TIRANË

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, deklaroi sot  para mediave se me 18 dhjetor, tre kandidatët për kryetarë të SPAK do të zhvillojnë seancën dëgjimore, seancë kjo e cila do të zhvillohet me të njëjtin format ashtu siç u veprua me kandidatët për postin e kryeprokurorit. Kandidatët që kanë shprehur interes për këtë post mjaft të rëndësishëm janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili. Ai pohoi se vlerësimi i kreut të SPAK dhe përzgjedhja e tij do kalojë filtrin me 7 kritere, sa profesionale aq dhe morale.

“Dosjet e tyre janë në këshill. Seancat dëgjimore do të zhvillohen me 18 dhjetor dhe do të jenë publike, besoj do të jetë njësoj si me prokurorët e përgjithshëm. Do t’i vlerësojmë këto kandidatë mbi 7 kritere. Ne kemi marrë një vendim në bllok për këta prokurore kanë shërbyer tek Krimet e Rënda. Me datën 19 do të fillojnë punë  tetë prokurorët që kemi zgjedhur. Kur bëhet fjalë për ristrukturim nuk shohim kërkesat e prokurorëve, por nevojat e sistemit. Nevojat më të mëdha janë më shumë në Tiranë, por edhe në Durrës ka probleme. Problemet në Tiranë janë më të mëdha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë ligjërisht si prokurori karriere. Jo të gjithë kanë shkuar në SPAK. Në datë 20 nuk do ketë as Gjykatë dhe as Prokurori të Krimeve të Rënda.Vendimet tona hyjnë në fuqi me datën 19″-tha  Ibrahimi.

Gazetarët gjithashtu pyetën kreun KLP-së se cili është roli i ketij institucioni në hetimet mbi banesat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës, Gent Ibrahimi dha këtë përgjigje: “Do ju duhet të mësonin  me ndarjet e reja dhe të përgjegjësive të prokurorisë. Ky këshill është shumë distant me rastin konkret. Ato janë kompetencat e kryeprokurorit”-theksoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb