Me ardhjen e demokracisë, ngacmimi seksual në vendin e punës është kthyer në një dukuri shqetësuese për shumë gra e vajza. Por frika nga mentaliteti e opinioni i shoqërisë i ndrydh femrat që bien pre e këtij fenomeni e si pasojë ato vetëm vuajnë në heshtje. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare“, sociologia Entela Binjaku tregon se ngacmimet seksuale në vendin e punës kanë forma nga më të ndryshmet, duke nisur nga prekjet apo ledhatimet, komente apo fjalë të padëshiruara lidhur me jetën private.

Sipas saj, punëdhënësit në raste të refuzimit të këtyre ngacmimeve, kanë arritur deri tek kërcënimi për vendin e punës, refuzimin e rritjes në detyrë apo rritjes së rrogës. Binjaku shton se ky fenomen përherë ka gjetur viktima dhe kalvari i tyre nuk ka reshtur me kohën. Edhe pse në mënyrë informale pohohet se në këtë 10-vjeçar të dytë është më e përhapur, për aq kohë sa nuk është denoncuar as në dekadën e kaluar, ajo ka mbetur nën hije dhe është një anë e errët e shoqërisë sonë. Sipas Binjakut, në përgjithësi ngacmimi seksual ka ardhur nga vartësit e gjinisë femërore dhe në rastin e drejtuesit, shumica shprehen se ato janë kryer nga individë të gjinisë mashkullore, ndërsa në lidhje me statusin martesor, në shumicën e rasteve ata të cilët kryejnë ngacmime seksuale janë të martuar.

Nga eksperienca juaj si sociologe, si paraqitet kurba e fenomenit të ngacmimeve seksuale në vendin e punës?
Rasti i mediatizuar i Harvey Weinstein një producent i famshëm, bashkëthemelues i shtëpisë “Miramax” tregoi një valë të madhe akuzash mbi të nga ana e shumë personazheve publike. Një lëvizje shumë befasuese e solidarizuar e femrave të Hollivudit, që të ushqyera nga njëra-tjetra nisën të flasin për abuzim seksual fizik apo psikik të shkaktuar nga ky producent, vite më parë. Ndoshta ky rast na bëri të mendojmë edhe ne se si qëndrojmë në këtë drejtim. Dukuria e ngacmimit seksual në vendin e punës nuk është e re në këto 25 vitet e fundit. Ajo merr forma nga më të ndryshmet duke nisur që nga prekjet apo ledhatimet që njihet si ngacmim fizik, komente apo fjalë të padëshiruara lidhur me jetën private dhe kjo njihet si ngacmim verbal, deri tek kërcënimi me vendin e punës, me refuzimin që i bëhet rritjes në detyrë apo rritjes së rrogës në raste të refuzimit të këtyre ngacmimeve. Ngacmimi mund të jetë i drejtpërdrejtë përmes dhunës verbale apo fizike apo jo i drejtpërdrejtë përmes sjelljeve izoluese, që diskriminojnë apo përjashtojnë dikë. Për të kuptuar shkallën e ngacmimeve dhe kurbën e zhvillimit të tyre duhet të kuptojnë sa prej këtyre formave, vajzat apo gratë shqiptare kanë përjetuar në vendin e punës. Ajo që mund të themi me siguri është se kjo dukuri nuk ka njohur ulje me kalimin e kohës, por vijon të mbesë aktuale në çdo situatë. Në mënyrë informale shumë vajza dhe gra e pohojnë këtë gjë.

Shkrimin e plote e lexoni ne: Gsh.al

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb