Marrëveshja KosovëSerbi, e firmosur në Zyrën Ovale, në zyrën më të fuqishme të botës, ka rëndësinë e gurit kilometrik në ecurinë e shtetësisë së Kosovës. Ajo hap një kapitull të ri në historinë moderne të saj, në një moment të vështirë të Kosovës:

-rënien e besueshmërisë së saj ndërkombëtare;

-dobësimin e saj të brendshëm për shkak të përçarjes;

-papjekurisë endemike që prodhonte një egocentrizëm qesharak;

-ftohjen e marrëdhënieve me Shqipërinë;

-shpatën e Demokleut të Gjykatës Speciale etj.

Në një kuptim, marrëveshja ngriu një vit aspiratën e Kosovës për anëtarësim në OKB, diçka që mbetet për Samitin e saj në shtator 2021. Ngriu fushatën për njohje dhe të kundërtën e saj – për çnjohje. Ama, i dhuroi Kosovës njohjen e Izraelit, me fuqi simbolike të jashtëzakonshme, e cila bashkë me imponimin e Serbisë për të vendosur ambasadën në Jerusalem, është ajo që e ftoh Serbinë me botën arabe, të paktën me Palestinën.

Marrëveshja e ftoh Serbinë me Kinën, aleat i fortë i saj, diçka që vlen edhe për Kosovën, kur vjen puna për refuzimin e teknologjisë 5G.

Kundërshtarët e saj po merren gjoja me pikën e marrëveshjes për Ujmanin, një mirazh për skeptikët e VV (një liqen artificial i shtrirë në të dy shtetet); normalisht do duhet të ketë një marrëveshje administrimi të përbashkët, të paktën si liqeni i Kukësit dikur në Jugosllavi.

Pse mirazh? Ajo ia lë një studimi fizibilitetin amerikan, skenarin e menaxhimit. Ama, marrëveshja fton dy palët për të diversifikuar burimet e energjisë.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është me interes kombëtar shqiptar, por edhe interes global për shkak të përzierjes eklektike të problematikës dypalëshe me teknologjitë 5G dhe vendosjen e ambasadave në Jerusalem apo tema të tjera.

Globalizimi i temës së Kosovës u duk edhe nga fakti që çështja e saj u trajtua në Shtëpinë e Bardhë, pas marrëveshjes me Izraelin. Madje, për të përqeshur kritikët, fakti që ajo përfshihet në fushatë elektorale në Amerikë, tregon se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka marrë dimensione amerikane dhe globale.

Presidenti Trump synoi të mbyllte një konflikt, i cili nisi me demokratët e Presidentit Klinton 20 vjet më parë, dhe të tërhiqte Serbinë në zonën e influencës perëndimore. Nëse do të kishim menjëherë hyrjen e Kosovës në OKB, do të ishte zhvillim epokal, por edhe kështu duhet të kemi mirëkuptim të plotë. Flitet për ekonomi, mirëpo ekonomia është politikë, jo thjesht në kuptimin e termave. Sot, të bësh biznes në Kosovë është më e kushtueshme, sepse ajo nuk është pjesë e OKB-së.

PSE THEMI SE KOSOVA ISHTE NË SITUATË TË VËSHTIRË?

Kosova duhet të ishte pajtuar apo konsultuar mes vetes rreth kësaj marrëveshjeje, mes palëve politike atje, por edhe me Shqipërinë, me qëllim që faktori shqiptar të ishte i unifikuar.

Çfarë ishte interesante duket se mu në oborrin e Europës, në Ballkan, disa dekada pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të ua marrin stafetën europianëve, duke e zgjidhur konfliktin e Kosovës me metoda europiane. A nuk u pajtuan ndasitë ndëreuropiane, franko-gjermane, mu nëpërmjet themelimit të Bashkimit Europian? Kjo çështje po tentohet që të zgjidhet me mënyra europiane. Zhurmat që vijnë nga Kosova janë të ngjashme me ato brenda një fisi të madh në prag të një dasme. Një vëllai a një kushëriri i mbetet hatri pse nuk është ftuar, pse s’është vendosur afër dhëndrit apo pse nuk dërgohet krushk. Mjerisht, kjo marrëveshje po ndodh kur politika e Kosovës është më e ndarë se kurrë, ndërsa në ballafaqime të tjera të ngjashme më herët, si në Rambuje apo Vjenë, politika në Kosovë ka qenë më e bashkuar. Duke qenë kjo përçarje, dasma nuk është më e mira. Ndërsa LDK-ja mbetet faktori më properëndimor në Kosovë, disa politikanë sot në Kosovë po shfaqin një egocentrizëm banal. Ata i lejojnë vetes ta përdorin mbështetjen e SHBA-ve si kartë elektorale, ndërsa SHBA nuk duhet ta përdorin sipas tyre si kartë elektorale çështjen e Kosovës? Pse vallë? Madje, përdorimi për arsye elektorale e rrit rëndësinë e çështjes së Kosovës. Egocentrizëm është të presësh në favor të Kosovës triumfalizëm të SHBA-ve. Sot, ajo ishte ndërmjetëse, pra, duhet të luante mes palëve. Sado që shqiptarët kanë qenë historikisht të privilegjuar nga SHBA, kjo nuk do të thotë se në këtë marrëveshje Amerika të mos ishte e balancuar. Egocentrizëm është të mendosh të luash midis demokratëve dhe republikanëve në zgjedhjet presidenciale apo midis europianëve dhe amerikanëve. Amerikanët, madje, kanë dëgjuar me shumë vëmendje zërat në Kosovë. Pasi kanë dëgjuar vazhdimisht kritika për zotin Thaçi, kanë thënë: Nuk e doni atë? Epo mirë, marrëveshja është më e rëndësishme se personat. Vuçiç, me idenë e shërbimit ndaj Trump, nuk e kundërshtoi fuqishëm idenë e njohjes reciproke, ndërsa tha se na është kërkuar njohja e Kosovës dhe ai thjesht kërkoi të mos trajtohej bashkë me normalizimin ekonomik. Vuçiç ka pranuar se kjo marrëveshje i duhet Trump dhe për këtë arsye u bë konstruktiv. Në SHBA, si republikanët, ashtu edhe demokratët, kanë qenë pro Kosovës.

ARGUMENTE TË TJERA – PSE TEMA E KOSOVËS U BË GLOBALE SËRISH?

1. Presidenti Trump e ka parë si kartë elektorale dhe ne thjesht duhet t’i jemi mirënjohës.

2. SHBA, do që të heqë trupat e saj nga Ballkani, Trumpi shkon që të zgjidhë një konflikt në Ballkan, që nisi me paraardhës tjetër.

3. Serbia tërhiqet nga SHBA në zonën perëndimore të influencës. Duhet supozuar se kjo do të bëjë që opozita serbe të jetë më agresive kundër Presidentit Vuçiç. Ne, si shqiptarë, na intereson kjo “shitje publicitare” që bën Trump. SHBA nuk hyri në këtë marrëveshje, që të prishte atë që ndërtoi në Kosovë që nga 1999.

Marrëveshja i hap rrugën Kosovës që të pranohet në OKB. Nëse Kosova hyn në OKB, i hapet rruga për në NATO, për në BE, njohjen e 5 shteteve të tjera. Serbia edhe tani e ka njohur Kosovën, ka marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve, njeh dokumentet respektive të identitetit etj.

Zgjidhja e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë do marrë ende kohë, por sot kemi marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.

Kosova, në njëfarë mënyre, është një shtet bir i dy nënave, SHBA-ve dhe BE-së, por Bashkimi Europian dështoi kur toleroi izolimin e Kosovës. Izolimi krijoi probleme. Në Kosovë kishim shenja të ekstremizmit islamik e kjo ndodhi për shkak të mosliberalizimit të vizave… SHBA e njeh mirë çështjen e Kosovës.

Amerika është sot garante e kësaj marrëveshje dhe në terren është garante e sigurisë së Kosovës dhe e sovranitetit të saj. Pa praninë e NATO-s në Kosovë dhe SHBA-ve, nuk ka sovranitet. LDK, me Kryeministrin e saj që drejton negociatat, mbetet forca më properëndimore e Kosovës dhe këtë e demonstroi me qasjen ndaj negociatave. Ajo ka ruajtur, ashtu si edhe më herët, boshtin properëndimor të kombit tonë dhe po e përkryen pozitën ndërkombëtare të vendit të vet.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kemi praktikisht hapjen e një kapitulli të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja duket si traktat paqeje, ndonëse pjesën më të madhe të tij e ka firmosur NATO me Serbinë. Çështja e të zhdukurve dhe krimet e pazbardhura thuhet se janë një problem, mirëpo historia ofron zgjidhjet. Izraeli, i cili po njeh Kosovën, vazhdon edhe sot të ndjekë penalisht kriminelët gjermanë të luftës, por kjo nuk e pengon të bëjë biznes me Gjermaninë si partner kryesor. Duket pjesërisht si memorandum mirëkuptimi, i ngjan një traktati paqeje mes dy vendeve. Normalizimi ekonomik nënkupton normalizim politik.

Interesant është se cili do të jetë reagimi i fuqive të tjera, ndonëse rusët kanë thënë se do pranojnë çdo marrëveshje që pranon Serbia./ Konica.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb