Autoritetet në Hong Kong mbyllën një park ku çdo vit me mijëra vetë mblidhen për të përkujtuar shtypjen e protestave në sheshin Tiananmen të Kinës në vitin 1989. Autoritet arrestuan gjithashtu disa nga organizatorët e manifestimit përkujtimor të së premtes. Aktivistë e cilësuan mbylljen e parkut si goditje ndaj një prej simboleve kryesore të shpresave për demokraci të ishullit.

Autoritetet vendosën një perimetër sigurie për të parandaluar mbledhjen e njerëzve për të ndezur qirinj për demonstruesit pro-demokracisë të vrarë nga trupat ushtarake kineze në Pekin 32 vite më pare. Mes frikës nga arrestimet disa e shënuan përvjetorin në kisha ose në shtëpi.

Mes tensionesh në rritje në disa zona shpërthyen përleshje të vogla, ndërsa policia arrestoi një person për sjellje të paparanueshme në një vend publik.

Policia zhvilloi kontrolle duke ndaluar automjete në të gjithë qytetin, përfshirë ato që qarkullonin në tre tunele që të çojnë drejt ishullit të Hong Kongut, duke shkaktuar radhë të gjata.

Organizimi përkujtimor në Hong Kong çdo 4 qershor, më i madhi që zhvillohet në botë, mbahet zakonisht në parkun “Victoria”, në lindje të Hong Kongut. Ai shihet gjerësisht si një simbol i aspiratave demokratike të qytetit gjysmë-autonom dhe dëshirës për të ruajtur mënyrën e tij të veçantë të jetesës.

Përvjetori i këtij viti është i pari që shënohet nën një ligj gjithëpërfshirës e të diskutueshëm mbi sigurinë kombëtare të vendosur nga Pekini.

Policia nuk tha nëse organizimi përkujtimor lidhur me ngjarjet në Tiananmen përbënte shkleje të ligjit të ri të sigurisë kombëtare/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb