TIRANË- Ambasada amerikane ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Lazarat duke i shprehu ngushëllime familjes së efektivit Ibrahim Pasha. Gjithashtu Ambasada e SHBA-ve mbështet përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarët dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të dënohen me fuqinë e ligjit.

“I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së oficerit të policisë Ibrahim Basha – anëtar i Forcave Speciale Shqiptare, dy herë pjesëmarrës në misione me forcat e NATO-s në Afganistan – i cili u vra në Lazarat sot. Mendimet tona janë edhe me dy oficerët që u plagosën në krye të detyrës. Ambasada e SHBA mbështet plotësisht përpjekjet e ligjzbatuesve shqiptarë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe bën thirrje që autorët e këtij krimi të tmerrshëm të ndiqen penalisht dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit. Dënojmë me forcë çfarëdo dhune që drejtohet ndaj forcave të zbatimit të ligjit”, deklaron Ambasada e SHBA-ve.

NGJARJA NË LAZARAT, BE: OFICERËT PO ÇOJNË PARA LUFTËN KUNDËR TRAFIKUT TË DROGËS
Edhe delegacioni i BE ka reaguar për incidentin e sotëm në Lazarat. BE i shpreh ngushëllime familjes së efektivit të RENEA-s i cili mbeti i vrarë dhe shpreh keqardhje për dy oficerët e plagosur. Delegacioni i BE përshëndet kurajën e oficerëve të policisë. “ Oficerët e Policisë së Shtetit po i shërbejnë vendit të tyre. Ata po e çojnë para luftën kundër trafikut të drogës. Mbështesim ata që punojnë për zbatimin shtetit ligjor.”- thuhet në reagimin e delegacionit të BE.

AMBASADA ITALIANE: MBËSHTETJE AUTORITETEVE SHQIPTARE NË LUFTËN KUNDËR KRIMIT
Ambasada e Republikës Italiane, në Tiranë i është bashkuar sot përfaqësive të tjera diplomatike të akredituara në kryeqytet duke i shprehur ngushëllimet  familjes së oficerit të policisë i cili mbeti i vrarë sot ne Lazarat ne jug te vendit.

Ambasada Italiane i gjendet pranë familjarëve të dy policëve të cilët mbetën të plagosur gjatë kryerjes së një operacioni në Lazarat, duke ju referuar një deklarate që kjo ambasadë shpërndau për shtypin të merkurën pasdite .

Ambasada e Italisë njëkohësisht konfirmon mbështetjen e saj ndaj Autoriteteve shqiptare në luftën e tyre kundër krimit të organizuar.

 

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb