TIRANË- Shqipëria firmos marrëveshjen për Task-Forcën Mjekësore të Ballkanit. Kjo marrëveshje ka qëllim rregullimin e procedurave dhe përgjegjësive mes palëve për ngritjen dhe funksionimin e një strukture ushtarake mjekësore shumëkombëshe të quajtur Task Forca Mjekësore e Ballkanit.

Ngritja e Task Forcës Mjekësore të Ballkanit paraqet një iniciativë të ndërmarrë nga SHBA dhe Mbretëria e Norvegjisë, me cilësinë e palëve sponsor. Kjo iniciativë synon arritjen e një sërë objektivave në mbështetje të operacioneve në përgjigje të krizave (Crisis Response Operations/CRO) për të reaguar brenda një kohe të shpejtë ndaj situatave të ndihmës në raste të fatkeqësive rajonale, si dhe në misionet e drejtuara nga OKB-ja. Për arritjen e këtyre objektivave, shtetet pjesëmarrëse do të ofrojnë kontributet e tyre, të cilat do të bazohen në kapacitetet ekzistuese mjekësore, në mbështetje të operacioneve ndërkombëtare për këtë qëllim.

Qëllimi i krijimit të Task Forcës Mjekësore të Ballkanit është: të forcojë dhe të mundësojë kapacitete mjekësore ushtarake, për të operuar brenda kornizës së një njësie mjekësore ushtarake shumëkombëshe rajonale në Ballkanin Perëndimor;  të përmirësojë dhe forcojë më tej kapacitetin mjekësor ushtarak rajonal për të mbështetur komunitetin civil;  të mundësojë që shërbimet mjekësore ushtarake kombëtare të arrijnë kapacitete mjekësore të standardizuara me nivel të lartë ndërveprueshmërie, brenda rajonit si dhe në kuadër të operacioneve të UN/NATO/EU/PfP.

“Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Qeverisë së Malit të Zi, Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë mbi ngritjen e Task Forcës Mjekësore të Ballkanit”, është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin Nr. 245, datë 18.3.2015 dhe është nënshkruar sot në datën 17 prill 2015 nga Ministri i Mbrojtjes.

Po sot, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli priti në një takim të veçantë atasheun ushtarak të Mbretërisë së Norvegjisë me rezidencë në Romë, kolonel Erik Arff  Gulseth dhe majorin Dagfinn Bjorklid, përfaqësues i FA Norvegjeze për mjekësinë, me cilësinë e palës që sponsorizon këtë iniciativë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: