RODOS

Nuk mund ta mendojë aq lehtë mendja njerëzore, atë çfarë ndodhi mes dy të miturve, vëlla e motër, deri në momentin kur djali 12-vjeçar kapi thikën e kuzhinës dhe plagosi jo një herë por tre herë motrën e tij 11-vjeçare, duke e plagosur rëndë në kofshë.

Kjo ngjarje e rëndë në Rodos ndodhi në një familje shqiptare, ku dy fëmijët jetonin vetëm me babanë e tyre,  një punëtor ditor që punon  në ndërtim për të mbajtur i vetëm familjen,  pas vdekjes së gruas 9 vite më parë, pas një sëmundje në tru.

Kështu, ai mbeti vetëm për të rritur dy fëmijët, atëherë tre dhe katër vjeç, duke ndarë jetën e tij të përditshme midis ndërtimit dhe shtëpisë. Sidoqoftë, mungesa e tij e shpeshtë në shtëpi mund të ketë luajtur një rol, siç i tha ai vetë prokurorit, duke theksuar se ai nuk kishte vërejtur një incident të ngjashëm midis fëmijëve të tij në të kaluarën, ose një shpërthim të tillë zemërimi nga ana e djalit të tij 11-vjeçar.

“Ai nuk ka  treguar ndonjëherë shenja të tilla agresioni” ishte fraza e saktë që ai përdori para prokurorit.

Avokati i tij, Stelios Alexandris, duke folur për protothema.gr, deklaroi se kjo ngjarje e pabesueshme ndodhi për një arsye të parëndësishme dhe qesharake. “Të dy të miturit, vëlla e motër u grindën se kush do ta priste sallatën në tryezën e familjes, duke pritur që babai i tyre të kthehej nga puna,” tha avokati.

Një rast qesharak që gati sa nuk përfundoi në tragjedi. 12-vjeçari, duke debatuar me motrën e tij se kush do të priste sallatën, mori thikën e kuzhinës dhe goditi të motrën duke i shkaktuar tre prerje të thella në kofshë, ku për rrjedhojë motra nga plagët e thella humbi shumë gjak, ndërsa u transportua me ambulancë në Departamentin e Urgjencave të Spitalit të Përgjithshëm të Rodosit për ndihmën e parë.

Vajza është në një gjendje shoku dhe shprehu dëshirën të lërë jo vetëm shtëpinë e saj, por edhe Greqinë dhe të vendoset në Shqipëri në shtëpinë e tezes së saj.  Por i shokuar ka ngelur  edhe vëllai i saj, i cili u përpoq të justifikonte veten duke thënë se gjithçka ishte bërë për një shaka dhe se ai nuk kishte ndërmend ta dëmtonte atë. Me urdhër të prokurorit, sjellja e tij do të vlerësohet nga psikologët.

Babai i dy fëmijëve, përmes avokatit të tij, Stelios Alexandris, ka pranuar vendimin e vajzës së tij për të lënë Greqinë dhe për të lëvizur në Shqipëri në shtëpinë e të afërmve të tyre, pasi ajo përmendi se shëndeti i saj mendor dhe fizik është kryesorja. Derisa vajza të udhëtojë në Shqipëri, ajo do të qëndrojë përkohësisht në jetimoren e ishullit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb