Një grup deputetësh nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike ndodhen këto ditë në Uashington për të parë nga afër funksionimin e Qendrës së Kërkimit në Kongresin amerikan, një strukturë e ngjashme me Institutin Parlamentar, krijuar dy vite më parë në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se takimi i shërbeu ndarjes së eksperiencës që do të mbështesë deputetët shqiptarë në ushtrimin e funksioneve të tyre përfaqësuese dhe mbikëqyrëse.

Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës zonja Tabaku flet dhe mbi zhvillimet në Partinë Demokratike, e cila ndodhet prej kohësh në udhëkryq. Ajo thotë kjo forcë politike nuk e ka luksin të largojë njerëz nga gjiri i saj, përballë asaj që po ndodh me vendin. Për sa i takon çështjes së inceneratorëve zonja Tabaku thotë se SPAK-u duhet të tregojë guxim e të shkojë tek pushteti, pasi përgjegjësit e vërtetë të aferës sipas saj, vazhdojnë të jenë në qeveri. Me zonjën Tabaku bisedoi kolegia Menada Zaimi.

Zëri i Amerikës: Zonja Tabaku, një grup deputetësh nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ndodhen këto ditë në Uashington. Cili është qëllimi i kësaj vizite?

Jorida Tabaku: Një grup bipartizan nga parlamenti i Shqipërisë ka ardhur i mbështetur nga Instituti Demokratik për të parë funksionimin e Qendrës së Kërkimit në Kongres. Ne kemi pasur takime ne Kongres, në Senat në Departamentin e Shtetit, por njëkohësisht edhe me kërkues të fushës. Unë besoj që kjo është një nga iniciativat e shumta që qeveria amerikane mbështet në Shqipëri në kuadër të rritjes së kapacitetit në parlamentin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zonja Tabaku, Partia Demokratike, e drejtuar praktikisht nga zoti Berisha, ka paralajmëruar një valë protestash duke nisur nga shtatori. Ju jeni shprehur skeptike se përmes tyre opozita mund të vijë në pushtet dhe keni nënvizuar nevojën e një mendësie të re. Cila duhet të jetë strategjia e opozitës sipash jush?

Jorida Tabaku: Unë në Partinë Demokratike kam që fëmijë. Nuk jam e re në Partinë Demokratike dhe në politikë, pavarësisht angazhimit tim publik, që ndoshta mund të ketë qenë më aktiv vitet e fundit. Kur flas për Partinë Demokratike, flas se cila do të jetë më e mira dhe sot e kësaj dite mendoj që PD-ja është alternativa më e mirë. Nuk ka absolutisht asnjë alternativë tjetër që ka të njëjtën fuqi ndryshimi, mendimi, besimi që ka Partia Demokratike dhe unë preferoj që çdo gjë ta fokusoj në këtë drejtim. Besoj që shqiptarët duhet të protestojnë. Po, duhet patjetër të protestojnë. A ka arsye? Ka një milion arsye. Sot Shqipëria është më e varfër, më e vjedhur, të rinjtë po largohen. A ka gjëra që e shkundin qeverinë si rasti i inceneratorëve? Po, patjetër që duhet të protestojmë për këto gjëra, por nuk e shoh këtë si mënyrën e vetme sesi vihet në pushtet. Unë mendoj se mendësia e re lidhet me faktin se ne duhet të bashkohemi dhe jo të largohemi. Ne nuk e kemi luksin që të largojmë njerëz. Ne duhet të flasim më shumë për kundërshtarin sesa për veten tonë, ne duhet të pranojmë mendimin ndryshe. Ne duhet të jemi një parti e re, moderne, me atë që kërkojnë sot qytetarët për t’ju përgjigjur sfidave. Unë besoj se Partia Demokratike duhet të jetë zgjidhja dhe jo problemi, dhe për këtë arsye flas. Mendoj se protestat duhen patjetër por protestat nuk janë të mjaftueshme që ne të tërheqim shtresën e mesme, shtresën gri, që ne të tërheqim njerëzit të cilët fatkeqsisht, ndoshta nuk e kanë parë Partinë Demokratike si alternativë në të shkuarën. Unë mendoj që ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm, të padiskutueshëm dhe për ta vënë këtë potencial në veprim, ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm duke kundërshtuar qeverinë, por duke thënë edhe sesi do bëjmë ne më mirë. Cila është alternativa jonë, çfarë argumenti kemi ne, çfarë do ndryshojmë ne? Si do t’i bëjmë ne të rinjtë të jenë sot në Shqipëri. Për këtë mendoj se ka nevojë për një mendësi të re, ka një nevojë për t’i bërë gjërat ndryshe dhe ka nevojë që neve të hapemi. Ka nevojë që neve të kalojmë çdo lloj sfide të momentit së pari, por së dyti të ngrihemi në nivelin që kërkon sot Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Çështja e drejtimit të Partinë Demokratike është ende në gjykatë. Cilido qoftë vendimi i gjykatës, ai pritet të sjellë një tjetër tronditje për Partinë Demokratike. Si e shihni ju të ardhmen e partisë? A është për ju zoti Berisha i pranueshëm në krye të partisë?

Jorida Tabaku: Tani që të gënjej dhe të them që çdo gjë në Partinë Demokratike shkon mirë, nuk e bëj dot. Por unë përpiqem, dhe prandaj e thashë që unë kam kohë në Partinë Demokratike, përpiqem që kontributin tim ta jap Brenda strukturave të Partisë Demokratike. Nuk më pëlqen fare që të diskutoj në publik për çështje të brendshme tonat. Gjithmonë përpiqem që të fokusohem tek kundërshtari. Mendoj se çdo sulm i brendshëm që i bëhet secilit prej nesh, duke më përfshirë edhe mua, sigurisht që na cënon neve në sytë e kundërshtarit. Por kam pasur një dhe vetëm një parim gjatë gjithë kësaj kohe. E para, çdo gjë arrihet me meritë dhe e dyta duke përmirësuar veten dhe duke u fokusuar tek kundërshtari. Besoj se për kaq kohë sa kam punuar në politikë e kam treguar këtë dhe do vazhdoj ta tregoj edhe në vijim duke pasur një parim… Parimi kryesor që unë dua që të gjithë kemi në këtë moment është që të shohim sesi mund të jemi zgjidhja, të shohim sesi ne mund t’i bëjmë ballë asaj që po ndodh sot në Shqipëri, sesi mund të bashkojmë më shumë njerëz, sesi mund të bëhemi me të vërtetë një urgan i jashtëzakonshëm, por një uragan i jashtëzakonshëm mendimi, ndryshimi, alternative, vlerash. Nuk e shoh këtë për momentin në Partinë Demokratike dhe unë këtë dua që ne të jemi. Prandaj jam përpjekur që ta them mendimin tim ndryshe në të mirë të PD-së, gjithmonë në të mirë të PD-së. Sigurisht duke mirëkuptuar edhe ata që nuk janë dakort me mendimin tim.

Zëri i Amerikës: Zonja Tabaku Dhoma amerikane e Tregtisë shprehu dje shqetësime serioze mbi projektligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga qeveria shqiptare, duke thënë se dispozitat e tij nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si trafiku i drogës, ai qënieve njerëzore, pastrimi i parave të përjashtohen nga amnistia dhe kërkoi që qeverisë të tërhiqet nga propozimi. A ndani dhe ju të njëjtin qëndrim?

Jorida Tabaku: Unë kam tre vite që e kundërshtoj këtë ligj. Tashmë ligji është hedhur për konsultim publik, por shqetësimi im kryesor është që ligji prish barazinë përpara ligjit, cënon të gjithë taksa-paguesit e ndershëm dhe i hap rrugë një kapitali jozyrtar, kriminal, korruptiv që vitet e fundit fatkeqsisht është rritur në Shqipëri. Unë gjykoj që në këtë moment edhe në proçesin e integrimit ku neve ndodhemi por edhe për faktin që Shqipëria është e përfshirë në listën gri të pastrimit të parave, nuk është ky drejtimi që duhet të marrim. Qeveria shqiptare duhet të shohë mënyrën sesi duhet të zgjerohet ekonomia me mundësitë e saj duke hapur tregun, sepse sot kemi një treg të ngushtuar. Përfshirja e këtij kapitali në ekonominë shqiptare veçse do të largojë investitorët e huaj dhe do të penalizojë bizneset e ndershme shqiptare. I kam bërë thirrje deputetëve socialistë në parlament dhe shpresoj që t’i thërrasin llogjikës për hir të balancave në tregun e Shqipërisë, për hir të faktit që sot kemi një situatë shumë të vështirë ekonomike, por edhe për proçesin e integrimit.

Zëri i Amerikës: Zonja Tabaku ju keni drejtuar Komisionin e Posaçëm Hetimor mbi Inceneratorët. LSI-ja ka paraqitur prova të reja që dëshmojnë sipas saj të tjera abuzime me këtë çështje. Si mendoni ju se po shkojnë hetimet dhe a ka ende për të zbuluar lidhur me këtë çështje?

Jorida Tabaku: Çështja e inceneratorëve është një çështje e jashtëzakoshme e cila ndërthur pushtetin me korrupsionin, më abuzimin, me mashtrimin. Pra për mua është një nga aferat më të rënda. E kam denoncuar këtë që 7 vite më parë dhe jam përpjekur në mënyrë të qëndrueshme, në politikë rëndësi ka qëndrueshmëria, që ta zbuloj hap pas hapi. Sigurisht që komisioni hetimor ishte ndoshta mundësia më e mirë për të bërë transparencë. Sigurisht edhe subjekte të tjera politike kanë bërë denoncimet e tyre. Të njëjtat kompani unë i kam bërë pjesë edhe të padisë në SPAK. Ato të cilat janë duke u pezulluar tani. Unë gjykoj se SPAK-u është në rrugën e duhur, por nuk po tregon guximin e duhur. Unë besoj që çështja e inceneratorëve ka Akoma përgjegjës të tjerë për t’u çuar përpara drejtësisë. Ndalimi i kompanive të cilat kanë bërë mashtrime me TVSH-në është njëri nga hapat. Drejtuesit politik nuk janë të gjithë përpara përgjegjësisë. Besoj që kryetarët e bashkive nuk janë të gjithë përpara drejtësisë. Unë besoj se ne qoftë se SPAK-u vetëm lexon atë që i kemi çuar ne në kallzim, në padi, do të ketë mundësinë që të hapë një rrugë të re për ndëshkueshmërinë e politikanëve. Sot nëse ne kemi vuajtur dhe jemi në këtë situatë dhe çështja më e debatueshme dhe më e diskutueshme është ndëshkueshmëria e politikanëve, SPAK-u duhet të tregojmë guxim dhe të shkojë tek pushteti. Aty tregohet pavarësisa, aty tregohet suksesi i reformës në drejtësi. Deri më sot guximi ka qenë me hapa shumë të vegjël.

Zëri i Amerikës: Pse?

Jorida Tabaku: Erion Veliaj, Arben Ahmetaj që janë sot persona përgjegjës për aferën e inceneratorëve nuk janë thirrur akoma për të dëshmuar. I kam kërkuar SPAK-ut që të treja dosjet duhen bashkuar në një për të parë përgjgjësitë e të gjithëve në të njëjtën skemë. Kemi kompani të cilat vazhdojnë akoma dhe paguhen sot nga thesari i shtetit. Të treja kompanitë e inceneratorëve me persona të cilët janë në kërkim dhe në hetim nga prokuroria. Pra janë masa të menjëhershme të cilat duhet të ishin marrë duke filluar me hetimin pasuror, duke vazhduar sigurisht edhe me personat politik të përfshirë. Për mua është e pamjaftueshme që dy persona politik sot janë përpara drejtësisë, sepse këta persona politik ishin pa pushtet, pavarësisht pushtetit politik që ata kishin. Sot përgjegjësit e vërtetë janë akoma në qeveri.

Zëri i Amerikës: Zonja Tabaku, ju jeni dhe kryetare e Komisionit parlamentar për Integrim Evropian. Dje Parlamenti i Maqedonisë së Veriut hapi debatin mbi të ashtuquajturin propozimi francez, që do të hapte dritën jeshile që Shkupi dhe Tirana të fillonin zyrtarisht negociatat e anëtarësimit. A jeni optimiste se ato do të rifillojnë së shpejti?

Jorida Tabaku: Fatkeqsisht ne ndodhemi në një situatë të tillë prej faktorëve të brendshëm për 6 vite me rradhë. Dy vitet e fundit dinamikat e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë e kanë penguar këtë proçes. Për arsye të ndryshme unë gjykoj se Shqipëria duhet të ecë. Unë nuk gjykoj se janë plotësuar kriteret. Nuk e mendoj që janë plotësuar kriteret. Me situatën që sot kemi në Shqipëri, me shqetësimet kryesore te korrupsionit, të krimit, të minimit të demokracisë, të zgjedhjeve… Besoj se duhet vazhduar me konferencën e parë ndërqeveritare sepse do të na japë ne mundësi për të ecur përpara për të folur për çështje. Sot kryeministri fshihet pas një vetoje bullgare për Maqedoninë e Veriut dhe ndërkohë që të gjitha fushat për të cilat Shqipëria duhet të kishte bërë progres nuk janë duke avancuar. Shpresoj shumë që ta kalojmë këtë ngërç, edhe për fakt të demotivimit që ndodh në administratën publike dhe me qytetarët shqiptar, ta kalojmë këtë ngërç dhe të fokusohemi aty ku duhet menjëherë. Unë nuk besoj se ka proçes transformues më të fuqishëm sesa proçesi i integrimit. Nuk besoj se ka element tjetër që neve na bën që të ndryshojmë. I kam kërkuar qeverisë që në çdo moment që ne duhet të punojmë pavarësisht një date. Ka apo s’ka një datë ne duhet të lëvizim. Data për ne duhet të jetë diçka simbolike që të tregojmë një afat të fundit. Por ne duhet patjetër që të lëvizim me elementët kryesorë vjen apo s’vjen ajo datë. Shpresoj shumë që të vijë javën tjetër dhe shpresoj që ky ngërç të tejkalohet, që më në fund qytetarët shqiptar të shohin që qeveria shqipytare nuk është gati në fakt, edhe me struktura.

Zëri i Amerikës: Nuk e ka kuptuar këtë Bashkimi Evropian, që Shqipëria nuk është gati? Edhe sot edhe zonja Von der Layen (Presidente e KE-së) e përmendi që nëse pranohet propozimi francez do të hapet konferenca ndërqeveritare.

Jorida Tabaku: Konferenca e parë ndërqeveritare do të hapet dhe është vetëm fillimi i një proçesi. Është një proçes i gjatë, i pafundëm nga pikëpamja e kritereve, shumë teknik dhe politik, por që kërkon një angazhim të jashtëzakonshëm. Edhe unë e thashë që për arsye të ndryshme, plotësim kriteresh ose jo, unë nuk gjykoj që janë plotësuar kriteret. Konferenca e parë duhet të hapet. Duhet të hapet edhe si një sinjal për atë që ndodhi në luftën në Ukrainë, por edhe për balancat në Ballkanin Perëndimor, si një sinjal që Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë Evropë jo vetëm gjeografikisht, por duke pasur parasysh edhe të gjitha dinamikat e tjera që do na japë ne ky proçes. Unë shpresoj që të jetë një mundësi që të gjithë ta shfrytëzojmë sa më mirë dhe të jetë një mundësi që qytetarët shqiptar në fund të ditës të përfitojnë. Është fakt që arritjet më të mëdha në këtë proçes janë nën drejtimin e Partisë Demokratike.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin gjë që është konfirmuar edhe në raportet e Departamentit amerikan të Shtetit, apo dhe organizatave prestigjioze si Freedom House, që shprehet se vendi juaj, dominohet nga një sistemi politik klientelist. Çfarë e pengon përparimin e Shqipërisë në këtë drejtim?

Jorida Tabaku: Nuk lodhem dot të të përmend raportet e pafundme. Për pak ditë del edhe raporti i klimës së biznesit, ku Shqipëria konsiderohet më një korrupsion të përhapur në të gjitha nivelet dhe ajo që është më e vështira për t’u shpjeguar është që kemi një korrupsion në nivel politik, kemi një korrupsion që kalon në parlament. Ky korrupsion i parlamentit, me ligje, zhbëhet vetëm me vullnet politik. Unë do të prezantoj si deputete për pak ditë një paketë antikorrupsion, që vjen pas punës sime në komisionin e inceneratorëve. Por çfardo ligjesh të bëjmë ne, çfardo sistemi që neve të ngremë, janë individët që janë pjesë e këtij sistemi që e zbatojnë luftën ndaj korrupsionit dhe është çështja e vullnetit politik. Për këtë arsye të gjitha masat që unë kam parasysh për të prezantuar duhet patjetër që të fokusohet edhe në ato shqetësime që ka biznesi, parashikueshmëria ligjore, taksat, korrupsioni në çdonivel të administratës, përjashtimet fiskale që sot kalojnë me ligj në parlament. Nëse në hartojmë për shembull një kod fiscal i cili heq të gjitha përjashtimet atëherë investitorët e huaj e kanë më të lehtë që të vijnë. Këto kanë qenë edhe çështje për të cilat ka pasur një interest të jashtëzakonshëm në Kongres edhe ne Departament të Shtetit dje. Sesi investitorët amerikanë und të vijnë të trokasin në një derë, në një mjedis shqiptar për të bërë biznes në një treg të lirë që fatkeqsisht sot nuk ndodh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: