TIRANË

Deputetja socialiste, ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka shpjeguar arsyet se përse kryeministri Edi Rama nuk mund t’i përgjigjet opozitës dhe të japë dorëheqjen. Kodheli foli në “Top Talk” për përgjigjen negative për negociatat,  përgjegjësitë e maxhorancës dhe kërkesat e opozitës. E pyetur nëse kryeministri Rama ishte sot në siklet në mbledhjen e kryesisë së PS, Kodheli tha se nuk ishte ky rasti.

“Nuk besoj që ishte ky rasti. E dini pse? Sepse ne kemi qenë optimistë dhe kemi pasur pritshmëri të larta për hapjen e negociatave sepse vetë KE prej 2 vitesh jep një raport pozitiv për hapjen pa kushte dhe nga ana tjetër vetë Këshilli i Europës ka premtuar që po presim zgjedhjet brenda BE-së dhe pastaj negociatat do t’i hapim, u bën zgjedhjet jo se kemi një projekt tjetër për të ardhmen e Europës. Pra, pritshmëritë tona kanë qenë të bazuara mbi dy gjëra kryesore, a) bërja e detyrave të shtëpisë; b) paperi pa kushte i kE plus primtimit të shumicës së vendeve që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritonin hapjen e negociatave”, u shpreh ajo.

Kodheli deklaroi se vendi e ka merituar hapjen e negociatave shumë kohë  më para.

“Ne e kemi plotësisht të merituar vite përpara hapjen e negociatave. Sigurisht ka pasur momente të vështira. Ishim shpesh herë pranë stacionit edhe për arsye të ndryshme të një politike të brendshme konfliktuale, kontradiktore, të ashpër nuk ishim në stacionin e duhur apo dhe pse ishim në stacionin e duhur e humbëm trenin europian. Sigurisht që i gjithë ky proces i bërjes së disa reformave që e traumatizojnë në një mënyrë gjithë tisin social, kanë ardhur si pasojë e sjelljes jo të duhur gjatë këtyre viteve.

Ne duhet të kuptojmë që ky është një proces. Skepticizmi i disa vendeve të Europës duke përfshirë këtu edhe Francën, ka ardhur edhe për faktin që disa vende që u bënë anëtare të BE-së së fundmi, siç ishin Rumania apo Bullgaria, stopuan reformat në momentin që hynë në BE. Në një kohë që jo vetëm nuk duhet të ndaleshin por duhet t’i thellonin e zgjeronin më tutje. Atëhere lind ky skepticizëm, ky dyshim i madh tek vendet themeluese që a do të jetë në gjendje edhe një vend si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut apo kushdo tjetër, të mund të vazhdojnë t’i thellojnë këto reforma, apo do të mbeten në fillimet e tyre. Unë besoj fort në vullnetin politik të forcës që sot qeveris vendin, që këto reforma serioze të mund të vazhdohen. Ne më së pari reformat nuk i bëjmë as për Presidentët e KE-së e as për të qenë të këndshëm në raport me ndërkombëtarët. Ne këto i bëjmë sepse duhet”, deklaroi deputetja e PS.

Sa i përket kërkesës së kryedemokratit Basha që Rama të dorëhiqet, Kodheli veçoi karakteristikat e Maqedonisë së Veriut, ndërsa akuzoi opozitën se kërkon pushtet në tavolinë.

“E para, Maqedonia e Veriut ka pasur një kusht mbi të gjitha kushtet, çështjen e emrit. Çështja e emrit ka qenë edhe deviza, stafeta, flamuri i kryeministrit Zaev. Pra, ndryshimi i emrit sillte automatikisht hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi i emrit u realizua, hapja nuk u realizua. Këto ishin një binom i pandarë, nuk ishte ky, nuk ekzistonte ky binom në rastin e Shqipërisë. Ndaj dhe në gjykimin e Kryeministrit Zaev, kjo ka qenë më shumë se sa e mirëpritur në vendin e tij lidhur me një veprim i cili rridhte pikërisht nga ky fakt që ishte çështja e emrit.
Vijmë tek përgjigjja për opozitën, shikoni mendoj që në momentin që opozita kërkon një pushtet në tavolinë, e vështirë që do ta marri këtë pushtet. Jetojmë në një sistem, kemi vendosur të zhvillojmë një sistem i cili nuk i përgjigjet marrjes së pushtetit në tavolinë. Sistemi i përgjigjet zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Dorëheqja është shumë subjektive dhe ka të bëjë me moralin, ne po flasim për sistemin. Vijmë tek morali politik po të doni. Na është kërkuar nga Bundestagu gjerman, të ndryshojmë kodin zgjedhor apo të përmirësojmë kodin zgjedhor bazuar në të gjithë reflektimet e gjetjeve të OSBE-ODIHR dhe të krijojmë institucionet e domosdoshme për të funksionuar sistemi demokratik, siç janë Gjykata Kushtetuese e me radhë. Duhet që të jetë dikush që ta udhëheqë këtë proces. Besimin e palëve e ka ai që udhëheq sot. E ka bërë ftesën më shumë se sa njëherë, për opozitën hajde të ndryshojmë gjërat. Nuk mund të shkojmë ne pas berihait.
Po besimi duhet të ishte një tjetër. Si do ta zgjedhim. Unë them se ngërçi mund të zgjidhet, hajde të ulemi në tryezë. Në tryezë do të mund dhe duhet të diskutojmë të gjitha kërkesat, gjetjet e një vendet si Gjermania për të shpresuar që vitin që vjen ne do të mund të marrim një përgjigje pozitive”, tha Kodheli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb