Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i ka kërkuar kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagamit që të merren masat dhe që qytetarëve t’i ofrohet drejtësia që presin.

Në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ligjeve, ku Llagami raportoi raportin e vitit 2020, mbi ecurinë e punës së institucionit që drejton, Manja, kërkoi që të bëhet një punë më e madhe me verifikimin e pasurisë së personave që ndjekin shkollën e magjistraturës.

Sipas Manjës, Reforma në Drejtësi është një nga reformat më të rëndësihme të këtyre 30 viteve të fundit, e si e tillë, duhet investuar në çdo sektor.

Ulsi Manja: Duhet verifikuar pasuria e atyre që marrin pjesë në shkollën e magjistraturës. Si e bëni këtë gjë?
Naureda Llagami: Bashkëpunim me shkollën e magjistraturës është institucional, sa i përket proceduarve. Ligji parashikon që nga ana e shkollës së magjistraturës, hapet provimi, të gjithë kandidatët i përçohen këshillit dhe ne më pas vlerësojmë që këto fitues i plotësojnë kriteret. Në pjesën e konfliktit të interesit duhet të ngrihet në momentin që konstatohet. Deri më tani nuk kemi konstatuar një gjë të tillë. Pjesa e konfliktit të interesit është debat i gjerë për të gjithë ne. Nuk kemi pasur asnjë ankesë, sa i përket konfliktit të interesit.

Ulsi Manja:
Ju keni menaxhuar një sistem drejtësie, i cili po rithemelohet nga e para. Duhet ditur çfarë shqetësimesh ka sistemi, edhe përpjekjet tuaja për ta menaxhuar mirë sistemin, për të mos shkuar në kolaps. Qytetarët nuk i dinë. Sepse ndoshta keni zgjedhur për të punuar në heshtje. Ju keni përgjegjësinë si drejtuese e një organi të rëndësishëm t’ia bëni të qartë publikut, drejtësia dhe Reforma në Drejtësi kanë anën e vet, qeveria është vetëm mbështetëse, në aspektin financiar, buxhetimit. Kjo s’do të thotë që ju si KLGJ nuk i afroheni llogaridhënies, sepse ju e bëni atë, por nuk ka kontroll në veprimet e tuaja. Atje ku më në fund, keni marrë një godinë dinjitoze, së bashku me shkollën e magjistraturës por bëhuni konkret, thuajeni problemet tuaja. Është reformë e tretë, kryereforma jonë.

Ka probleme, padiskutim, për shkak të procesit të VETTING-ut, por kjo s’do të thotë që s’ka rrugëzgjidhje. Qytetarët marrin shumë shërbime, te drejtësia marrin një shërbimet ë veçantë. Qytetari merr shërbime dhe në dogana, shërbime, bashki, gjithkund, por aksesi në drejtësi lidhet me shërbimet që i ofrohen qytetarëve. Shqipëria sot ka ndryshuar, tërësisht. Ka një infrastrukturë tjetër urbane, edhe në drejtim të kushteve të punës që ofrohen në drejtësi. Në ndihmë na vjen roli juaj, që ta bindni ekzekutivin. Kjo e rrit cilësinë e shërbimit.

Nuk e kuptoj pse kufizohet aksesi në drejtësi, zvogëlimi i gjykatave. VETTING-u është i përkohshëm, ju duhet ta mbani në shina sistemin për t’u mos u kthyer në pikën ku ishim. Më pas, nuk dua të hy te merita e zgjidhjes së çështjeve, sepse kjo i përket gjykatave dhe në këtë pjesë gjyqtarët janë të pavarur. Ne e kemi dhënë mbështetjen tonë, do të vijojmë ta japim, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe buxhetor.

Duam ta bëjmë sistemin efikas dhe efiçent, ça na takon, ne e kemi bërë. Ne do t’ua hapim rrugët. Këtu duhet bashkëpunim me vullnetin e mirë dhe ta çojmë deri në fund sistemin e drejtësisë dhe qytetarët të marrin drejtësinë që presin. Duhet t’i bëjmë një skaner KLGJ. Shkollën e magjistraturës duhet ta bëjmë të pastër. Ngrijeni zërin dhe dilni për zot drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb