Qeveria ka vendosur që për një periudhë 3 vjeçare nga periudha aktuale të lërë rentën minerare në 0 për qind kurse në vijim ajo të jetë sa 1/3 e normës së rentës. Në nenin 4 të ligjit për taksat kombëtare ku përcaktohet niveli i tyre qeveria ka ndërhyrë në paragrafin e parë dhe të tretë. Vendimi i qeverisë pritet të hyjë në fuqi pas kalimit të hallkave të nevojshme të diskutimit dhe më publikimit në Fletoren Zyrtare.

Si është niveli i rentës sot

Kështu sipas ligjit në fuqi “përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar është në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, “Grupi i parë (I) Mineralet metalike” që i bashkëlidhet këtij ligji”

Po kështu në paragrafin e tretë të ligjit në fuqi thuhet se “në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar”

Si bëhet sipas vendimit të qeverisë

Në vendimin e qeverisë është ndryshuar niveli i rentës duke nënvizuar se përqindja e saj për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar është në masën 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim. I njëjti ndryshim bëhet edhe në paragrafin tre të pikës katër në nenin 4 të ligjit.

“Në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb