TIRANË

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin ‘Real Story’ të Sokol Ballës në News 24,  ka folur mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe për dekretin e Presidentit të Republikës për 13 tetorin.

Kryemadhi tha se dekreti i presidentit megjithëse u komentua nga gazetarët si frymëmarrje për opozitën, ai i dha frymëmarrje kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Nëse zgjedhjet do mbaheshin më 13 tetor u shpreh kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim do t’i jepte mundësinë kryeministrit Edi Rama që të zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat sipas saj morën një raport kritik nga ana e OSBE-ODHIR. Sipas Kryemadhit zgjedhjet janë i vetmi instrument që i jep fund situatës politike edhe ngërçit që ka kapluar vendin.

“E vetmja mënyrë për më mbyllur këtë debat shterpë njëherë e mirë janë zgjedhjet, sepse njerëzit do të kenë mundësi për t’u shprehur. Ne duhet të mendojmë tani se si do të zgjidhim situatën politike, po vazhduam kështu, Shqipëria rrezikon të përfundojë  në kolaps politik. Këtu nuk paguan qeveria, por janë shqiptarët që do të paguajnë. Vijmë në zgjedhjet e 30 qershorit kur opozita tha se nuk merrte pjesë në zgjedhje. Pati një oksigjen që gazetarët e quajtën si një oksigjen që Presidenti ia dha opozitës, por në fakt ia dha z. Rama. I vetmi njeri që përfitonte nga shtyrja e zgjedhjeve ishte ai, sepse nëse zgjedhjet do të ishin më 13 tetor, Bindja Demokratike do të kishte kryer të gjithë afatin për të marrë pjesë në procesin zgjedhor në ligjshëm. Z. Rama do të kishte të gjithë komunitetin ndërkombëtar kundër mospjesëmarrjes së opozitës në proces zgjedhor dhe këtu do të dilte që nuk ishte ai kundër dialogut, kundër zgjidhjes së një konflikti, por do të dilte opozita. Kjo argumentoi edhe njëherë që opozita me qëndrimet e saj ekstreme që ne i morëm parasysh,” është shprehur Kryemadhi.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: