Niko Peleshi tashmë është zyrtarisht ministër i Mbrojtjes, pas ceremonisë solemne të mbajtur, ku Olta Xhaçka i dorëzoi detyrën e re ish-zv. kryeministrit.

Peleshi, në fjalën e tij përpara ushtarakëve të lartë, deklaroi se do të kryer detyrën e tij me atdhedashuri, kurse shtoi se ai dhe ekipi i tij do të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë sa më pranë BE-së dhe NATO-s.

“E nderuar ministre , e dashur Olta. Të nderuar gjeneralë dhe deputetë, ateshe, të ftuar e pjesëmarrës. Detyra e ministrit të Mbrojtjes është që t’i kontribuosh paqes, të promovosh lirinë, të përmbushësh detyrimet që kemi si vend aleat i NATO-s. Do ta kryej këtë detyrë me atdhedashuri. Përshëndes djemtë dhe gratë  e Forcave të Armatosura. Ju keni treguar se keni aftësi, të denjë për një anëtar të NATO-s.  Sot përulem para ushtarakëve që ranë në misionet tona paqeeruajtëse, ne jemi përkrah aleatëve, sidomos SHBA-ve”, tha Peleshi.

Niko Peleshi vlerësoi punën e kryer nga zonja Xhaçka në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, duke shtuar se do të bëjë gjithçka të afrojë Shqipërinë sa më pranë NATO-s dhe aleatëve të saj strategjikë.

Shqipëria do të vazhdojë të jetë eksportues i sigurisë në  botë. Ministrja dhe bashkëpunëtorët e saj hapën Akademinë e Forcave të Armatosura, institucion unik i Arsimit të Lartë. Jam në dijeni se ka nisur realiteti me NATO-n për Pashalimanin. Kjo çështje do ndiqet me kujdes. Ne do punojmë për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, u shpreh Peleshi.

Fjala e plotë e ministrit të ri të Mbrojtjes Niko Peleshi:

E nderuar ministre, e dashur Olta,

I nderuar shefi i shtabit të përgjithshëm të FA,

Të nderuar gjeneralë,

Të dashur anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare,

Te nderuar atashe, te ftuar e pjesemarrës,

Detyra e Ministrit të Mbrojtjes është një përgjegjësi e vecante ndaj atdheut tonë të dashur dhe popullit tonë.

Të përmbushvsh me nder këtë përgjegjësi do të thotë t’i kontribuosh paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit .

Do të thotë të mbrosh dhe promovosh lirinë, vlerat qytetare demokratike dhe rendin tonë kushtetues si edhe të përmbushësh gjithnjë e më tepër, gjithnje e më mirë detyrimet dhe rolin tonë si vend aleat i NATOs.

Ndihem i obliguar të justifikoj  besimin që më dha Kryeministri e mazhoranca duke e kryer këtë detyrë me devocion dhe atdhedashuri.

Përshëndes me mirënjohje të gjithë djemtë e vajzat, burrat e gratë në uniformë, që janë aseti më i madh i Forcave të Armatosura.

Viti i fundit ka qënë shumë i vështirë, por gjatë këtij viti sprove, që nga tërmeti e deri tek

pandemia, ju keni ditur të tregoni që Forcat e Armatosura kanë sot një nivel profesionalizmi e modernizimi të amirueshëm, te denje per nje vend anetar i NATOs,  aleancës më të fuqishme politike e ushtarake në botë.

Dua t’ju bëj një përshëndetje të veçantë, të 200 efektivëve që sot shërbejnë në misionet e NATO dhe BE, nga Afganistani në Kosovë e Afrikë, duke kontribuar në garantimin e sigurisë kolektive.

Ata janë prova më e mirë e progresit që kanë bërë FA.

Ata jane edhe kartivizita më e mirë me të cilën Shqipëria prezanohet para aleatëve e partnerëve.

Sot përulem me rrespektin më të madh para ushtarakëve që dhanë jetën në krye të detyrës në misionet tona paqëruajtëse, si dhe i shpreh mirënjohjen më të veçantë familjarëve të tyre.

Në rrugetimin tonë jemi përkrah aleatëve edhe unë ashtu si Olta dua të veçoj SHBA për ndihmën e vyer e të pakursyer që i japin Forcave tona të Armatosura.

Dua t’i garantoj aelatët e partnerët tanë që Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo thjesht një faktor stabiliteti në rajon, por edhe një eksportues sigurie duke marre pjese ne operacione ushtarake e humanitare kudo ku NATO por edhe OKB dhe BE do të kenë nevojë për angazhimin tonë.

Edukimi dhe trajnimi i FA duhet të marrë një vëmendje të veçantë ndaj dua të vleresoj sot si nje arritje të shkëlqyer të ministres dhe bashkëpunëtoreve të saj në këtë ministri, hapjen e Akademisë së Forcave të Armatosura. Angazhohem t’i jap gjithë mbështetjen time rritjes dhe konsolidimit të këtij institucioni unik të Arsimit të Lartë.

Fillimi së afërmi i punimeve për Bazën e Kuçovës është një ngjarje me rendesi te vecante strategjike, por edhe një sfidë e jashtëzakonshme që do të kërkojë dedikim maksimal nga të gjithë ne.

Jam gjithashtu ne dijeni se ka filluar dialogu me NATO per Bazen e Pashalimanit. Ky projekt duhet ndjekur me këmbëngulje për ta kthyer në realitet.

Ngritja e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile do të na bëje më të aftë për të përmbushur

përgjegjësinë e shtuar të mbrojtjes civile duke u përgjigjur më mirë, në kohë e me profesionalizëm para emergjencave civile për të garantuar jetën, mirëqenien dhe pasurinë e shqiptarëve.

Ky dikaster ka një të veçantë sepse është tashmë i integruar plotësisht në strukturat euro atlantike. Është një institucion , performanca dhe puna e të cilit matet me standardet e NATO.

Është bërë një punë jo e vogël për të na afruar sa më shumë me këto standarde.

Por kemi ende punë për të bërë.

Le të bashkojmë forcat e të frymëzohemi nga e ardhmja europiane e shqiptareve, nga fëmijet tanë, për të çuar përpara misionin tonë për një Shqipëri të sigurt, demokratike e anëtare të denjë të BE.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb