TIRANË- Ngricat dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë të gjithë vendin kanë sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Nga raportimet e gazetarëve tanë, mëngjesin e sotëm mësohet se ka një situatë problematike në aksin Gjirokastër-Tepelenë si dhe brenda qytetit, për shkak të ngricave dhe prezencës së akullit në rrugë. Qarkullimi paraqitet më problematik në zonën muzeale. Burimet spitalore konfirmojnë se ka pasur disa raste në ditët e fundit të paraqitura me fraktura, si pasojë e rrëshqitjes nga akulli.

Po kështu në Dibër, dhjetëra fshatra janë të izoluara prej 13 ditësh. Raportohet se për shkak të ngricës dhe reshjeve të dëborës, në disa fshatra rrugët janë të bllokuara. Në fshatrat e thella, trashësia e dëborës arrin në 60 centimetër. Mësohet se në aksin Peshkopi-Tiranë qarkullohet pa probleme, pasi rruga pastrohet vazhdimisht.

Në Pukë është zhbllokuar pas 12 ditësh që ishte nën pushtetin e borës dhe akullit rruga në Iballë. Firma e mirëmbajtjes gjate 3 ditëve angazhoi 6 mjete për pastrimin dhe sjelljen në normalitet të kësaj rruge. Gazetari Armir Mehaj bën me dije se në aksin Pukë-Iballë, trashësia e borës arrin në 3 metër. Për vonesë në zhbllokimin e kësaj rruge u arrestua përfaqësuesi i kompanisë së mirëmbajtjes, ndërsa administratori dhe drejtori teknik janë ende në kërkim. Në Vlorë, rruga në Qafën e Llogorasë, e kalueshme pa zinxhirë.

Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor  janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës dhe ngricave që kanë përfshirë vendin.  Pothuaj të gjithë akset kombëtare qarkullohen pa zinxhirë. Vetëm në disa segmente rekomandohen zinxhirët, për shkak të ngricave në rrugë të formuara gjatë natës për shkak të temperaturave të ulëta. Këto segmente po spërkaten me kripë dhe granil. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve edhe në orët e mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, për shkak se gjatë natës ka temperatura të ulëta të cilat shkaktojnë ngrica në rrugë. ARRSH bën me dije se për ditën e sotme deri në orën 08:30, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë           

Ne akset Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë, Trau Dajt-Antena, Qafë Priskë-Shëngjergj kalimi kryhet normalisht. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë, por rekomandohet kujdes në vendet që nuk i zë dielli, sidomos në aksin Qafë Mollë-Bizë

Qarku Durrës

Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim pasi ka trafik.

Qarku Elbasan         

Aksi  Librazhd-Steblevë është i hapur, por ka ngrica dhe kalimi kryhet me zinxhirë. Aksi Elbasan-Gjinar duhet të kalohet me kujdes nga mjetet e vogla, por për shkak të shembjes në Shelcan është i pakalueshëm për mjetet e rënda. Në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë është bërë spërkatje me kripë, qarkullimi është normal.

Duhen përdorur  zinxhirët sidomos në segmentin Lunik-Steblevë . Të bëhet kujdes në aksin Elbasan-Gjinar, sidomos në Shelcan ku ka ndodhur çedimi, sepse ka edhe prani ngricash. Në akset e tjera të behet kujdes nga ngricat në rrugë gjatë orëve të natës dhe orëve të para të mëngjesit.

Qarku Berat 

Në segmentin Bogovë-Kakrukë ka prani ngricash në orët e mëngjesit ndaj rekomandohet te qarkullohet me kujdes. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera të këtij qarku. Rekomandohet qarkullim me kujdes në segmentet rrugore ku punohet.

Qarku Vlorë

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku dhe qarkullimi kryhet normalisht. Por në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes të behet kujdes nga ngricat.

Qarku Gjirokastër   

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, pasi me uljen e temperaturave formohen ngrica në rrugë.

Qarku Korçë

Është kryer kriposja në pjesët ku ka patur prezencë akulli, për të siguruar  një qarkullim pa probleme të mjeteve. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Por  në orët e mëngjesit dhe mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku janë formuar ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të qarkullojnë gjatë këtyre orëve.

Qarku Kukës

Janë spërkatur me kripë segmentet ku ka patur prani ngricash. Shumë akse qarkullohen pa zinxhirë. Në aksin  K.Domaj-Draj Reç ka prani ngricash. Në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë, ka ngrica në rrugë nga temperaturat e ulëta. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në aksin K.Domaj-Draj Reç, për shkak të temperaturave shumë të ulëta dhe ngricave në rrugë.

Qarkullimi në akset:  Bajram Curri-Valbone, Bajram Curri-Kam dhe Bajram Curri-Q. Morinë rekomandohet të kryhet me zinxhirë për shkak të ngricave në rrugë.

Qarku Dibër 

Vazhdon hedhja e kripës në segmentet ku ka prani ngricash për shkak të temperaturave shumë të ulëta gjatë natës në këtë qark. Ka prani ngricash në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi-Qafë Draj, Qafë Bualli-Krastë. Në aksin Skurraj-Burrel ka patur rënie gurësh në rrugë. Janë marrë masa për pastrimin e rrugës në orët e natës dhe tani qarkullimi në këtë aks është normal.   Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në aksin Ostren i Vogël-Steblevë, në aksin Qafë Bualli-Krastë, dhe në segmentet Zall Dardhë-Qafë Draj dhe  Sllovë-Kalaja e Dodës. Kalimi rekomandohet  të bëhet me zinxhirë edhe në aksin U.Qytezes-Zerqan.

Qarku Shkodër        

Për shkak të temperaturave të ulëta të natës, po bëhet këtë mëngjes trajtimi me kripë i akseve. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjithë akset. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes, pasi temperaturat janë të ulëta.

Qarku Fier    

Nuk ka probleme për qarkullimin. Rekomandohet kujdes në lëvizje, për shkak te fluksit të makinave në superstradën Fier-Lushnje

Qarku Lezhë 

Nuk ka probleme për qarkullimin. Të gjitha akset janë të pastruara, por vazhdon trajtimi me kripë për shkak të temperaturave të ulëta. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.

 

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: