Mediat serbe kanë publikuar mbrëmjen e sotme dëshminë e nënës së një prej të plagosurve të ditës së djeshme në Shtërpcë.

Zorica Stojanoviç ka deklaruar se autori në të vërtetë nuk ka qëlluar drejt tyre, por se plumbi ka bërë rikoshetë në asfalt dhe më pas ka goditur djalin e saj Stefan Stojanoviç në shpatull.

“Nuk e kam ditur se çfarë dhe si ka ndodhur, kam ditur vetëm se ka qenë i plagosur, kanë bllokuar rrugën, mezi kemi arritur të gjallë në Shtërpcë. Në Shtërpcë tashmë i kanë mjekuar plagën, e kanë parë si është dhe e kanë dërguar këtu (Spitali në Lapllasellë)”, tha ajo para spitalit.

Ajo ka shtuar se dëgjoi se fëmijët po luanin pranë pemës së Krishtlindjes.

“Meqë ishte prag Krishtlindjesh po bënin fotografi në Gotovushë dhe ky shqiptar, nuk e di kush, ka gjuajtur në rrugë, në asfalt, nuk ka qëlluar mbi ta (të rinjtë) dhe përveç djalit tim është plagosur edhe një i ri. Faleminderit Zotit që është gjallë dhe mirë”, tha Zorica Stojanoviç.

Plagosja e djeshme e dy serbëve në afërsi të fshatit Drajkovcë, komuna e Shtërpcës, është dënuar ashpër nga zyrtarë kosovarë dhe ndërkombëtarë.

Prokuroria Themelore ka dorëzuar kërkesë për masë paraburgimi për të dyshuarin, i cili u arrestua më pak se një orë pas sulmit të djeshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: