TIRANË- Është mbledhur sot Komisioni i Posaçëm parlamentar për zbatimin e rezolutës së marrëveshjen midis mazhorancës dhe opozitës.
Anëtarët e Komisionit diskutuan lidhur me punën që duhet të bëj komisioni deri në skadimin e afatit të tij dhe në nxjerrjen e konkluzioneve. Deputetët kanë shprehur vullnetin politik për realizimin e marrëveshjes. Ndërsa në përfundim anëtarët e komisionit votuan me vota unanime deputetin e PS-së Ulsi Manja si sekretar të komisionit.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho tha se komisioni duhet të arrijë në një marrëveshje fjale që të mos akuzojë asnjë si të inkriminuar në mbledhjet e komisionit apo edhe në parlament deri në daljen e një vendimi përfundimtar të komisionit. “Kërkoj që të dalim nga kuadri i demagogjisë, sepse shikoj që veç qëllimit të mirë, këtu ka dhe shumë demagogji, ndaj them të marrim edhe një vendim në këtë rast. Që edhe ju të mos nominoni në diskutimet tona, qoftë në komisione, qoftë në parlament, për të përdorur cilësorin ky është kriminel, ai është kriminel”, tha Braho.

Nënkryetari i Komisionit, Taulant Balla në fjalën e tij theksoi se ky komision duhet të arrijë në konkluzione konkrete, në mënyrë që të bëhet edhe zbatimi i marrëveshjes politike ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, të miratuar në datë 24 dhjetor të vitit 2015. “Unë uroj që ky komision të ketë konkluzione të qenësishme, me qëllim implementimin e kësaj marrëveshje”, tha Balla.

Deputeti Eduard Halimi theksoi se komisioni duhet të nxjerr dispozita ligjore dhe jo të hetojë individë të caktuar që janë brenda parlamentit. “Ne kemi për detyrë ti marrim dhe t’i japim zgjidhje, në qoftë se problemi ekziston. Nuk do të bëjmë hetime të personave. Nuk kemi kompetencë për të bërë hetim të personave të cilët janë në parlament. Ne kemi kompetencë këtu për të hartuar dhe për ti propozuar parlamentit, dispozitat ligjore, që ato fenomene të cilat kanë ndodhur në të kaluarën të mos përsëriten më në të ardhmen”, tha Halimi.

Nga ana e tij, kryetari Oerd Bylykbashi tha se komisioni do ti bëjë ftes Komisionit të Venecias si edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që të bëhen pjesë e komisionit nëpërmjet ekspertizës së tyre. “Sigurisht që është kjo marrëveshje e iniciuar edhe nga Parlamenti Evropian nën monitorimin e tyre për zbatimin e saj, dhe kemi fatin që produkti i punës tonë, dhe prirja e punës, tonë do të jetë në fokus të posaçëm të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare evropian. Sigurisht që do të kemi nevojë për ekspertizën më të mirë, dhe Komisioni i Venecias do të jetë në krye të kësaj ekspertize. Ne do ti bëjmë ftesë që të marrë pjesë”, tha Bylykbashi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: