Në Universitetin “Polis”, në sallën MAD Center, u hap një ekspozitë me piktura të Atjon V. Zhitit, punime spontane të fëminisë së tij dhe të adoleshencës, nën kujdesin e kritikut të artit, studiuesit të njohur Profesor Gëzim Qendro.

Ishin mbledhur njerëz të shumtë, studentë, miq të Atjonit nga Tirana dhe nga universitete të ndryshme të Europës, dashamirës të artit, shkrimtarë, botues, gazetarë, edhe nga Kosova, edhe nga SHBA-ja, ku nën meloditë e një kuarteti harqesh admironin dhe diskutonin për çudinë e ngjyrave të Atjonin, gjithë freski e befasira, ku fantazia përzihej me gjendje estetike, që përftohen nga një art i çiltër, të një si fillimi pa mbarim, edhe pse fati tragjik e ndërpreujetën e autorit një vit më parë.

Mirseardhjen gjithë të pranishmëve ua dha njëri nga themeluesit e këtij universiteti, z. Besnik Aliaj, i cili ndër të tjera tha se ndjeheshin të gëzuar për një ekspozitë të tillë, së pari Atjon Zhiti e meritonte, ai na përcjell një botë të veten, sa rinore, po aq dhe të arrirë. Kurse kuratori i ekspozitës, Prof. Gëzim Qendro, shtjelloi se për të ishte vërtet një zbulimkjo pjesë tjetër e talentete që shpalos Atjoni.Pas botimit të një libri me ese filozofike, “Per atë që dua(m)”, ky student,në çantën e të cilit si rrallëkush gjeje libra të shquar të emndimit, klasikë e modernë, na zbraz ngjyra, pas të cilave fshihen ndjesi dhe ide apo thjesht një emocion, që e tejkalojnë moshën, ose janë të pa moshë. Ekspozita nuk është thjeshtë një grumbull pikturash, por etapa të një ecjeje e preokupime të mënçura rinore, arritje plot domethënieje. Edhe studiuesie shkrimtari Uran Butka, i cili merret dhe me ngjyrat, shtoi se e çmonte këtë ekspozitë, gjithë trille e ngrohtësi. Në një stendë të veçantë ishin vendosur dhe disa libra, që në ballina kishin vizatime të Atjon Zhiti, kurse sipër tyre në një korrnizë të madhe ishte vendosur një ese, e gjitha si një poezi, që pikëzonte gjetjet dhe arritjet, vlerat artistike në pikturën e Atjon Zhiti, që kritiku e titullonte “Kutia me xixëllonja”.

Ndër të tjera aty lexojmë:
1- “Një kuti me xixëllonja. E lënë nxitimthi në ikje e sipër atë praggjëme që pikëlloi shumëkënd. E mbetur diku, gjysmë e përmbysur mbi barin e kopshtit të magjepsur të fantazisë së tij. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.

2- Demiurg I plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar…

3- Është pa vend të rrëmosh në këtë rast për strategji të mirëfillta artistike pasi pikturat e një fëmije e kanë vlerën pikërisht në drejtpërdrejtshmërinë e pikturimit, freskinë e gjurmëve të imagjinatës së harlisur dhe në çlirimin e plotë nga pesha e traditës. Është çarja e guximshme e koracës së botës së dukjeve, përpjekje për të kaluar me natyrshmërinë e fëmijës në botën numenale përmes ndjenjës…

4- Si të gjithë pinjollët e racës së krijuesve Atjoni nuk doli kurrë nga kopshti i magjepsur i fantazisë së tij. Si fëmijë i çuditi të rriturit me sigurinë dhe fjalët e pjekura, si i rritur i habiti me spontaneitetin dhe pastërtinë e fëmijës. Ai kopsht ishte bota e tij të cilën s’mund t’ia merrte apo përdhoste askush, ishte profilaksi shpirtërore dhe strategji mbrojtjeje nga çmendina jashtë tij ku shkelet pa mëshirë çdo gjë me vlerë…

Këto janë vetëm xixëllonjat që arritëm të mbledhim. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
Ekspozita u mirëprit nga të gjithëdhe do të jetë e hapur edhe dy javë të tjera. Aty do të zbuloni më shumë nga Atjoni, por dhe nga vetja. E gjithë është ndjenjë, janë ngjyrat e saj, pa të cilën nuk jeton as mendimi, por as dhe bëmat. Ne jemi ajo që bëjmë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: