TIRANË- Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka komentuar situatën sociale e ekonomike në vend duke e krahasuar atë me sistemin e para viteve ’90. Në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ngjela ka shkruar se aktualiteti ka hyrë në paradokset e tij dhe se “kudo ka suksese të qeverisë, por shqiptarët po shkojnë drejt urisë.

“Në vitin 1991 mu desh të shkruaja katër paradokset e sistemit hoxhist në Shqipëri; të cilat ishin këto: Të gjithë kanë punë, asnjë s’punon; Asnjë s’punon, planet realizohen; Planet realizohen, tregu është bosh; Tregu është bosh, asnjë nuk vdes nga uria. Ky ishte socializmi shqiptar i Enver Hoxhës. Por historia sikur po përsëritet. Po shoh që edhe aktualiteti, njëlloj si njëzetë vjetët e fundit, ka hyrë në paradokset e tij. Dhe fundi është po ai: kudo ka suksese të qeverisë, por shqiptarët po shkojnë drejt urisë, dhe po tremben e duan të lenë Shqipërinë”, shkruan Ngjela.

Ai ka shtuar se “Kush nuk e sheh këtë si qeveritar, ose është naiv, ose është delirant, ose është i dominuar nga ligësia kundër popullit të vet”. Ngjela tha se gjendja duhet të ndryshojë, pasi në të kundërt viti i ardhshëm do të jetë katastrofal për shqiptarët, por shpreh mosbesim tek politika e sotme.

“Gjithsesi; gjendja duhet të ndryshojë, se, në të kundërt, viti 2015 do të jetë katastrofal për mirëqenien apo ecurinë normale të jetës së shqiptarëve në Shqipëri. Po si do të ndryshojë? Me këtë politikë? Kurrë. Po nuk u gjet rruga për të filluar negociatat me Bashkimin Europian, kjo qeveri është drejt falimentit të saj në përplasje të pashmangshme me shqiptarët e papunë e të pashpresë. Naiviteti i “ndihmës kinezë” është njëlloj si katër paradokset e hoxhizmit që përmenda më lart”, përfundon deklarata e Spartal Ngjelës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb