Majkëll Ngo intrigon merkaton e Tiranës. Shtatlarti anglez po zvarrit përgjigjen për klubin bardheblu, i cili ka pasur këto ditë një betejë të vërtetë me sulmuesin në lidhje me çështjen e rrogës. Madje jo vetëm kaq, por Tirana i ka bërë presion të hapur Ngosë duke nisur bisedimet me ish-sulmuesin e Luftëtarit, Dungën, që duket fare pranë nënshkrimit me kryeqytetasit.

Dunga
Dunga

Në fakt te Tirana të gjithë janë habitur me tekat e 26-vjeçarit, por në fund është zbuluar arsyeja e zvarritjes së rinovimit të kontratës. Mbrapa anglezit qëndron Skënderbeu, me klubin korçar që i ka paraqitur një ofertë joshëse sulmuesit dhe e ka piketuar në majë të formacionit.

Gjithsesi, Ngo ka marrë pozita mbrojtëse dhe më herët kërkon të mësojë fatin e bardhekuqve, që në datën 12 presin përgjigjen përfundimtare nga KAS-i i Lozanës në lidhje me pezullimin 10 vjeçar dhënë nga UEFA për çështjen e trukimeve. Më pas do të mësohet edhe e ardhmja e Ngosë, në do të ndërrojë kurs në drejtim të Korçës, apo nëse do të pranojë ofertën e Tiranës, gjithnjë nëse kjo e fundit do të jetë e interesuar për ta mbajtur në ekip shtatlartin anglez.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: