Nga: ASTRIT KOSTURI *
Në këta 25 vitet e fundit, që njihen si vitet e “demokracisë”, nuk fl itet më për prodhim industrial e bujqësor, apo për kolektiva punonjësish që punojnë e ngrenë ekonominë e mirëqenien e popullit, por për debate shterpë e sherre që lidhen me interesat e klaneve e të grupeve të interesaxhinjve, si dhe për njerëzit e “fortë”, që zotërojnë “aftësinë” për të bërë vota gjatë kohës që vihet në lëvizje industria e zgjedhjeve.
Kjo industri e madhe, është e vetmja në vendin tonë që vë në lëvizje kapitalet, shtetin e forcat njerëzore, sapo mbyllen një palë zgjedhje dhe nisin të tjerat, të radhës. Një industri “zgjedhjesh”, që na e mundësoi si “dhuratë” sistemi i pluralizmit, që funksionon në mënyrë të paracaktuar në çdo dy vjet: për pushtetin lokal ose për atë qendror. Kjo farsë elektorale, që gjoja sjell e rinovon pushtetin e popullit, tashmë duket qartë se ka marrë trajtën e korporatave ekonomiko-politike-mediatike, ku pronarët e politikës (Rama-Berisha, me Metën në mes) dhe mëkëmbësit e tyre (kandidatët për deputetë apo kryetarë bashkish), vihen në kërkim të njerëzve të fuqishëm, me të cilët bëhen aksionerë në ndarjen e të mirave që u jep pushteti.
Sot debatohet mjaft, nga politikanë, gazetarë e analistë, në emisione televizive, por dhe në shtypin e shkruar, për krizën politike në vend, për defektet serioze të institucioneve demokratike dhe inkriminimin e tyre, por nuk preket thelbi i çështjes, se janë pikërisht kjo politikë dhe rregullat që ajo vetë ka vendosur, vatra gjeneruese e të gjitha llojeve të krizave në Shqipëri.
Alarmi duhet të jepet me ngut, që kjo politikë ka falimentuar dhe nuk mund të rigjenerohet nga vetvetja, se kjo politikë e këtij çerekshekulli të fundit e mbylli ciklin e vet famëkeq, duke e futur veten në një ngërç të pazgjidhshëm, si një varrmihëse e shpresave të shqiptarëve për një Shqipëri normale.
Në gjithë këto vite, nga dy partitë e mëdha janë bërë e bëhen përpjekje jo që të ndërtohen institucione funksionale e të qëndrueshme demokratike, por që të instalohet një kastë politikanësh, siç dhe ka ndodhur realisht, që të mund të sundojnë me “duar të pastra” shoqërinë shqiptare, duke e zëvendësuar konkurrencën e lirë, për të cilën përbetohen ditë e natë në podiumet e radhës (të dala boje nga keqpërdorimi), me konkurrencën e klaneve partiake.
Në kushtet e kësaj pjesëmarrjeje pa dinjitet të popullit në zgjedhje, nuk mund të ketë kurrë një jetë dinjitoze siç meritojnë shqiptarët e punës dhe të sakrificës, por vetëm nëpërkëmbje, vuajtje e mjerim.
Tashmë, ndjejmë dhe shohim me sytë tanë te pushtetarët dhe opozitarët në pritje të pushtetit, praninë e interesave të ngushta vetjake, egocentrizmin, që i mban të mbërthyer tek “uni primitiv” i gllabërimit të tjetrit dhe gjithçkaje prej aseteve publike të shoqërisë. Fakti që ende ndiqen të njëjtat skema e prapaskena, kulisa e metoda shantazhimi deri në minutat e fundit të caktimit të kandidaturave, tregojnë haptazi, se vetëm populli është jashtë këtyre interesave e pazareve, thjesht votues i tallur dhe i përçmuar, në këtë teatër banal të politikës.
Mania për të kapur kolltuqet e rehatshme të pushtetit, prej nga thuren plane për një pasurim të shpejtë e të vrullshëm, tregon se mekanizmi i zgjedhjeve të lira nuk ekziston, se gjithçka vërtitet në marrëveshjet e kafeneve dhe restoranteve, ku bëhen pazaret e përcaktohen të fituarit dhe të humburit e radhës.
Dilemat ku na ka shtyrë të përpëlitemi kjo politikë delirante e diletante, janë kryeneçe dhe prekin direkt “muret” e sigurisë së shtetasve, të të zgjedhurve dhe zgjedhësve, prekin thelbin e sistemit demokratik, duke e lënë atë në pikëpyetje për shkak të mënyrës private të trajtimit, nga këta njerëz të etur për famë, pushtet e pasuri.
Jashtë këtyre “debateve” e pazareve është vetëm populli, prandaj shoqëria shqiptare ka nevojë për një frymë dhe mendësi të re politike, për platforma, ide, derivate e lëvizje politike, që të kenë në themel një moral të ri shoqëror, për t’u bërë interprete të nevojave të shoqërisë dhe jo gllabëruese të pushtetit e pasurive publike të shqiptarëve, siç ka ndodhur në mënyrë konstante gjatë këtyre viteve të këtij tranzicioni të mbyllur e dekurajues për shumicën popullore.
Kryeneçësia e dy Oborreve të Tiranës zyrtare, etja e tyre për të ruajtur supremacinë e ngritur me kalkulime e mashtrime, bën të vetën, pengon çdo iniciativë ligjore, etike, morale e politike që mundëson hapjen e dritës jeshile për një funksionim real të pluralizmit politik. Të mbetur në këtë rreth vicioz, shqiptarët nuk mund të presin ndonjë gjë të hajrit, përveçse të njëjtat rekuizita politike, që prodhojnë vjedhje votash e dhunë, “fitues” banditë e kriminelë, mashtrime të votuesve dhe krizë ekonomike e sociale, klithëse deri në dëshpërim për shumicën absolute të shqiptarëve. Dhe themi si gjithnjë pas zgjedhjeve: të dekriminalizojmë parlamentin, institucionet dhe politikën!!…
Në vendin tonë të një mijë e një mrekullive demokratikase, ende pas më shumë se një viti e gjysmë nga zgjedhjet e fundit që sollën në pushtet qeverinë “Rama-Meta”, nuk është bërë asgjë për kushtetutshmërinë e Kushtetutës dhe Kodin Zgjedhor, madje ndarja e Shqipërisë në gjashtëdhjetë e një zona prej zyrave të PS-PD-së, që shfaqen përmes debateve shterpë, tregon se ora e politikës bipartiake shqiptare ka ngelur në pikën e ngrirjes.
Populli shqiptar më 23 qershor 2013 votoi ndryshimin, por Rama-Meta filluan ndryshimet e fasadave, kolltukëve të tyre, ndryshuan etikën zyrtare, duke vazhduar me shkatërrimet me tritol dhe shërbimin ndaj kompanive të huaja, duke u bazuar te psikologjia e rënduar e shqiptarëve (kënaqësia dhe servilizmi ndaj të fortit), pas mungesës së shtetit ose bëmave të një shteti dallkaukësh që ndërtoi Berisha.
Pra, në thelb, ato që nisi dhe vazhdon të bëjë qeveria e Ramës janë punë sipas teorisë së “rregullit pas kaosit”, por jo qeverisje e popullit dhe e vendit. Problemi më madhor në Shqipëri është çështja e pushtetit të popullit dhe e pasurive të tij të grabitura nga një pakicë që erdhi si pushtuese në këto vitet e “demokracisë”. Gjithashtu, problem madhor mbetet çështja e raporteve mes shoqërisë e pronës, ku monopolin duhet ta ketë shoqëria dhe jo privati-ortak i qeverisë, nëse vërtet jemi të interesuar për shërimin e plagëve të sistemit dhe në favor të shtresave të varfra, me shërbime falas e punësime masive.
Por këto punë të mëdha, kjo qeveri shërbëtore ndaj të huajve dhe hajdutëve vendas, nuk ka ndër mend t’i fillojë, sepse në themelet e saj ka vendosur interesat e bosëve, të atyre që u bënë të tillë brenda një kohe të shkurtër, në një vend si Shqipëria e grabitur dhe e shkatërruar pamëshirshëm.
Aktualisht aktorët dhe protagonistët e mender politikës, mblidhen në zyra e kafene, ku bëhen këto marrëveshje të këtyre sekteve, si një atentat i radhës ndaj përpjekjeve që bën shoqëria shqiptare, teksa e ka kuptuar tradhtinë e politikës 25-vjeçare.
Këto përpjekje, si tendencë e shoqërisë për të dalë prej këtij honi të pakuptimtë, shprehen përmes lëvizjeve e partive të quajtura të vogla, të cilat janë duke pritur rishtas formulën e përjashtimit të tyre nga gara reale politike, prej politikës dypolare PS-PD, si vrasëse gjakftohtë e pluralizmit.
Në çdo vend që del nga një regjim autoritar krijohen natyrshëm parti e grupime të reja politike dhe ky është një verdikt i sistemit demokratik; aq më tepër në vende si ky i yni, ku politika dypartiake ka uzurpuar shanset e zhvillimit kombëtar, promovimi i lëvizjeve të reja politike është një domosdoshmëri, pavarësisht se dy partitë-lubi qëndrojnë të patundura në istikamin e tyre të përjashtimit të gjithkujt që nuk shpie ujë në mullirin e dy Oborreve të tyre bunker.
Më specifikisht, sistemi zgjedhor i negociuar dhe i miratuar nga klasa e politikës bipartiake pengon drejtpërdrejt menaxhimin dhe krijimin e hapësirave apo mundësive të konsolidimit të grupimeve e lëvizjeve të reja, duke u hapur rrugë korporatave të tyre ekonomike, si dhe aksionerëve shërbëtorë të tyre.
Pikërisht për këtë, reforma e fundit zgjedhore dhe heshtja shumëvjeçare më pas, tregoi në vijimësi nismën e padronëve të politikës (Rama-Berisha dhe Meta në mes) për të goditur partitë e vogla, me idenë se, duke i eliminuar ato nga skena politike, dy partitë e mëdha do mund të sundonin pa telashe dhe, mbi të gjitha, pa qenë nevoja e ndarjes së pushtetit me aktorë të tjerë.
Skema është aq e qartë dhe e kuptueshme lehtë, sa edhe ndërkombëtarët më se një herë kanë tërhequr vëmendjen ndaj këtij uzurpimi, por më kot, se kambanat e tyre dhe të opinionit mbarëshqiptar, kanë rënë në vesh të shurdhër.
Pra, na duhet të vërtitemi akoma si sehirxhinj, në këtë jerm politik, ekonomik e social, të këtij cikli të mbyllur çerekshekullor?!… Kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje, por do të theksoja se, nëse akoma shoqëria do mbetet spektatore e “votuese” si në gjithë këto vite të këtyre korporatave politiko-ekonomike-mediatike, atëherë të jemi të sigurt, se Shqipëria mbas këtij 21 qershori bëhet e pashpresë!
Prandaj, të afrohemi kokë më kokë dhe të pyesim: Ç’duhet të bëjmë në këto kushte, kur politika e mbylli ciklin e mashtrimit e të premtimeve boshe, ndërsa populli përfundoi te korja e bukës?
Ajo që duhet të bëjmë, si hapi i parë i rezistencës sonë politike, është të mos i besojmë në mënyrë të verbër këtij sistemi politik, që ka në themel mashtrimin! Të mos e hamë “sapunin për djathë”, për ato çka flet e na servir kjo politikë, që ka në themel pisllëkun!
Partitë e pushtetit, boll premtuan e mashtruan për njëzet e pesë vjet me radhë! Tani abuzuesit, përfaqësues të tyre, duhet të japin llogari, të ndëshkohen dhe t’u sekuestrohen pasuritë e grabitura! Kjo është detyra më emergjente dhe më atdhetare sot për shoqërinë shqiptare: Ndalja e dallaveres politike! Dhe këtë e bën vetëm populli i organizuar politikisht dhe kurrë politika aktuale, që nuk mund të bëjë ligje kundër vetes! Pra, e vetmja mundësi në dorën e popullit të mbytur në halle pa fund, është të organizohet politikisht dhe të refuzojë kandidaturat, që sjell pushteti PS-PD-LSI për kryetarë bashkish, atje në sheshet e qyteteve, në asambletë e veta, ku të nënshkruajë vullnetin plebishitar të refuzimit të kandidatëve të dallaveres. Ndryshe bashkitë do kthehen në ndërmarrje private e fitimprurëse për disa persona, ndërsa Shqipëria, një korporatë-filial e multinacionaleve.
Gjithashtu, nëse do të heshtim sot, nesër do të kemi një Parlament edhe më të inkriminuar dhe më antipopullor, që do të bëjë ligje për veten dhe në favor të interesave të klaneve vendase e të huaja.
Kur populli i organizuar politikisht do të arrijë të çojë bijtë e vet më të mirë në Parlament, atëherë banda politike 25-vjeçare do të japë llogari deri më një, deri në kthimin e pasurive dhe vlerave monetare të grabitura e të vjedhura prej tyre. Në këtë mënyrë, populli merr forcë dhe pushtet, që nga Parlamenti i tij, i cili nuk duhet të ketë më shumë se shtatëdhjetë deputetë, madje pa rroga e përfitime si deri më sot, por bashkëqytetarë me zgjedhësit, në profesionet e tyre dhe në çdo kohë të varur prej zgjedhësve të tyre.
Gjithashtu, kur Parlamenti të përfaqësojë realisht popullin, do të ekonomizohet çdo qindarkë, duke filluar nga pastrimi i zyrave të shtetit, prej gjithë këtyre parazitëve, që dhjamosen në kaq shumë ministri e dikastere: Bie fjala, përse pesë ministri ekonomie (Ekonomi-Financë-Energjetikë-Mirëqenie-Zhvillim), kur ekonomia është thuajse krejt private? Po ministritë Bujqësi-Mjedisi, përse të ndara? Ministria e Integrimit, Inovacionit e fantazma të tjera, përse duhen? Ministria e Mbrojtjes nuk ka nevojë për organikat e fryra me burokratë, por për ndërtim dhe organizim efikas të saj!… Dhe, kështu me radhë, populli do të ketë mundësinë të shohë se sa çerdhe e fole parazitësh janë sajuar e krijuar mbi trupin e tij të sfilitur.
Vetëm shtatë ministri janë bazë e organizimit shtetëror dhe i duhen vendit, ndërsa të tjerat janë një barrë e rëndë ekonomike dhe vetëm si derivate të tyre, sa për t’i mbushur me sejmenë të partive-shtet, pronë e kryetarëve të tyre!
Nga ana tjetër, organizimi me emergjencë i nxjerrjes dhe i përpunimit të pasurive nëntokësore, organizimi i prodhimit dhe i riprodhimit, duke shfrytëzuar tokën dhe gjithë resurset natyrore, do të sjellin punësimin masiv, kantieret dhe frontet e ndërtimit të Shqipërisë.
Pra, shkurtimi i segmenteve të shtetit, i administratës e burokracisë në përgjithësi, si dhe nisja e punëve të mëdha për shfrytëzimin e resurseve natyrore, do të mundësojnë shërbimet falas dhe rritjen e pensioneve, ndihmave sociale dhe përmbushjen e gjithë premtimeve, deri te bankat e kursimit dhe të zhvillimit, qiraja e shtëpive dhe kuota falas e energjisë elektrike për të varfrit etj.
Pavarësisht se politikanët i kemi parë të ndarë në pozitë e opozitë dhe vijnë me radhë në pushtet, opozita e vërtetë është populli, i cili duhet organizuar politikisht, për të ndryshuar rregullat e politikës (kushtetutshmërinë e pushteteve), dhe pastrimin e “rriqrave” nga trupi i sfilitur i Shqipërisë.
Opozita e vërtetë është populli, njerëzit që vuajnë, dhe jo partitë e pushtetit (PS, PD, LSI etj.), që ndërrojnë vetëm karriget, duke “prodhuar” një burokraci të tmerrshme. Këtë tashmë e dinë shumica e shqiptarëve, prandaj partia më e madhe është e atyre që nuk shkojnë në votime dhe që rritet dita-ditës për shkak të zhgënjimit, prej premtimeve, gënjeshtrave e mashtrimeve.
Kurse opozita zyrtare (PD-ja), për dëmet e pallogaritshme që u ka shkaktuar vendit e shqiptarëve, njihet si reaksionare tashmë, pavarësisht se ajo shfaqet herë pas herë me çjerrjet e Lulit, duke kërkuar privilegjet e mëparshme!… E vërteta është se ajo u degjenerua në një shpurë familjare e kriminale, që nuk mund të riparohet më, pa dhënë më parë llogari të gjithë ideatorët dhe përgjegjësit e shkatërrimit, grabitjes e krimeve ndaj vendit dhe jetës sonë.
Ndërsa Partia Socialiste nuk funksionon fare, pavarësisht se sekti komprador që “qeveris” në emër të saj ndryshon prej “demokratëve”, ngaqë marifetet e këtyre “të rinjve” janë të veshura me sjellje moderne e institucionale në dukje, që në thelb janë burokraci e funksione vetëm për shpurën rozë e mavi.
Në mes si gjithnjë mbetet LSI-ja, kjo parti e interesaxhinjve dhe e Ilir Metës, si sajesa më bastarde, ku mblidhen ata të maskës, së të qenit të majtë, ngaqë vënë rreth qafës ndonjë shall të kuq, por pa moral, ide e koncepte, pa program e ideologji të shpallur, veçse me “fjalë burri” e mbajtje fjale mes tyre.
Pra, këtyre tri oborreve, shto këtu dhe disa parti-anekse të tjera, u intereson vetëm lufta për pushtet, pavarësisht se notojnë brenda një pisllëku të përbashkët, të ndërtuar gjatë këtij çerekshekulli të fundit. Pikërisht për këtë arsye, gjithçka duhet të nisë prej ndryshimeve rrënjësore, prej zgjidhjeve të çështjeve madhore që kanë futur në ngërç vendin dhe jetën tonë.
* Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: