TIRANE– Pavarësisht ngërçit të krijuar për shkak të mos miratimit të ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të ushtrojë kompetencën e tij, për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Burime të sigurta të “Ora News” konfirmuan dje se brenda afatit që i ka lënë Kushtetuta, datës 16 gusht, kreu i shtetit do të respektojë kompetencen e tij kushtetuese, por pa dhënë më tepër detaje. Presidenti, në takimin që pati të martën me grupet parlamentare e cilësoi si domosdoshmëri zhvillimin të një procesi përzgjedhjeje me short të anëtarëve të KED-së sa më të mirë të mundshëm dhe të gjykuar pozitivisht e të mirëpritur nga ligjbërësit.

Neni 149 i Kushtetutës, përcakton se Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ky duket se do të jetë edhe filtri që do të përdorë Nishani për hedhjen e shortit, në mungesë të ligjit që bën vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili duhet të miratohet nga Komisoni i Posaçëm parlamentar i Reformës dhe më tej nga Kuvendi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: