Një grua u vra dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me breshëri kallashnikovi në lokalin e Fatjon Muratit në “Don Bosko”, më 12 mars.

Emisioni në “Në Shënjestër” sjell video 3-D të kësaj ngjarje kriminale.

Si ndodhi masakra

Ata erdhën, goditën dhe si zakonisht, u larguan po aq qetësisht.

Këtë herë duke lënë të vrarë një grua, mbesën e saj të lënduar por edhe të tjerë të plagosur që nuk i lidh asgjë me hasmëritë e tyre të krimit.

Si rrallë herë më parë në histori të tilla të përgjakshme të përplasjeve midis bandave kriminale

Ata goditën pikërisht atëherë kur dukej se Tirana do të kalonte një tjetër mbrëmje të qetë dhe e diela e 12 marsit do të mbyllej pa ndonjë zhvillim interesant për sa i përket ngjarjeve të aktualitetit.

Në një ngjarje kriminale që shpërfytyroi frikshëm mbrëmjen e një kryeqyteti, ashtu si edhe egërsia e plumbave të derdhur  mbi fasadën e xhamit të lokalit në pronësi të Fatjon Muratit në zonën ‘Don Bosko’ në kryeqytet.

Ku toga e atentatorëve nuk pyeti për askënd që ndodhej në këtë orë në lokal.

As për një vajzë 10 vjeçare, e cila priti që gjyshja e saj të linte turnin e punës si banakiere dhe të ktheheshin së bashku si çdo natë në banesën ku jetonin me qira, pas një tjetër dite ku kishin fituar bukën e përditshme.

Gjyshja e saj e cila ishte viktima më e pafajshme e kësaj historie, që shpejt mori emrin Masakra e ‘Don Boskos’.

Jo thjesht për vendin ku ndodhi, por për numrin e lartë të të plagosurve, plot 5 të tillë, që lanë të shembur në tokë, bataretë e plumbave të qëlluara nga jashtë lokalit.

Por si ndodhi Masakra e ‘Don Boskos’ e 12 marsit në kryeqytet?

Cili ishte itinerari që ndoqën vrasësit për të mbërritur në lokalin e familjes së kundërshtarit të tyre dhe rruga që morën për t’u larguar nga aty?

Cila ishte përplasja që ata, apo porositësit e kësaj masakre, kishin me Fatjon Muratin, një eksponent ky i rrezikshëm i krimit?

Që kish mundur t’i shpëtonte ashtu si edhe të tjerë të ngjashëm të tij në botën e krimit, drejtësisë, duke xhongluar me ligjin dhe gjykatësit që kishin në dorë burgimin apo lirimin e tij? Sipas dinamikës së ndërtuar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, dhe krehjes që grupi hetues u bëri kamerave të sigurisë, atentatorët thuhet se morën fillimisht rrugën për në Tiranë nga Kashari drejt Kthesës së Kamzës.

Më pas siç vihet re edhe nga kamerat e sigurisë, makina e tyre u pa të kalojë nëpërmjet rreth-rrotullimit të Shqiponjës, për të hyrë në lagjen Laprakë. Vetëm disa minuta pasi kryen këtë itinerar, makina me tre persona në bord, shihet teksa kalon në rrugicën pranë Xhamisë dhe prej andej në rrugën ‘Anastas Shundi’.

Aty ku janë ndalur në cep të lokalit në pronësi vëllezërve Murati. Objektivi, ku edhe qëlluan me të gjithë forcën e tyre.

Por ajo që tregon më qartë  momentin kur qitësit nxjerrin armët dhe shkrehin të gjithë brutalitetin e tyre ndaj lokalit dhe personave që ndodheshin në atë moment brenda tij, janë pamjet e një prej kamerave të sigurisë në zonë. Të cilat edhe pse larg tregojnë në një farë mënyre të gjithë dinamikën e sulmit ndaj lokalit në pronësi të Fation Muratit dhe familjes së tij.

Sipas mekanizmit të ndërtuar të ngjarjes, personat që qëllojnë janë dy të tillë. Të cilët pavarësisht se kanë fushëpamje të lirë, për të parë se kush ndodhen në lokal në atë moment dhe se midis tyre ndodhet edhe një vajzë vetëm 10 vjeçare, ata nuk kanë ngurruar të qëllojnë. Duke lënë të vrarë Mimoza Pajën, e cila mbeti e vdekur në cep të banakut, gruan e cila kishte vetëm pak kohë që kishte nisur punë në këtë lokal

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb