BERAT

48-vjeçari Sokol Kapinova i cili u arrestua 3 ditë më parë pasi ngacmoi seksualisht një vajzë 5-vjeçe është sjellë ditën e sotme në Gjykatën e Beratit për t’u njohur me masën e sigurisë. Prokuroria e Beratit, e përfaqësuar nga prokurori Tasim Puci ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”, masë që është pranuar dhe vendosur nga gjyqtari Kostika Çobanaqi, që e ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e tij.

Edhe pse mediat nuk u lejuan në sallë gjatë dhënies së masës së sigurisë për shkak të ruajtjes së anonimatit të vajzës 5-vjeçare, mësohet se Kapinova nuk ka shprehur asnjë pendesë për veprimin e kryer me të miturën, ndërkohë që asnjë avokat nuk ka pranuar ta mbrojë dhe atij i është zgjedhur nga Gjykata e Beratit një avokat kryesisht.

Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë në lagjen “Barrikadë” të qytetit të Beratit. E mitura u ngacmua seksualisht nga komshiu i saj 48-vjeçar Sokol Kapinova, që rezulton të jetë i njohur nga banorët e lagjes si përdorues i rregullt i alkoolit. Edhe pse policia e Beratit nuk dha asnjë informacion në lidhje me dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë, mësohet se 48-vjeçari e ka gënjyer vajzën 5-vjeçe së bashku me motrën e saj 7-vjeçe me ëmbëlsira dhe kumbulla, duke i futur të dyja brenda në banesën e tij.
Më pas, ai ka futur në njërën nga dhomat 5-vjeçaren dhe e ka ngacmuar atë seksualisht. Por kur e mitura ka filluar të qajë ai i ka lënë të dalin jashtë, pa menduar se motrat do t’u tregonin prindërve atë çfarë kishte ndodhur në banesën e tij.

Nga vizita mjekësore që është kryer nga mjekët specialist rezultoi se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual. 48-vjeçari Sokol Kapinova rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në sheshpushimet përpara pallateve por deri tani askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve. Ai jetonte i vetëm dhe banorët e lagjes e njohin si një person të alkoolizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb