetësore e ka privuar Liljanën që të vogël nga kënaqësitë e jetës. Me sytë me lot ajo thotë se ku ishte fëmijë rrinte më vete pasi nuk mund të qëndronte dot në këmbë e të luante si gjithë të tjerët, rrëfen merakun për të vëllain, apo edhe kushërinjtë e saj, tani që ajo jeton në “azil”. Bashkimi i cili ka punuar si marangoz, sot ngrys ditët me miqtë e tij që i janë bërë si familje.

Ai nuk mundi dot ta fshihte zërin që i dridhej e sytë e mbushur me lot kur foli për dëshirën që të kishte një fëmijë. Po ashtu Haxhireja ka treguar për kontrastet e forta që ka kaluar. Dikur infermiere, me shumë miq e të afërm, tani jeton me njerëz të huaj në strehë pas konflikteve me të birin. E pyetur nëse do e falë atë një ditë, Haxhireja me fjalë të pakta, të mekura nga malli për djalin, shpreson ta shohë një ditë.

E intervistuar në emision, punonjësja sociale e institucionit, Fatjona Kuka foli mbi gjendjen në të cilën ndodhen banorët kur vijnë për herë të parë, si realizohen kontaktet apo edhe vështirësitë e përshtatjes. Me ndërhyrjet e saj të shpeshta, sociologia Entela Binjaku ka sqaruar se cilat janë problematikat më të shpeshta të të moshuarve në Shqipëri, pse ata po u drejtohen gjithmonë e më shumë “azileve”, pse paragjykohet ky vendim apo edhe sa e rëndë është për ta të mbyllin sytë përjetë larg njerëzve të gjakut të tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb