Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në cilësinë e kreut të Aleancës për Ndryshim ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News 24 me gazetaren Ola Bruko, për procesin e zgjedhjes së emrit për President.

Mediu është shprehur se “paska qenë shumë e lehtë të shkojmë tek emrat”, duke shtuar se pas propozimit për emrin e Dashamir Shehut për President nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, ai e ka mbështetur këtë kandidaturë.

Por sa i takon zhvillimit të procesit, Mediu mendon se do të ishte mirë që opozita të kishte një përfaqësi të përbashkët, duke theksuar sërish se të drejtën për të propozuar nuk e jep Partia Socialiste, por Kushtetuta.

“Është e rëndësishme që ne si opozitë të kemi qëndrim të përbashkët. Produkti duhet të dalë nga të gjithë deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë”, tha ai.

Por a do të arrijë opozita në një emër të përbashkët për President?!

Fatmir Mediu thotë se “është rasti i parë që sheh që bëhen negociata të hapura publike, në media”.

“Ajo që shoh unë është se ka një rend (nxitim) se kush propozon, në vend të mendojmë si të përballemi me maxhorancën”, shprehet ai.

Ndërsa më tej shton se sheh një tendencë për të ndarë opozitën.

“Ajo që shikoj unë është tendenca për t’u ndarë opozita dhe kjo është e papranueshme. Duhet të menaxhonim situatën dhe të propozonim një emër që i jep nder opozitës… duhet të jemi më të maturuar në propozime. Dalja me një kandidaturë do të thotë që duhet të marr pjesë e gjitha opozita, s’mund të bëhemi pjesë e një qasje të njëanshme që ndan opozitën”, tha Mediu Në News24.

Kreu i PR tha me tej se nuk mendon se do të ketë një dakordësi në raundin e dytë për zgjedhjen e Presidentit.

I pytur nëse duhet të ketë propozime edhe nga “Rithemelimi”, ai tha se kushtetuta nuk përjashton asnjë deputet.

Gazetarja Ola Bruko e ka pyetur po ashtu edhe për situatën e krijuar në PD, si dhe se çfarë do të ndodhë nëse Sali Berisha zgjidhet në krye të saj.

“Kjo situatë në PD dhe moskuptimi me partitë e tjera, ndikon negativisht, një PD e bashkuar është vlerë e padiskutueshme për opozitën dhe shoqërinë shqiptare. E rëndësishme është se çfarë perspektivë kërkojmë t’i japim shqiptarëve, duhet të reflektojmë si opozitë, çfarë ofrojmë ndryshe, çfarë do ta bëjë opozita që të lidhet me gjithë shoqërinë shqiptare.

Momenti është sot që ne të përpiqemi ta rishikojmë dhe rindërtojmë marrëdhënien tonë si opozitarë, ka më shumë se 8 vjet që opozita nuk është më partnere e SHBA, nuk është vetëm çështje e Berishës në këtë mes, por gjithë kredibiliteti. Berisha është shumë herë më i dukshëm sa mund të jemi ne të tjerët ndaj them që ka nevojë për një qasje tjetër opozitare”, tha ai.

I pyetur nëse e shqetëson ndërhyrja e qeverisë në strukturën e SPAK, Mediu tha: Unë jam në proces, s’kam dalë ndonjëherë të shaj SPAK apo të mbaj qëndrim, sa më larg politika ti rrijë drejtësisë, aq më mirë do të jetë për vendin. Përfshirja e politikës pa fre në këtë debat, ‘pse po ma bën mua, bëja dhe tjetrit’, një orientim i tillë është i papranueshëm, por për shkak të konfliktit të interesit dua ta mbyll këtu. Politika ndërhyrjen e bën për të ushtruar presion dhe për ta përdorur për interesa të shtetit, tendenca është të organizojmë gjyqe popullore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb