Të paktën 50 terroristë janë vrarë gjatë një operacioni kundër organizatës terroriste Boko Haram në Nigeri.

Zëdhënësi i ushtrisë nigeriane, Muhammed Yerima tha se 50 pjesëtarë të organizatës terroriste Boko Haram u vranë në operacionet ajrore dhe tokësore në rajonin Damboa, në shtetin federal Borno.

Yerima theksoi se një numër i madh terroristësh u plagosën gjatë operacioneve dhe se ata arritën të shpëtonin në atë gjendje. Ai theksoi se një sasi e madhe e armëve dhe municioneve që u përkisnin terroristëve të Boko Haramit u sekuestruan.

Boko Haram nisi një kryengritje të përgjakshme në vitin 2009 në verilindje të Nigerisë por më vonë përhapi mizoritë e saj në Niger, Çad dhe Kamerunin fqinj.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, më shumë se 30 mijë persona janë vrarë dhe gati 3 milionë janë zhvendosur gjatë një dekade të aktiviteteve terroriste të Boko Haramit në Nigeri.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë thotë se dhuna e Boko Haramit ka prekur 26 milionë njerëz në rajonin e Liqenit Çad dhe ka zhvendosur 2.6 milionë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb