TIRANE- Një 63-vjeçar, i cili është akuzuar për ngacmim seksual ndaj dy grave, është dënuar me 100 orë punë në shërbim të komunitetit. Bëhet fjalë për shtetasin Sulejman Muça, banues në Tiranë, me profesion shofer autobusi. Ai akuzohet se ka ngacmuar komshien me iniciale E.L. në ashensorin e pallatit, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se kishte ngacmuar seksualisht edhe një grua tjetër.

Fillimisht, ndaj tij, prokuroria kërkoi dënimin me 1 vit burg. Pas ballafaqimit me dy gratë e dëmtuara, i pandehuri ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke shprehur pendesë. Konkretisht, nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se më datë 18.12.2015, rreth orës 15:00, në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë, në ashensorin e një pallati, Muça ka ngacmuar seksualisht shtetasen E.L. Ngacmimi konsiston në faktin që Sulejmani e ka kapur nga gjoksi (pjesë intime e trupit) të dëmtuarën.

Për këtë fakt ajo i ka treguar bashkëshortit të saj I.L. dhe të dy së bashku kanë shkuar në Komisariatin e Policisë nr.3 për të bërë kallëzim penal për ngacmimin seksual të bërë nga Muça. Sipas bashkëshortit të kallëzueses, Sulejmani kishte ngacmuar edhe shtetasen H.B., pasi sipas tij Muça njihej si person që ngacmon femra. Në pyetje është marrë edhe H.B., e cila ka sqaruar se i ka vdekur burri para disa kohësh dhe se është ngacmuar nga Sulejman Muça, shofer i autobusit të linjës Sharrë – Uzina Dinamo.

Ndërkaq, vetë i pandehuri ka deklaruar se ka qenë në ashensor me E.L. Pasi ai e ka pyetur për shtetasen H.B., E-ja i ka thënë se “ju burrat jeni m…” Në këtë moment Sulejmani i ka thënë “edhe unë?” Ndërsa E. i ka thënë “edhe ti m… m… je” Muça e ka kapur në njërën dorë në pjesën e shpatullës dhe i ka thënë që “mos më ofendo mua, se nuk të kam bërë gjë unë, dhe nëse ke m…, m… ke burrin tënd”, dhe është hapur dera e ashensorit dhe Sulejmani ka ikur te shtëpia e tij.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb