NIGERI- Një vajzë 14-vjeçare nga Nigeria, Wasila Tasi’u ka pranuar vrasjen e burrit të saj 35-vjeçar, me ilaç miu pak ditë pas dasmës, ndërsa rrezikon të dënohet me vdekje.

Minorenia nigeriane në deklaratën e saj e ka “nënshkruar” me gjurmët e gishtave, duke aluduar se është analfabete. Prokurorët thanë se vajza e kishte helmuar burrin e saj Umar Sani, një fermer 35-vjeçar, disa ditë pas dasmës.

Nëse shpallet fajtore, Wasilla, e cila ka origjinën nga një familje e varfër dhe tejet konservative myslimane, pritet të dënohet me vdekje, duke u bërë fëmija i parë që ekzekutohet në këtë vend afrikan.

Aktivistët për të Drejtat e Njeriut kanë shprehur zemërimin e tyre mbi këtë mundësi, duke pretenduar se vajza ka qenë viktimë e dhunës seksuale, që mund ta ketë çuar në një akt të tillë.

Ky rast ka shkaktuar reagime të ndryshme në Kanu, rajonin e origjinës së saj, në të cilën është në fuqi ligji i Sheriatit. Atje është normale për një vajzë 13-14 vjeçare të martohet.

Gruaja tjetër e fermerit, Ramat i tha policisë se atë ditë Wasilla kishte përgatitur ushqim për burrin e saj, pasi ishte radha e saj për të ndarë shtratin me të, por nuk e kishte parë nëse ajo kishte vënë diçka në ushqim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb