KORÇË- Një tjetër person ka humbur jetën nga i ftohti në Korçë. Sipas të dhënave të para një burrë rreth 60 vjeç është gjendur i pajetë në periferi të qytetit jugilindor.

Mësohet se viktima është gjetur tek vendi i quajtur “Parku i mallrave”. Paraprakisht dyshohet se personi në fjalë ka vdekur nga i ftohti. Policia ka shkuar në vendin e ngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes si dhe për identifikimin e tij.

Godina ku u gjet 60-vjeçari është pjesë e godinave të ish-poligonit të bonifikimit, tashmë bosh. Prej një viti viktima banonte në këto godina të braktisura. Vetë një nga pronarët jashtë kamerës bën me dije se para një viti i kish kërkuar të banonte këtu dhe ai e lejoi. Natën flinte në këtë objekt dhe natën endej rrugëve në kërkim të ndonjë lëmoshe. Po kështu mësohet se 60-vjeçari ishte dhe përdorues i alkoolit.

Dy të pastrehë në Durrës dhe Korçë kanë humbur jetën nga i ftohti pak ditë më parë, ndërsa dje një 53-vjeçar në fshatin Golem të Lushnjës u gjet i ngrirë nga familjarët e tij në vendin ku punonte si roje. Viktima e sotme në Korçë është i katërti në vend që ka humbur jetën nga i ftohti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: