KM Rama në këtë vapë të parakohshme të qershorit e gjeti përsëri një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të një pjese të medias europiane: duke hyrë në një polemikë me Nigel Farage, liderin e Partisë së Reformës (Reform Party) në Britaninë e Madhe e dikur kryeaktivistin e lëvizjes për daljen e vendit të tij nga BE që siç e dimë përfundoi me Brexit-in. Partia e Reformës aktualisht rezulton e para jo vetëm në sondazhet e opinionit (e ndjekur nga Laburistët e Konservatorët) por edhe në zgjedhjet e këshillave bashkiake së fundmi; prandaj disa media po e konsiderojnë se z. Farage mund të jetë kryeministri i ardhshëm (me këtë do të thyente duopolin shekullor konservatoro-laburist). Për këtë arsye si dhe për tematikën e polemikës kjo e fundit meriton pak vëmendje e një lupë të shpejtë.
-Edi Rama në të përditshmen “The Guardian” të enjten, 26 qershor: Britania e Madhe që po tenton të hapë qendra për kthimin e emigrantëve jashtë territorit të vet po bën diçka totalisht të paparanueshme, qesharake e të turpshme; e paimagjinueshme para 10 vjetësh, para Brexit-it. Britania është kështu në errësirë (morale).
-Nigel Farage, po atë ditë në GB News: Ky që flet keq për vendin tonë (dmth. Rama) është një copë hipokriti. Sepse ky ka hapur në vendin e vet kampe për kthimin e emigrantëve bashkë me Italinë e në funksion të saj. A e din z. Rama se në Britani një ndër 50 shqiptarë është në burg? Trego vullnet të mirë dhe riatdhesoji ata duke i dhënë fund hipokrizisë.
-Edi Rama në @X (ish Twitter) të shtunën, 28 qershor: 1 shqiptar në 50 në burg është numër i pavërtetë edhe sikur të numërojmë ata të dënuar për shkak të sistemit britanik të vizave krejt i vjetëruar dhe restriktiv. Numri real është shumë i ulët e i krahasueshëm me popullsinë britanike. Por ejani si i ftuar personal i imi (ju Farage), shijoni mikpritjen shqiptare si dhe të shqyrtojmë çështjen. Po doli i vërtetë numri juaj 1/50 unë i marr mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë.
Të djelën, 29 qershor, vazhdojnë postimet nga të dy me Ramën që citon sërish edhe në këtë rast “gjyshen katolike” të tij (gabimi është njerëzor por përsëritja e tij është djallëzore), dhe referon mundësinë që numri i shqiptarëve në Britani të jetë më madh se sa ai zyrtar madje mund të jetë 140 mijë çka që e zvogëlon 1/50 drejt më pak se 1/100 si dhe faktin se shumica stërmadhe e komunitetit shqiptar kontribuon me punë korrekte në një gamë zanatesh, etj., etj.
Tashti le t’i marrim çështjet me radhë:
1- Qendrat e kthimit të emigrantëve (return hubs)
Rama ka pranuar që Italia të hapë në Shqipëri, përkatësisht në Shëngjin e në Gjadër, dy kampe-burgje për emigrantët e paligjshëm që Italia kap në Mesdhe dhe se fundmi për ata që kthehen me detyrim në vendet e origjinës. Kjo zgjidhje që për të majtën ideologjike europiane është e papëlqyeshme por ajo preferohet nga forcat centriste e të djathta në Bruksel e më gjerë të cilat nuk mund t’a injorojnë më gjatë problemin akut të emigrantëve. Tek ne shqetësimi ka qenë se Rama procedoi, si shpeshherë, në shkelje të Kushtetututës e ligjit siç e dëfton edhe vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese (e cila megjithatë, me shumicë të ngushtë, i dha dritë jeshile projektit). Shqetësim ishte edhe dëmtimi i reputacionit të Shqipërisë si shtet i kollajshëm utilitar dhe problemet e sigurisë. Shëngjini e vuajti nismën duke shënuar rënie të vlerës imobiliare për banesa e hotele sidomos afër portit (kampit). Pyetjes së natyrshme se çfarë përfitimi konkret ka Shqipëria zërat në qeveri tregojnë marrëveshjen e pensioneve dhe atë të kabllit elektrik transadriatik. Të dyja këto janë të dobishme për Shqipërinë por nuk lidhen dot me një kundrafavor të Melonit kundrejt favorit të Ramës me kampet Shëngjin/Gjadër. Marrëveshja e pensioneve me Italinë, ashtu si dhe me shtete të tjera, është negociuar përgjatë më shumë se një dekade nga qeveri suksesive. Kablli nënujor është interes i madh i tregut energjetik italian/europian të etur për importe.
Përfitimi kryesor, duket se është personal i Ramës, për të gjetur avokatë të pushtetit personal të tij të gatshëm për të justifikuar regjimin autoritaro-kleptokratik që ai po konsolidon. Në prill 2024, mbasi tv publik italian RAI kishte ekspozuar lidhjet e Ramës me kartelet meksikane, Meloni, me një lingua di regime, e mbrojti Ramën duke e quajtur emisionin një denigrim kombëtar të Shqipërisë. Në fakt, shqiptarët, të cilët i njihin faktet e RAI-t nga rrjetet sociale e denoncimet e opozitës, mund të mbahen përgjegjës për moreagim efektiv, por jo për çdo zullum të qeveritarëve individualë. Gjithësesi, me një sens transaksional, Meloni pranoi të “bëhet pak pis” duke mbrojtur ashtu Ramën por në fund të fundit ajo mori prej tij kampet Shëngjin/Gjadër.
Por të kthehemi tek Farage: ai e quan Ramën hipokrit sepse ky i fundit përgojon me fjalë të rënda qeverinë britanike për gjënë të cilën e ka bërë vetë dhe sot e kësaj dite është i pari dhe vetmi në Europë. Ose e thënë me ungjillorin Mate: sheh ashklën në syrin e vëllait por jo traun në syrin e vet. Për këtë Rama ka heshtur në tweet-et e shpeshta me Farage.
2- Të burgosurit shqiptarë në burgjet angleze
Para se të hyjmë në zhavorrin statistikor le të pëmëndim dy fakte: Rama thotë një të vërtetë kur thekson shumica stërmadhe e komunitetit shqiptar në Britani e gjetiu kontribuon me punë korrekte dhe në plot raste ka spikatur e është nderuar. Për këtë grup Rama ka një interesim verbal, organizon evenimente me emër pompoz si “samiti i diasporës”, pa ndonjë dobi publike të dukshme apo të matshme dhe përherë me shpenzimet e takspaguesit.
Për grupin tjetër, të atyre që bien në burg apo që janë kandidatë për aty, dhe që në të folmen e ministrave rilindistë shfaqen si “çunat e Londrës”, Rama ka interesim të veçantë. Për ta ai hartoi para 4 vjetësh një projektligj të veçantë të njohur si amnistia fiskalo-penale sipas të cilit po të paraqiteshe në kufirin shqiptar me një thes me miliona euro (apo sterlina) mund t’i depozitoje pa problem në bankë, fitoje imunitet nga ndjekja penale dhe paguaje një tarifë 5 deri 10% më pak sesa tatim-fitimi i një biznesi të rregullt. Mbas denoncimit të opozitës ishte një bllokadë euroatlantike që e zmbrapsi dhe e arkivoi p/ligjin. moral. Në mungesë të kësaj amnisitie qeveria ka mundësuar derdhjen e këtyre parave në ndërtimet e pafund.
Ka ndodhur shpesh që emigracioni në vend të huaj të krijojë edhe grupe kriminale. Mjafton të kujtojmë mafien irlandeze dhe italiane në ShBA-në shek 19 e 20. Edhe kriminaliteti shqiptar në Europë meriton të diskutohet i penguar nga pseudopatriotizmi utilitar dhe me sensin e të vërtetës që të bën të lirë. Ky kriminalitet i lidhur me drogën u rrit eksponecialisht mbas annus cannabis 2016 kur qeveria Rama-Tahiri organizoi kanabizimin total në radhë të parë për të fituar zgjedhjet parlamentare një vit më vonë. Afro 20 mijë vetë llogaritet të kenë punuar në industrinë e kanabisit mbasi kundrejt inkurajimeve publike e private, direkte e indirekte nga Rama e Tahiri u rëzua masivisht frika nga ligji dhe skrupulli Qysh atëhere bandat shqiptare janë bërë lider global edhe në drogat e rënda. Si pasojë shpesh pronarët e restoranteve na thonë me trishtim se kamarierët u ikin për të punuar në një “shtëpi bari” diku në Angli apo gjetiu. Dhe Shqipëria nganjëherë fshikullohet me të padrejtë vetëm nga bezdia e drug dealers shqiptarë në rrugët e Europës.
Në këto rrethana nuk do të qe çudi numri i lartë i tyre në burgjet britanike. Farage pretendon se në 50 shqiptarë banues në Britaninë e Madhe njëri është në burg (2%). Gazeta Telegraph e konfirmon këtë dhe e detajon statistikën zyrtare (1,227 në burg nga 52 000 gjithsej = 2%). Rama del me shifrën 140 mijë shqiptare (pa sqaruar se ku e ka gjetur) dhe thotë se kështu i bie më pak se 1% në burg. Me pak pedantizëm mund të llogarisësh se me numrat e Ramës 0,87% e shqiptarëve janë në burg. Ky numër është 6,2 herë më i lartë se përqindja e përgjithshme të burgosur popullsi (0,14%) dhe jo i përafërt siç pretendoi kryeministri ynë.
Rama flet për një sistem britanik vizash të vjetëruar e rixhid. Edhe shqiptarëve që gëzojnë udhëtimin e lirë në Zonën Schengen që nga viti 2010 kështu u duket. Por Rama i cili në intervistë me The Guardian flet për raporte personale miqësore me tre kryeministrat e fundit britanikë (Starmer, Sunak e Johnson) lipset të thoshte pse nuk i përdori këto raporte për të arritur liberalizimin e vizave. Siç bëri para tij qeveria Berisha për Europën kontinentale (Zonën Schemgen). Sa për pretendimin se në burg ka shqiptarë sepse kanë hyrë pa viza kjo duket përallë me mbret: emigrantët e paligjshëm përfshi shqiptarët, sapo hyjnë në Angli kërkojnë azil dhe fillojnë procedurat duke përfituar edhe ndihma sociale. Një abuzim që lyp trajtim më vete.
3- Nga burgjet e Anglisë tek ato të Shqipërisë
Nga sa më sipër del se sfidën për hipokrizinë dhe bastin për statistikat e burgjeve i fiton Farage. Por politikani anglez, nëse do e merrte vesh këtë me gjasë nuk do i bëhej vonë. Madje ai mund të vijë në Shqipëri si i ftuar kryeministror, të bëjë pushime në kurriz të taksapaguesit, të kënaqet me natyrën, kulturën e njerëzit dhe prapë të këmbëngulë në fiksimin e tij: të huajt e paligjishëm në përgjithësi dhe shqiptarët në burgje në veçanti duhet të ikin nga kanë ardhur. Tweet-eve sa një çarçaf të Ramës ai i përgjigjej me fjali lakonike: a mund ju lutem ti merrni ata në vendin tuaj?
Edhe për këtë kërkesë specifike Rama nuk thotë gjë. Deri tashti!
(BalkanWeb)