Operacioni “Forca e Ligjit” iu është drejtuar sot katër personazheve të njohur të botës së krimit, duke iu kërkuar të deklarojnë burimet e pasurisë së tyre. Bëhet fjalë për katër emra mjaft të njohur për drejtësinë shqiptare, Alket Hatija, Saimir Gjepali, Erogen Brajoviq dhe Denis Brajoviq.

44-vjeçari Alket Hatija është konsideruar si “Zoti” i drogës nga mediet italiane, pasi kihste dërguar në vendin fqinj qindra kilogramë heroinë dhe kokainë. Hatija jetonte në një vilë me bunker në Berat dhe ruhej gjatë gjithë kohës nga truproja të armatosura, para se të arrestohej në korrik të vitit 2017, teksa po shkonte të takonte një mikun e tij në Durrës.

Saimir Gjepali është arrestuar gjatë operacionit Vol-Vo 4, si anëtar i grupit “Avdylaj”, ku u goditën katër grupe kriminale për laboratorin e heroinës në Has. Gjithashtu, Gjepalaj njihet edhe për kërcënimin ndaj gardianit të burgut ‘313’, së bashku me anëtarët e tjerë të bandës së Avdylajve.

Ndërkohë, dy personazhet e tjerë të botës së krimit janë anëtarë të bandës kriminale “Bajraj”, në Shkodër.

Erogen Brajoviq, banues në Shkodër, për të cilin Gjykata e Lartë e Podgoricës, Mali i Zi, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbatja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi;

Denis Brajoviq, banues në Shkodër, nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”;

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb