Pas derbit të kryeqytetit, tifozët e futbollit kanë mundësinë që këtë javë të shijojnë klasiken e futbollit shqiptar, në “Loro Boriçi” të shtunën luhet Vllaznia-Tirana. Ambienti në Shkodër vijon të besojë ende te titulli, në shifra duket shumë e vështirë, por kjo sfidë është shansi i fundit, një ndeshje ku vlejnë vetëm tri pikët.

Jo vetëm gara për titulli, akoma më e fortë është gara për të siguruar një vend në Evropë por dhe për të mbijetuar në elitë. Shpëtim Duro, tekniku i mirënjohur kryeqytetas, i ftuar në “News24”, në emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba, analizoi situatën e klubeve, foli për Tiranën, transfertën e tyre në Shkodër dhe formën që po kalojnë bardheblutë.

Si një ish i famshëm, Duro preku edhe situatën te Partizani, a ka ndryshuar diçka me Mehmetin në stol, a mundet “demat” të prekin Evropën? Duro foli dhe ofertën e ardhur nga presidenti Takaj, preku situatën e trajnerëve në Abissnet Superiore, duke u ndalur te Kukësi dhe tek raporti që presidenti Gjici ka me trajnerët e huaj.

Shkarkimi i trajnerit të Skënderbeut – “Njëri e merr përsipër e tjetri jo. Ishte një zgjidhje profesionale, në këto momente unë nuk isha i gatshëm për të marrë drejtimin e Skënderbeut. Sigurisht që unë nuk e refuzova për arsye se kisha mendimin që duhet ta vazhdonte ish- trajneri. Unë e kam dëgjuar Memellin dhe në intervista kur thoshte që nuk dorëzohej. Në këtë situatë pas asaj humbjeje ai duhej ta vazhdonte atë detyrë.”

“Duhet ta shpëtonte ai vetë. Unë shpresoj që Skënderbeu të shpëtoj dhe gëzohem që Gega e ka marrë me optimizëm. Personalisht nuk kisha dëshirë ta merrja. Më kujtohet situata ime me Flamurtarin para 5 vitesh. Të gjithë më thoni si e mora atë veprim, pasi ishim në vend të parafundit. Nuk e harroj atë sezon, pasi pothuajse ishin të dorëzuar kur shkova unë.”

Roli i Trajnerit – “Sigurisht që trajneri me përvojë duhet. Dita e parë është gëzimi, pastaj fillojnë problemet. Karriera e trajnerit është shumë e gjatë dhe në çdo zgjedhje duhet të ketë kujdes. Roli i trajnerit është shumë i rëndësishëm. Puna e trajnerit është suksesi dhe mos suksesi.”

A mund të konkurrojë Partizani për vendin e tretë? – “Nuk e kuptoj kënaqësinë e madhe që Partizani doli barazim kur kanë hyrë me pretendime serioze këtë vit. Kanë bërë investime të shumta, shikohet dhe në fushë, Partizani duhet të ishte në vendet e para. Përsëri është shumë larg. Kjo është të ngopesh me lugën bosh. Diferenca 19 pikë më duket e çuditshme mes Tiranës dhe Partizanit. Nuk është normale të jenë në ato situata.”

Çështja titull e mbyllur për Tiranën? – “Tirana është favoritja absolute, ka stofin si skuadër. Nuk është e mbyllur gara, e shof që kundërshtarët po bëjnë gabime të shumta. Çështja e titullit nuk është e mbyllur. Rivalët nuk po arrijnë të përfitojnë.”

Ankesat tek arbitrat – Unë e kam thënë që Vllaznia duhet të ishte në vendet e parë, si skuadër si në organikë. Një zhgënjim total pas periudhës së janarit, tek Kukësi. Nuk mund t’i konceptoj humbjet radhazi me goleadë. Ata janë në tre vendet e para, por këtë vit është një kampionat më i lehtë. Ka të bëjë situata e kampionatit.

Vllaznia-Tirana – “Kuriozitet për ta parë këtë ndeshje. Këtë sezon janë përballur dy herë. Në të parën Tirana fitoi në Shkodër, fitore me personalitet. Ndeshja e dytë doli barazim. E shikoj që Tirana është më mirë moralisht dhe përsa i përket zhvillimit të ndeshjeve të fundit.”

Kundër një Vllaznie që në ndeshje e fundit ndaj Kuëksit luajti dobët. Në shtëpinë e saj e ka të vështirë të shfaq gjendje e saj. Çdo gjë është e hapur. Unë them që Tirana është shumë e kujdesshme. Barazimi me Partizani i shkonte asaj. Barazimi është normal ndaj një kundërshtari si Vllaznia.

Partizani-Egnatia – “Partizani është më i qetë pasi është një pozicion komod kurse Egantia ka ethet e mbijetesës. Ka bërë një paraqitje të mirë në ndeshjet e fundit. Nuk e meritonte humbjen ndaj Teutës. Favorite është Partizani.”

Dinamo-Kukësi – “Fitorja ndaj Skënderbeut ishte shumë e rëndësishme për Dinamon. Zhvilloi një ndeshje të mirë. Me Kukësin e shoh një ndeshje në ekuilibër. E shikoj Dinamon me moral ndaj një Kukësi që është në presion. Fati është që ka pasur kundërshtarët shumë larg. E shikoj një ndeshje me ekuilibër dhe të barabartë.”

Rikthim të Kukësit? – “Gjici është shumë i durueshëm. Të humbësh 3-0, 4-0, 5-0, nuk kishte shanc që një trajner shqiptar të qëndronte te Kukësi. Trajneri duhet të jetë mirënjohës për durimin e presidentit. Ka pasur momente të mira, por gjysma e dytë e sezonit ka qenë negative. Një humbje e Kukësit do ishte e rëndë për situatën në klub.”

Laçi-Skënderbeu – “Laçi do luftojë deri në fund për titullin kampion. Edhe këtë sezon ka bërë ato gabimet që ka bërë edhe vjet me skuadra të dorës së dytë. Me skuadrat kryesore vjet dhe këtë vit kemi qenë superiorë. Është një ndeshje interesante. Favorit është Laçi, por duhet të ketë kujdes pasi ndërrimi i trajnerit të jep impaktin për të ndryshuar diçka.”

Largimi i Regi Lushkjës nga Laçi – “E njoh personalisht si djalë dhe është super futbollist. Jam i kënaqur që është transferuar. Ka qenë lojtar kryesor, por çdo lojtar ka vlerat e veta në skuadër. Këto gjëra ndodhin. Laçi e ka skuadrën dhe ka alternativat. Më kujtohet sezonin e kaluar kam luajtur tre ndeshje gjithë sezonin me Nabuezen, ish sulmuesi që një vit më parë kishte shënuar 22 gola. Ishim pranë titullit kampion.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb