Gazeta opozitare turke Ozgur Gündem ka mbuluar tema që lidhen me pakicën kurde në vend. Ata që zgjodhën të mbulojnë zhvillime problematike dhe që punuan si redaktorë në këtë publikim kanë ndeshur në përndjekje nga autoritetet, madje edhe burgim. Në vazhdim, historia e dy aktivistëve të guximshëm që ngritën zërin për liritë civile: Turqia është një ndër vendet kryesore në botë për nga numri i gazetarëve të burgosur, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Shumë nga ata që kanë ngritur zërin për lirinë e shtypit e kanë pësuar.

Kjo është historia e dy prej tyre. Më 17 korrik 2019, para Pallatit të Drejtësisë në Stamboll një grup mbështetësish ishin mbledhur për të përshëndetur aktivisten e të drejtave të njeriut Şebnem Fincanci, e cila pas një beteje tre vjeçare, sapo ishte liruar nga akuzat për përhapjen e propagandës terroriste… për të cilën mund të ishte dënuar me burgim disa vjeçar.

“Për herë të parë në një periudhë shumë të gjatë jemi mbledhur me lajme të mira. Jemi mbledhur për të ngritur zërin. Njerëzit këtu dënohen për krime që nuk i kanë bërë kurrë,” thotë zonja Fincanci.

Vendimi i gjykatës së lartë ishte i papritur dhe dëshmi se shtypja e qeverisë së Presidentit Erdogan ndaj medias së lirë dhe mendimit opozitar nuk kishte arritur të shuante zërat e kundërshtarëve. Akuzat kundër zonjës Fincanci u ngritën lidhur me angazhimin e saj me një gazetë opozitare që merrej me çështjen kurde. Që nga mesi i viteve 1980, ushtria turke ka luftuar kundër organizatës kurde PKK që ka tentuar të krijojë një territor autonom në juglindje të Turqisë. Konflikti ka lënë 40,000 civilë të vrarë dhe ka plagosur shumë më tepër. Po ashtu, konflikti është bërë shkas për ligje anti-terroriste që ndikojnë tek liria e veprimit të shtypit që raporton mbi çështjet kurde në Turqi.

“Të gjithë ata që mbulojnë tema që lidhen me kurdët, në ndonjë mënyrë pozitive janë në rrrezik të akuzohen për terrorizëm,” thotë Lisel Hintz me Universitetin Johns Hopkins. Gazeta opozitare Ozgur Gündem – ka mbuluar tema lidhur me kurdët që nga viti 1992. Qeveria e Presidentit Erdogan brenda një viti hapi 260 hetime kundër kësaj gazete dhe arrestoi stafin për të penguar daljen e gazetës. Më 3 maj 2016, në Ditën Ndërkombëtare për Lirinë e Shtypit, Ozgur Gündem filloi një fushatë për të nxitur lirinë e shprehjes. Mbi 50 aktivistë për lirinë e shtypit shprehën gatishmërinë për të punuar një ditë si redaktorë në gazetë. Şebnem Fincanci ishte një prej tyre.

“Arsyeja kryesore që na shtyu të shprehim dëshirën të punojmë një ditë si redaktorë ishte për të rritur ndërgjegjësimin për problemin kurd, për masakrat e kryera në rajonin kurd. Ndërtesa ku ndodhet gazeta u sulmua me bombë, u dogj, shumë nga gazetarët u arrestuan. Disa janë vrarë,” thotë zonja Fincanci. Qeveria iu përgjigj fushatës duke arrestuar shumë nga ata që kishin dalë vullnetarë për të punuar si redaktorë për një ditë, ndër ta edhe zonjën Fincanci. Më 20 qershor 2016, ajo filloi dënimin me 10 ditë burgim para se të shpallej fajtore për përhapje të propagandës terroriste. Ndalimi i zonjës Fincanci si dhe arrestimi i vullnetarëve të tjerë që kishin ardhur në gazetë u pasua me protesta. Nuk ishte hera e parë që zonja Fincanci ballafaqohej me autoritetet.

Ajo punon si mjeke ligjore dhe në të kaluarën ka parë nga afër dëshmi të korrupsionit në qeveri.

“Në javën e parë të punës si praktikante, pashë se si falsifikoheshin e fshiheshin nga Instituti Zyrtar i Mjekësisë Ligjore rezultatet e autopsive që flisnin për tortura. Atë ditë fillova punën si aktiviste, duke përdorur shkencën për të mbështetur aktivizmin tim përmes nxjerrjes së të vërtetës”, thotë ajo. Hetimet e kryera nga zonja Fincanci lidhur me tortura e vrasje të individëve në Turqi çuan në procese gjyqësore që rezultuan me dënimin e anëtarëve të forcave të rendit e të sigurisë për shkelje të të drejtave të njeriut. Më pas ajo ndihmoi për hartimin e standardeve të Kombeve të Bashkuara për hetimin dhe dokumentimin e provave për tortura, të njohura si Protokolli i Stambollit.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë betejë. Nuk do të ndalemi kurrë!”, thotë ajo. Sot zonja Fincanci është presidente e Fondacionit për të Drejtat e Njeriut në Turqi si dhe aktiviste që vazhdon punën për lirinë e shtypit. “Është e papranueshme që të burgosen gazetarët. Por po përballemi me këtë situatë. A mund ta pranojmë? Në asnjë mënyrë. E kam provuar vetë mohimin e lirisë; është shkelje e të drejtave të njeriut,” thotë zonja Fincanci.

Edhe Erol Önderoğlu ishte vullnetar që punoi për një ditë si redaktor në gazetën Ooz-gur Goon-Dem. Ashtu si zonja Fincanci, ai u arrestua dhe u mbajt për 10 ditë në qershor 2016. Për më shumë se dy dekada, zoti Önderoğlu ka mbuluar çështje të lirisë së shtypit si përfaqësues në Turqi i organizatës Gazetarët Pa Kufi. Gazetarët gjithnjë e më shpesh po bëhen tema e raportimit, duke e gjetur veten të akuzuar në gjyq, të shpallur fajtorë për shkelje të ligjeve anti-terroriste të Turqisë. Zoti Önderoğlu është aktivist i njohur nga gazetarët turq. Ai shpesh ndihmon gazetarë të huaj të operojnë në mjedisin e kontrolluar mediatik në Turqi.

Me punën e tij të palodhshme ai mbështet gazetarë të të gjitha organeve të shtypit, pavarësisht nga animi politik apo pikëpamjet që reflektojnë punëdhënësit e tyre.

“Që kur fillova karrierën kam mbështetur idenë e lirisë së veprimit për grupe mediatike si konservatore, ashtu edhe liberale. Prandaj është krejt e natyrshme për mua të solidarizohem me gazetën Özgür Gündem”, thotë zoti Önderoğlu.

Arrestimi i zotit Önderoğlu dhe zonjës Fincanci u panë si përpjekje e qeverisë së Presidentit Erdogan për të frikësuar jo vetëm gazetarët, por edhe këdo që i mbështes ata. Rezultati i gjyqit të tyre që filloi në nëntor 2016 do të tregonte nivelin e persekutimit në Turqi. Gjyqi vazhdoi për disa muaj dhe për një periudhë disa vjeçare nuk u deklarua vendimi. Më 16 prill 2019, dy vjet e gjysmë pas fillimit të gjyqit, Erol dhe bashkëshortja e tij, Serpil u nisën më këmbë nga apartamenti i tyre për seancën e 11-të gjyqësore. Erol takoi një mik rrugës dhe po diskutonin për procesin gjyqësor.

“Mendoj se do të më shpallin fajtor. Siç e di, u fol që mund të më dënonin me 1 vit e gjysmë burgim,” tregon zoti Önderoğlu. Një vit e gjysmë në burg për mbështetjen që i kishte dhënë lirisë së shtypit. “Kur shpallën akuzat, mendova se megjithë punën që kisha bërë për të mbrojtur fjalën e lirë, nuk isha një anëtar i mirëpritur i shoqërisë. Për herë të parë mendova se nuk kisha vend në Turqinë e sotme,” tha zoti Önderoğlu.

Atë ditë, gjykata vonoi nxjerrjen e vendimit duke e zgjatur edhe më shumë paqartësinë e të pandehurit. Më 17 korrik 2019 gjykata shpalli vendimi. Zoti Önderoğlu nuk ishte i pranishëm. E pandehura tjetër, zonja Fincanci foli në emër të të gjithë gazetarëve ndaj të cilëve ishin ngritur akuza. “Në këtë vend, fjalët “terrorizëm” dhe “terrorist” janë shtrëmbëruar. Megjithëse ne jemi ata që luftojmë në këtë vend, që luftojmë për jetën, për rininë, për të mos lejuar që askush të vritet, në fund ne përfundojmë të akuzuar për terrorizëm,” tha zonja Fincanci.

Në Turqi, kjo është bërë normale. Por këta dy aktivistë nuk pranojnë të humbin shpresën për atdheun e tyre dhe të ardhmen e tij. “Shpresoj se në të ardhmen, kur Turqia të ketë një vend në botën demokratike, këto që kemi kaluar do të na kujtojnë për nevojën e ripajtimit në këtë vend,” tha zoti Önderoğlu. “E konsideroj detyrën time si qenie njerëzore që të luftoj për të bërë të mundur një botë më të mirë. Jam e bindur se njerëzimi do ta arrijë,” thotë zonja Fincanci. Dy muaj pasi aktivistët u shpallën të pafajshëm, prokurorët fituan apelin e çështjes. Tani zoti Önderoğlu dhe zonja Fincanci do të dalin përsëri në gjyq të akuzuar për propagandë terroriste në një proces që fillon në shkurt 2021.
/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: