TIRANE

Lulzim Alushaj, kandidati i skualifikuar nga gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm ka apeluar në gjykatën e Apelit Administrativ vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në akimimin e tij, Alushaj kërkon shfuqizimin e vendimit të KLP-së si edhe rikthimin e tij në garë për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sakaq, Gjykata e Apelit Administrativ ka 7 ditë kohë për t’u shprehur në lidhje me ankimimin e avokat Alushajt, ndërsa KLP është e detyruar të presë vendimin dhe nuk mund të marrë në pyetje tre kandidatët e tjerë në garë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë skualifikoi nga gara për Prokuror të Përgjithshëm avokatin Lulzim Alushaj, me argumentin se nuk plotëson kushtet e kërkuara nga kushtetuta dhe ligji.

Pas vlerësimit të dosjeve të kandidatëve, KLP vlerësoi se Alushaj nuk plotëson kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur të parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës dhe në ligjin 97/2016 Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë”.

Me skualifikimin e Lulzim Alushajt, garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm e vijojnë, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb