GJIROKASTER- Policia e Fierit ka ndaluar sot ish-kandidatin e PD-së për bashkinë e Gjirokastrës, Igli Kokalari për shkak se gjatë një kontrolli të dokumentacioneve të automjetit me të cilin udhëtonte, ka rezultuar se makina ka qenë e denoncuar si e vjedhur.

Por në fakt ka qenë vetë Kokalari, i cili dy vite më parë denoncoi në Polici faktin që targat e automjetit të tij ishin vjedhur dhe pas këtij momenti targat u zëvendësuan nga DRSHTRR sipas kushteve që operohet në këto raste. Ndonëse Kokalari i kishte gjetur targat më vonë, denoncimin nuk e kishte tërhequr.

Denoncimin e bërë nga Kokalari, Policia e Shtetit e pati lënë në gjendje aktive në sistemin e të dhënave ku rezultonte se automjeti në pronësi të tij figuronte ende si i vjedhur bashkë me targat. Kjo ngatërresë në sistemin e të dhënave të Policisë është bërë shkak për ndalimin e Kokalarit dhe fill pasi rasti është sqaruar ai është lënë të udhëtojë në drejtim të Gjirokastrës.

I kontaktuar nga gazetarja e Brikena Metaj, Kokalari bëri me dije për “BalkanWeb” se kishte qëndruar për disa orë në komisariat, deri sa u bë verifikimi i të gjitha të dhënave.

“Para dy vitesh humba targat e makinës dhe shkova të bëja denoncimin. Më vonë targat i gjeta, por denoncimin nuk e tërheq. Sot në mëngjes, më ndaloi policia në Fier, ndërsa gjatë verifikimit të dokumentacioneve, polici më tha se makina rezultonte e vjedhur. I tregova se si qëndronte çështja e targave. Po ashtu i thash se “Jam person publik dhe mjek”. Pavarësisht kësaj, për procedurë më shoqëruan në komisariat. Për disa orë kam qëndruar atje, dhe pasi u bënë të gjitha verifikimet, u lashë i lirë”, pohoi Kokalari për “BalkanWeb”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: