NGA XHENSILA KODRA*

Konflikti ka rreth 2 muaj që ka nisur. Bëhet fjalë për një gardh që bëra unë pasi mora leje në bashki”. Kështu e nis rrëfimin e tij Mark Lleshi, i cili u plagos me armë zjarri, ngjarje për të cilën u arrestua i dyshuari 21-vjeçari Alberto Markaj. Ngjarja ndodhi në Laç, ndërsa mëngjesin e djeshëm policia prangosi autorin e krimit.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 55-vjeçari tregon se në momentin e ngjarjes ndodhej së bashku me tre familjarë të tij duke punuar tokën, kur i riu i ka shkuar me pesë persona të tjerë. Menjëherë pas ngjarjes, Lleshi u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një prej vajzave të 55-vjeçarit tregon se pas ngjarjes, policia kishte shkuar gjysmë ore pasi familja e saj e kishte njoftuar për atë se çfarë kishte ndodhur. “Sapo ndodhi ngjarja, mamaja ime ka marrë policinë në telefon. Në fillim ata nuk i ishin përgjigjur. Pasi janë njoftuar për ngjarjen, ata kanë shkuar pas gjysmë ore në shtëpi. As ambulancë nuk i kishin çuar babit. Në Tiranë e kemi sjellë vetë”, tregon ajo.

Ndërsa nipi i Mark Lleshit, i cili ishte edhe dëshmitar në ngjarje, tregon për gazetën se autorët e kishin dhunuar. “Më erdhën tre persona njëherësh. Njëri prej tyre më drejtoi edhe thikën”, thotë ai ndërsa tregon edhe shenjat që kishte në krah.

Si ndodhi ngjarja dhe ku ndodheshit ju në atë moment?
Isha duke punuar në shtëpinë time. Aty erdhi A. M. (thotë emrin e plotë) dhe filloi të konfliktohej me mua. Ai ishte me pesë persona të tjerë. Në fillim filloi të më kërcënonte me fjalë, më pas nxori pistoletën dhe qëlloi mbi mua.

Ju ishit vetëm?
Jo, unë isha me nipin (djalin e vëllait) dhe 2 familjarë të mi. Ata janë dëshmitarë të ngjarjes. Madje, edhe ata vetë u dhunuan. Nipin tim e kanë bërë gjithë shenja. I drejtuan edhe thikën në gjoks.

Kur dhe për çfarë ka nisur konflikti mes jush?
Konflikti ka nisur rreth 2 muaj më parë. Bëhet fjalë për një gardh që unë kam bërë te toka ime dhe është afër me kanalin që ndan rrugën. Familja tjetër jeton disa metra larg shtëpisë sime, në krahun tjetër të rrugës. Jemi fqinj. Biem edhe rreth miqësie me ta.

Keni pasur probleme më përpara?
Kemi pasur disa herë. Kam bërë edhe dy denoncime. Kam biseduar me ta dhe i kam tërhequr denoncimet me mendimin se mbi të gjitha jemi njerëz dhe këto gjëra mund të zgjidhen në mënyrë njerëzore. Herën e parë më ka ardhur në shtëpi një person i afërt i familjes tjetër. Në brez mbante një thikë në mënyrë kërcënuese. Më ka kërcënuar. Më ka thënë që ta prishja gardhin, pasi pretendonin se i kisha zënë pjesë në tokën që u takonte atyre.

Çfarë ndodhi më pas?
Duke qenë se toka është e shtetit, kam shkuar në bashki dhe u kam kërkuar leje. Më kanë thënë po.

Lejen e morët me shkrim?
Jo, shkova dhe bisedova me ta. U bë vetëm me fjalë goje, nuk më dhanë shkresë. E kam prishur gardhin dhe e bëra me avlli. Në fillim nuk kishim asnjë përplasje me familjen tjetër. Më pas filluan të debatonin me ne. Na vinin na kërcënonin.

Pas ngjarjes, a ju ka marrë në pyetje policia? Po denoncim keni bërë?
Më morën një dëshmi paraprake. U thashë se çfarë ndodhi. Edhe familjarët që ishin me mua treguan çdo gjë me detaje. Sot mora vesh që kanë arrestuar vetëm personin që më plagosi mua, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë janë të lirë. Nuk kemi fakte që t’i arrestojmë tha policia. Çfarë fakte do policia kur e gjithë ngjarja ndodhi në sy të familjarëve të mi dhe ata u kërcënuan? Sot (dje) gruaja ime ka shkuar në polici për të bërë denoncim dhe ata i kanë thënë se çështjen ia kanë kaluar prokurorisë. Tashmë denoncimin do ta bëjmë në prokurori. Do ta ndjekim këtë çështje, sepse ne jemi të pafajshëm.

Sa fëmijë keni dhe a ndiheni më të rrezikuar pas kësaj që ju ndodhi?
Kam 4 vajza. Normalisht që ndihemi të rrezikuar.

Do të kërkoni mbrojtje nga policia?
Çfarë mbrojtjeje të kërkoj kur policia la të lirë bashkëpunëtorët e tjerë? Ata lëvizin të lirë dhe bëjnë xhiro para banesës sime. Unë kam familjen në shtëpi. Autorin e kisha përballë kur më qëlloi me pistoletë. Ishte shumë afër meje. Është fat që jam gjallë. Edhe mjekët më kanë qëndruar në kokë gjatë natës. Por, edhe pse jam në këtë gjendje, mendjen e kam tek familja, pasi ata janë më të rrezikuar tashmë.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: