Ka me gjegjë se a tue ndërrue moti

se a tue çue nji tjetër erë.

Ndre Mjeda, Anrra e jetës

Në krye të këtij shkrimi, dua të shpreh dhimbjen time për të gjithë ata që kanë humbur jetën në luftë me pandeminë, ngushëllim për familjet dhe të gjithë të dashurit e tyre dhe mbështetje për të gjithë ata, që luftojnë me të. Le të bëhemi bashkë për më pak vuajtje dhe më pak humbje!

1. Një përpjekje jo e shkurtër: besimi dhe mosbesimi
Sot, e gjithē bota po lufton njē tē keqe, e cila kērkon tē na zerë të gjithëve, tē na rrezikojē shëndetin dhe sigurinē, fëmijët dhe prindërit, mundësinë për të lëvizur lirisht dhe të flemë të qetë, të shkojmē në punë dhe të dërgojmë fëmijët në shkollë, të marrim pjesë në aktivitete sportive, kulturore e argētuese, politike dhe jopolitike, fetare dhe jofetare.

Përpjekjen e bëjmë qē të parandalojmē ose të ngadalësojmë përhapjen e sëmundjes, duke kufizuar trasmetimin nëpërmjet kontakteve me pikësynim të mënjanojmë prekjen në masë të popullsisë dhe të mos dalë jashtë funksionit sisetemi mjekësor.

Ështē e vērtetē, lufta kundër epidemisë na përballë me një kontradiktë: për të mbrojtur komunitetin, duhet të largohemi prej tij, për të ruajtur kolektivin, duhet ta ndajmë atë në individë se, siç thotē Presidenti Macron, nuk luftojmë as kundër një ushtrie, as kundër ndonjë shteti tjetër, por armiku është atje, i padukshëm dhe që përparon. Dhe kētu kemi të bëjmë me një çështje tjetēr jo tē vogël: besimin publik. Ai duhet të fitohet, por jo vetëm kur politika e kërkon dhe të injorohet kur ajo nuk ka nevojë pēr tē.

2. Besim dhe arsye
Kjo përpjekje, për herë të parë në nivel botëror, mund të ndikojë rrjedhën edhe të shoqërisë sonē, e cila mund të forcohet dhe të lidhet më shumë, në qoftë se dy kushte themelore do tē bēhen bashkē: besimi dhe arsyeja.
Në një kohë të vështirë, që mund të ketë gjëra të përbashkëta me të sotmen tonë, një njeri i madh, Presidenti F. D. Roosevelt, më 4 mars 1933, i bëri thirrje gjenialitetit të unitetit kombëtar. Në këtë rast, natyrshëm të shkon mendja tek institucionet shtetërore, që përfaqësojnë këtë unitet, si: Këshilli për Sigurinë Kombëtare i Republikës të Shqipërisë, forumi kryesor, që shqyrton çështje të sigurisë kombëtare, siç janë edhe pandemitë, që vlerëson dhe çmon rreziqet me të cilat përballet Shqipëria, ofron mundësitë e nevojshme për koordinimin dhe integrimin e politikave për përballimin me sukses të kësaj situate të jashtëzakonshme. Ai mënjanon iniciativat kontradiktore dhe u mundëson Institucioneve, Agjencive apo Departamenteve shtetërore dhe joshtetërore, të rritin bashkëpunimin e efektshëm me pikësynim daljen me sa më pakë humbje nga kjo luftë me një armik të rrezikshëm dhe të padukshëm. Dhe ky institucion ende nuk po dëgjohet.

Mund të duket pak si e çuditshme, po, sot, në Shtetet e Bashkuara dhe Europë ka mjaft studjes dhe ekspertë të politikave të sigurisë, të cilët po kërkojnë që NATO të evokojë Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit për të trajtuar situatën. Sidoqoftë, kjo thirrje mbart një mesazh të madhe: forcimin e unitetit, i cili, së pari, forcohet në vendet anëtare, siç jemi edhe ne.

3. Fjala dhe e vendi i profesionistëve kundër egoizmit afatshkurtër
Qeveria dhe veprimtaritë tona politike kanë vite që kanë dështuar në reformën shëndetësore dhe reformimin e sistemit shëndetësor. Arsyet janë të shumta, por një nga më kryesoret është anashkalimi i atij brezi, i cili u foruma me entuziazëm dhe përpjekje të jashtëzakonshme për t’u ngritur në nivelet e kohës.

Dritëshkurtësia e “reformatorëve” ka dobësuar apo ka lenë jashtë vëmendjes atë profesion, që sot e lutim me ngulm të na përkushtohen mendërisht dhe fizikisht në luftë kundër pandemisë: mjekun dhe shërbimin e vet. Kjo krizë e ka bërë më të dukshme injorancën, inkompetencën dhe tellallisjen, por, fatmirësisht, në institucionet tona kanë mbetur ende profesionistë kompetentë, të cilët shërbejnë me përkushtim.

Të shpresojmë se gjatë kësaj krize do të rikujtohemi se sistemi shëndetësor dhe, në përgjithësi, shëndeti nuk ka çmim. Të shpresojmë se do t’i japim vendin e duhur dhe do të dëgjojmë personelin mjekësor, që prej vitesh jep sinjale alarmi dhe t’i japim fund propagandës, që sot turpëron të gjithë ata që e kanë bërë dhe le të themi me plot gojën se mjekët dhe personeli ynë shëndetësor janë heroikë.

Ndoshta, ky mund të jetë momenti, që do të ndryshojë rrjedhën e qëndrimeve politike, që mbështetin projekte joefektivë apo korruptivë të qeveritarëve të rradhës dhe do të shërbejë si një alarm që të detyrojë qeverinë apo qeveritë të angazhohen seriozisht në reformën shëndetësore, të sigurojnë pajisje mjekësore të mira dhe të mjaftueshme, të ngrenë një sistem ndërgjegjësimi të hershëm aktiv ndaj sëmundjeve dhe fatkeqësive dhe mbase pika 4 e planit financiar të qeverisë për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme, që parashikon 20 milionë dollarë për operacionin humanitar, mund të jetë një shenjë edhe në këtë drejtim. Ndoshta, këtu është vendi për të kujtuar se qeveria italiane, këto ditë, siguroi nga Kina 1,000 ventilatorë, 2 milionë maska, 100,000 respiratorë, 20,000 konstume mbrojtëse dhe 50,000 kite për teste.

4. Ekonomia dhe lidhjet shoqērore
Kriza, nē radhē tē parē, ka prekur kērkesēn dhe ofertēn, thelbin e ekonomisē sonē. Oferta ēshtē nē rēnie sepse njerēzit janē tē izoluar nē shtēpitē e tyre dhe shumē nga prodhimet dhe shērbimet e mē parshme nuk ofrohen mē. Masat, si: distancimi, ndarja, izolimi bien ndesh me rritjen ekonomike, punësimin dhe qëndrueshmërinë financiare. Ekonomitë dhe qeveritë e sotme bazohen në ndërlidhje dhe integrim. Rezultati nuk godet vetëm globalizimin dhe rajonalizimin, por do të kemi rënie të ekonomisë në nivel kombëtar dhe lokal. Ringritja do të fillojë kur zyrtarët e shëndetit do të sigurojnë njerëzit se koronaviruesi është bllokuar dhe imuniteti ndaj kësaj sëmundje është rritur.

Reagimi konstruktiv i politikanëve, kompanive dhe vetë individëve mund të kufizojë rënien ekonomike, të shkurtojë kohëzgjatjen e krizës dhe mund të kontribojë për një ringritje të shpejtë, të fortë dhe të qëndrueshme. Faza e parë e reagimit duhet të përfshijë ndërhyrjet për të mbrojtur segmentet më të dobët të shoqërisë, ata që nuk kanë mundësi të punojnë për shkak të izolimit, ata që mund të humbasin vendin e punēs, që nuk kanē mjete tē tjera jetese; për të ruajtur sektorët kritikë të ekonomisë, si dhe të sigurojë mirëfunksionimin e tregut financiar. Këtë, besoj, pretendon të arrijë edhe plani me 7 pika i Kryeministrit tonë.

Kēshtu, objektivi kryesor (dhe mbase i vetmi) i politikēs ekonomike duhet tē jetē tē parandalojē situatat e rēnda shoqērore dhe tē ruajē lidhjet shoqērore, qē janē nēn njē trysni tē jashtēzakonshme. Nē qoftē se njerēzit nuk do tē jenē mē nē gjendje tē mbijetojnë dhe të paguajnē faturat e tyre, situata mund tē përshkallëzohet në pēshtjellime. Njeriu i pashpresē, i papunē dhe pa mjete mundet tē kthehet me lehtēsi kundēr atyre qē janē mē mirē.

5. Përvoja ndërkombëtare
Koronavirusi u përhap me shpejtësi në vende mjaft larg origjinës së vet. Natyrshëm, vendet e prekura, si dhe ato që ende po i rezistojnë virusit, duhet të marrin në konsideratë me kujdes se ç’farë mund të jetë e përshtatshme për vendin e tyre nga përvoja e Kinës, Tajvanit, Singaporit, Italisë, Francës, etj.

Kina kufizoi lëvizjen e 760 milionë njerëzve, një popullsi sa dy herë popullsia e Shteteve të Bashkuara dhe e Kanadasë të marra së bashku. Kina imponoi një sistem të ashpër karantine në masë, ku rastet e dyshuara, por, zakonisht, të patestuara i shtroi në shkolla, palestra, si dhe mjedise të tjera, ku iu nënshtruan kontrolleve rutinë të termperaturës dhe përdorën dushe dhe tualete të përbashkët me qindra individë të tjerë, mbase edhe të infektuar. Një zyrtar i OBSH-së tha për këtë sjellje rigoroze të Kinës se ata e dinë se çfarë bëjnë dhe janë me të vërtetë të zotë për këtë gjë.

Ç’farë mësimesh mund të nxjerrim nga Kina? Shpejtësinë dhe informimin mbi rrezikun të bazuar shkencërisht. Por, masat më efektive të Kinës kundër këtij viruasi qënë ato që nuk morën fort parasysh të drejtat e individit, si: ndërprerjen e transportit dhe qarkullimin publik, ndërprerjen në të gjithë vendin të aktiviteteve të përditshme jetësore: kulturore, sportive, argëtuese, takimeve publike, etj.

Pa dyshim, vendet me sistem të kujdesit shëndetësor më të mirë se të Kinës, mund të kenë rezultate më të mira. Singapori, p.sh., e menaxhoi mjaft mirë përhapjen e virusit dhe nga 100 rastet nuk pati asnjë humbje jete, po kështu edhe Tajvani. Suksesi i Tajvanit qëndron në aktivizimin masiv të qytetarëve për të informuar publikun e gjerë me konceptet bazë kundër koronavirusit nëpërmjet teknologjisë kompjuterike apo online. Ndërsa, Franca ka mobilizuar rreth 100 000 efektivë të policisë në të gjithë territorin e vendit për të realizuar kontrollet e nevojshme.

6. Një kohë që i përket të ardhmes
Nuk është koha të ndezim polemika për llogari të vogla me pasoja të mëdha, por thirrjet e opozitës për të të rritur kujdesin dhe jo panikun, për masa shëndetësore sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe ekspertëve shëndetësor, kërkesat për pajisje dhe mjetet e nevojshme, për mbështetje financiare të popullsisë dhe bizneseve janë krejt të natyrshme dhe të mirëpritura, siç nuk janë përçmimet e Kryeministrit.

Kjo krizë shëndetësore, e cila po ktheht shpejtë një një krizë tregu dhe financiare, mund të trajtohet me efektivitet vetëm nëpërmjet unitetit kombëtar, masave të kordinuara për mirëfunksionimin e shërbimit shëndetësor dhe mbështetjes financiare. Kësisoj, do të ishte papërgjegjësi dhe mungesë vizioni të mos ketë bashkëpunim midis dy forcave të mëdha politike të vendit, bisedime mbi vështirësitë, shqetësimet dhe shtrëngesat, që po kalojmë, mbi planin me 8 apo 7 pika, apo mbi planveprimin, që duhet të kemi gati në qoftë se ndikimi i koronavirusit do të zgjatë.

Një krizë kërkon bashkëpunim, vendimmarrjet transparete, drejtues politikë kompetentë dhe planifikim efektiv. Kriza ose i forcon marrëdhëniet institucionale ose i dobëson, por nuk i lë të pandryshuara. Kjo situatë kërkon unitet dhe rreziku politik në këto raste janë ata, që mendojnë vetëm për vete.

7. Ditën tjetër
Sot mund të themi se parashikimet, që bëhen për të nesërmen e pandemisë janë të gabuara. Por, kjo është një kohë që llafazanë të zakonshëm apo profesionistë inkompetentë kërkojnë të mbushin ekranet televizive në emër të analistëve, profesionistëve apo njerëzve të ditur, të cilët marrin edhe rolin e profetit.

Në shumë të përditshme rëndom lexon se koronavirusi shënon fundin e rendit të sotmë, të globalizmit, të integrimit europian apo se koronavirusi mund të kthehet në një rrezik për mënyrën tonë të jetesës, jeta nuk do të jetë e njëjtë përsëri, pandemia mund të na çojë në fitoren e medias sociale dhe në fundin e jetës shoqërore, etj.
Këtu dua të sjellë në vëmendje se është krejt e vërtetë që disa ngjarje, përfshirë edhe pandemitë, mbeten si kujtime të largëta. Gripi spanjoll i vitit 1918-1920 është përshkruar nga historianët si pandemia e haruar apo edhe shumë pandemi të tjera, që mund të jenë shoqëruar me ngjarje të mëdha në fusha të ndryshme. Për shembull, në kohën e murtajës së madhe të vitit 1665, Isak Njutoni (Isaac Newton), gjatë izolimit shoqëror, zhvilloi teorinë e ngjyrave, shpiku llogaritje të ndryshme dhe ngjizi teorinë e gravitetit universal. Po kështu, një nga studimet e mëdha amerikane të fillimit të viteve 1990 pretendoi se AIDS-i do të reformonte shumë aspekte të shoqërisë, normat dhe vlerat e veta, marrëdhëniet dhe përfaqësimin kulturor ….

E ardhmja do të ishte ndryshme nga e kaluara dhe tanishmja. Shumë menduan se vet seksi vdiq. Por, jo, nuk vdiq. AIDS-i ndryshoi sjelljen ndaj shëndetit publik për shumë njerëz, përmirësoi bashkëpunimin midis ekspertëve të klinikave dhe shkencëtarëve dhe, në planin shoqëror, solli një ndryshim të madh: shkatërroi murin e paragjykimeve dhe injorancës, që kishte ndarë gay-ët nga pjesa tjetër e shoqërisë. AIDS-i qe katalizator i frikshëm i një njohurie të re, e cila nuk ishte e parashikueshme.
Kësisoj, pas kësaj panedmie, ringritja shoqërore dhe e ekonomisë do të jenë ende më të vrullshme. Të rinjtë nuk do të udhëtojnë më pak; ata do të udhëtojnë më shumë; do të organizojnë më shumë mbërëmje dhe më të mëdha; ata nuk do të mbyllen në komunitet, por do të jenë kozmopolitanë përsëri. Sepse, nëse kjo pandemi, si edhe ndryshimet klimaterike u kanë mësuar ndonjë gjë është se ata dhe shokët e tyre jetojnë në një botë të ndërvarur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb