Kryetari i PD-së Luzlim Basha ka prezantuar sot para mediat 3 amendamente, të cilat grupi demokrat do t’i depozitojë në Kuvend.

I pari amendament që përmendi Basha ishte zhbërja e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit, vettingun në politikë dhe një amendament për reformën territoriale.

“Më vjen keq që të ndërpres seancën e parë të një prej komisioneve kryesore parlamentare, që është komisioni i hetimit të masakrës zgjedhore, të cilit i uroj punë të mbarë në zbardhjen e masakrës zgjedhore si një parakusht për të ecur përpara me kthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe të legjitimitetit. Dhe pikërisht lidhur me kthimin e Shqipërisë në kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit, që sigurisht pastaj lidhet me mirëqenien e shqiptarëve, me punësimin e shqiptarëve, me çmimet e shqiptarëve, me rrogat e shqiptarëve, me fatin dhe sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar sot vendimin për të depozituar brenda kësaj jave në Parlamentin e Shqipërisë, amendamentet kushtetuese për zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme, të Kushtetutës të 30 korrikut dhe miratimin e komisionit të reformës zgjedhore, amendamentin kushtetues për vetingun e politikanëve në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias të fundvitit 2018. Ku në përputhje siç ka konstatuar Komisioni i Venecias, qëllimi për të bërë vetingun e politikanëve për lidhjet e tyre me krimin e organizuar, për pasuritë e tyre, të familjarëve të tyre apo të ortakëve të tyre të hapura apo të fshehura, brenda apo jashtë Shqipërisë, në parajsa fiskale apo banka offshore, është një qëllim legjitim dhe respektojnë po kështu kërkesën për proporcionalitet që është pjesa e dytë e Komisionit të Venecias duke kërkuar në këtë amendament kushtetues. Venecia thotë që i gjithë parashikimi i procesit duhet bërë në Kushtetutë, në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme anit-korrupsion, njohur ndryshe si SPAK, që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme , pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre në lidhje me personat vetë, familjarët e tyre dhe ortaket e tyre. Dhe amendamenti i tretë ka të bëjë me hapjen rrugë të reformës territoriale si prioritet absolut i shqiptarëve për të kthyer jo vetëm demokracinë dhe përfaqësimin lokal afër njerëzve, por për të rikthyer shërbimet e munguara dhe të shkatërruara nga një reformë që tashmë jo vetëm shqiptarët anë e mbanë vendit, por edhe institucionet ndërkombëtare, nga Këshilli i Evropës tek Bashkimi Evropian e konsiderojnë të dështuar.

Këto tre çështje janë përkthyer në një draft amendamentesh, vendimi i grupit parlamentar është që të ecet përpara me depozitimin e tyre dhe do të bëhet kështu në ditët e ardhshme për ti hapur rrugë prioriteteve të qytetarëve shqiptarë që janë: demokracia, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetingu i politikanëve, ndarja e politikës me krimin dhe reforma territoriale për ta kthyer pushtetin vendor afër qytetarëve dhe në funksion të qytetarëve.”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: