TIRANE– Opozita është shprehur sërish e vendosur në kërkesën e saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Mbrëmjen e sotme, kryeministri Rama i ka lënë “topin” kryedemokratit Basha për të zgjedhur vendin dhe datën e takimit për dialogun e propozuar nga Meta një ditë më parë.

Avokat Spartak Ngjela, në emisionin “Studio e Hapur” në “News24”, tha se kërkesa e opozitës për qeveri teknike, duke fshehur arsyen e vërtetë të bojkotit që sipas tij është reforma në drejtësi, i hap probleme Bashës.

Ngjela thotë se Rama mund të pranojë kërkesën e PD me kusht që më parë të votohet vettingu. E kjo sipas Ngjelës nuk është diçka e mirë për PD.

“Nuk jemi përpara mos hyrjes së PD në zgjedhje. PD ka shkuar si breshka te nallbani, ka kërkuar patkonj. Kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve, dhe këta tani i thotë voto vettigun e t’i shtyjmë. Po nëse votohet vettingu, këto të tjerat realizohen. Menjëherë me miratimin e ligjit, fillon reforma në akt. Ai me një padi, duhet të japë dorëheqjen si deputet. Dhe këta e dinë këtë gjë. Ndaj duhet të kishin hyrë në zgjedhje sa më parë të ishte e mundur. Në politikë është gabim i madh kur fsheh problemin kryesor me një problem anësor. Ata thonë duam qeveri teknike, nuk thonë nuk duam reformën në drejtësi. Ndaj këta do t’i thonë voto vettingun dhe të japim qeverinë teknike”, tha avokat Ngjela.

Analisti Shpëtim Nazarko thotë se fakti se është vetë PD ajo që nuk do të hyjë zgjedhje, e bën Ramën që të jetë i qetë. Nazarko shprehet se kryeministri Rama nuk po shkel Kushtetutën.

“Unë e di që nuk është demokratike të pengosh opozitës së hyjë në zgjedhje, por nëse ajo nuk do të hyjë vetë, atëherë Rama është i qetë. Kushtetuta na garanton stabilitet më shumë seç nga garanton Rama, Meta, apo të gjithë partitë. Rama nuk po e thyen kushtetutën, madje thotë që data është e caktuar sipas ligjit. Zgjedhjet janë të popullit. Në 2009 kur u bë ky sistem zgjedhor që nuk të jep epërsi të mëdha, mban sistemin e tre partive. Në 2011 filloi dekompozimi i PD, që u pa në 2013. PD ka shumë probleme jo vetëm me zgjedhjet, ku numerikisht ka qenë më pak se e djathta, por ka edhe problemet e veta. Është kënaqësi , që nga një kafshë agresive si krokodili shkon te ngjala, peshku, e deri te butaku. Le ta marrim pak me humor. Ta zëmë se PD nuk hyn në zgjedhje të cilat i ka të humbura. Unë nuk e quaj lojë këtë, se Rama i ka votat e nevojshme”, tha Nazarko.

Sakaq, ka reaguar edhe kreu i AK, Kreshnik Spahiu, i cili tha se Rama në 4 vite qeverisje është ulur në tryezë me Vuçiç, por jo me Bashën.

“Ke një kryeministër që brenda një mandati është ulur gjithë ato herë me kryeministrin serb, dhe nuk është ulur njëherë në tavolinë me kreun e opozitës së vendit të tij. të gjithë tryezat për fatin Shqipërisë, ky i bën o te ngjalat, o te peshku”, tha Spahiu.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb