SARANDE- “Arrest me burg” ka vendosur sot Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë për 56-vjeçarin Astrit Kurti, banor i Ksamilit, i ndaluar nga policia dy ditë më parë me akuzën për veprën penale “Ngacmim seksual”. Prokurori i çështjes, Lorenc Mërkuri ka paraqitur në detaje ngjarjen për trupin gjykues, të drejtuar nga gjyqtarja Nevrie Duka, duke përshkruar edhe njëherë gjithçka ka dëshmuar me shenja 15-vjeçarja K.S. në praninë e një mësueseje terapeutiste dhe grupit të hetimit. Ndërkohë që dëshmitarë kanë qenë edhe H.D, K.D, J.S, E.G banorë të Ksamilit, të cilët kanë dëshmuar për momentin kur 56-vjeçari ka marrë vajzën nga dora dhe i është drejtuar një ndërtese në ndërtim.

15- vjeçarja K.S për shkak se është person me aftësi të kufizuara nuk ka marrë pjesë sot në seancën e masës së sigurisë.

Astrit Kurti ka hedhur poshtë akuzën para trupit gjykues duke u deklaruar i pafajshëm.  “Jam i pafajshëm. Unë jam roje dhe shkoj nga një objekt në tjetrin. Nuk kam bërë asgjë dhe kjo që jam këtu është një hakmarrje e familjarëve, pasi kam pasur grindje me xhaxhain e vajzës”, ka thënë ai në gjyq.

Por pavarësisht kësaj, Gjyqtarja Nevrie Duka e ka vlerësuar të drejtë ndalimin e Astrit Kurtit dhe ka vendosur për të si masë sigurie “Arrest në burg”. Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura. Ndërsa u vu re se nuk kish asnjë prej familjarëve të të akuzuarit jashtë gjykatës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: