Deklarata të forta kanë bërë në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, avokati Spartak Ngjela dhe analisti Artur Zheji, të cilët kanë paralajmëruar shpërbërjen e Maqedonisë së Veriut si shtet.

Për avokat Ngjelën shpërbërja e Maqedonisë së Veriut është në interes të Shqipërisë, pasi fuqizohet Kosova dhe krijohet mundësia për Shqipërinë etnike. Edhe për Zhejin, po punohet për ndarjen e Maqedonisë së Veriut, pasi sipas tij, është një shtet që nuk do t’i rezistojë kohës.

Pjesë nga diskutimet:
Ngjela: Do shkohet drejt shpërbërjes së Maqedonisë.
Zheji: Kjo që thotë avokati luhet në një tjetër plan më të thellë, më strategjik.
Ngjela: “Thembra e Akilit” është a do shpërbëhet Maqedonia. Ata nuk e pranojnë në BE. Këmbëngulja bullgare është në disfavorin tonë. Pse nuk na ndajnë neve nga Maqedonia? Nëse do të jemi përballë shpërbërjes së Maqedonisë, pjesa maqedonase, që është shteti më i ndyrë antishqiptar dhe nuk bëjnë as regjistrimin e popullsisë, atje janë 1 milion shqiptarë, është në favorin tonë.
Zheji: Kjo është një temë e madhe. Unë nuk mund të jem dakord që kryeministri tregon pasiguri që ne nuk kemi cfarë bëjmë në Bruksel, kot që shkojmë. Nuk do të doja që ai të kishte sinkronizim me Vuçiç. Kjo do të thotë që çështja e vetos bullgare i intereson Shqipërisë, e para e ka si alibi për detyrat e papërmbushura ndaj Brukselit, me këtë korrupsion të lartë, dhe e dyta që ndoshta po punohet për ndarjen e Maqedonisë, se është një shtet që nuk do t’i rezistojë kohë.

Pyetje: Pse sinkronizohet kaq shumë Rama dhe Vuçiç?
Ngjela: Nuk mund t’i kapësh dot, del blof. Pyetja është se c’kërkon Vuçiç atje, pasi ai është me Moskën. Amerika s’e pranon fare në NATO, i ka thënë “ik thyej qafën, ti je me Moskën”. Janë jashtë vorbullës ata, janë me Moskën, e dinë të gjithë. Pozicioni i kryeministrit shqiptar nuk është i pavarur. Unë di që neve kjo që na ndodhi, dhe kjo do të dalë, është në favorin tonë. Kjo sepse ka një doktrinë amerikane për Shqipërinë. Kemi dy shtete shqiptare, që ende nuk dihet c’do bëjnë. E tha mirë Rama njëherë, që nëse s’na duan në Evropë, do bashkohemi me Kosovën. Kjo është politikë. Problemi qëndron që ai u nis, por ka presion që të mos e vazhdojë këtë politikë. Nëse Rama na bashkon me Kosovën, ky është fati ynë. Po kryeministri i Prishtinës njëherë flet kështu e njëherë ashtu, njëherë fshihet pas misrit, njëherë pas barit. Interesi shqiptar është që Maqedonia të shpërbëhet, të bashkohemi me Kosovën dhe të krijojmë Shqipërinë etnike. Pikë.

Zheji: Unë mendoj se Rama, Vucic e Kovaçevski, duan të shkojnë në Bruksel si “Open Balkan”. Duke shkuar të tre, kam përshtypjen se të tre e duan Bashkimin Evropian. Vuçiç do armët e Putinit, nuk bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë, por vazhdon hapat drejt BE. Do të menaxhojë dy kuaj. Ne i japim mundësinë kozmetike, e çojmë në Evropë. Nuk e di pse është kjo, mbase një detyrë misterioze që i është ngarkuar Ramës.

Ngjela: Për mua le të hanë kokën, s’më duhet fare cfarë ndodh. Lufta e Ukrainës i vuri pikat mbi i qartë. Kuptohet që ne jemi aleati kryesor i SHBA në Ballkanin Perëndimor. Pikë. Gjithë problemi qëndron sa i aftë do jetë Rama ta luajë këtë politikë. Por, ne jemi më të privilegjuarit, jemi në NATO dhe po tentojmë drejt BE, krizën na e sjell Bullgaria.

Zheji: Nuk është vetëm puna e kryeministrit se si do e luajë, por edhe puna jonë. Shtetet serioze nuk mund të bëjnë lëvizje 180% pa u konsultuar me gjithë faktorin shqiptar.
Ngjela: Enver Hoxha në një rast tha se ish-miqtë nga Kosova dhe vëllezërit nga Vietnami. E kupton pra, nuk duhet të merremi me këta politikanët shqiptarë. Të vijmë te koha moderne, ku dimë që aleati më i madh, më i fortë dhe më i besueshëm i SHBA në Ballkanin Perëndimor janë shqiptarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb