NGA FATMIRA NIKOLLI*

Ndërkohë që shteti binte, digjej, shkrumbohej, ndërkohë që qytetet shkatërroheshin, fabrikat, uzinat, një palë iknin nga vendi e një palë e vidhnin vendin, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit vinte në skenë operën “Turandot”.
Është regjisori Nikolin Gurakuqi, që në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare” të marrë shkas prej 60-vjetorit, tregon pak edhe për më shumë se tri dekada jetë në Opera, institucioni dhe ai lindën në të njëjtën kohë, dhe një copë rruge të gjatë e kanë bërë së bashku. U kaluan shtrëngimet e regjimit, rrëmujat e rënies së tij, kaosin e sistemit të ri dhe një tranzicion të tejzgjatur, që s’është më as i tillë.
Regjisori, i lindur në një prej familjeve më në zë prej kohës së Pavarësisë, flet për Operan dhe regjitë, ato të vëna në skenë e ato që i ka ende në kokë.
– Një koncert për 60-vjetorin tuaj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Si nisi ky rrugëtim?
Unë jam një artist që punoj këtu prej 38 vitesh. Kam ardhur këtu në moshën 22-vjeçare. Kam punuar shumë vite si solist, më pas jam specializuar në Francë dhe kam vënë shfaqjen time të parë si regjisor, “Peshkatarin e perlave”, në vitin 1991. Kjo, si regjisor i pavarur, pasi më parë punova dy vite si asistent i Pirro Manit. Që nga ajo kohë s’kam reshtur së vëni vepra. Sot unë kam një arsenal prej 60 vëniesh në skenë, premiera absolute dhe rivënie. Repertori im është 60 vënie operistike dhe dhjetëra spektakle, shfaqje me studentë, shfaqje jashtë e brenda vendit. Për këtë aktivitet jam dekoruar edhe nga presidenti i Republikës.
– Çfarë do ketë koncerti?
Është koncert në formë spektakli. Janë pjesë të shkëputura, arie, duete, skena nga operat që unë kam vënë vitet e fundit: që nga “Berberi i Seviljes” e deri tek “Traviatta”, “Aida”, “Turandot”, “Ballo me maska”, “Madama Butterfly”, etj.
– Si ka qenë ky udhëtim 38-vjeçar në opera?
Pas diplomës, në shtator të vitit 1978, u emërova pranë sektorit të solistëve si stazhier, siç bëhej në atë kohë. Ata që premtonin si artistë, i merrnin dhe i provonin në opera, i mbanin pranë solistëve ku duhej të bënin një rol dhe një koncert recital. Unë e kreva detyrën dhe mbasi e mbarova, u emërova në kor. Aty ndërkohë bëja çdo vit nga një rol. Ato vite që isha korist bëja nga 2-3 role dhe më 1985 u emërova solist. Drejtor ka qenë Riza Hajro. Në fillim ishte Xhemil Simixhiu e më pas Riza Hajro. Stafi drejtues i teatrit më kishte në konsideratë edhe pse kishte pozicione të nëndheshme për të cilat s’dua të flas tani.
– Kishit probleme paçka mbiemrit tuaj?
Nuk është momenti të flas për këtë, sot nuk dua të ankohem. Me vështirësi u përballën të gjithë, edhe unë kisha të miat, por ishin të kalueshme. Unë i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar, të gjithë drejtuesit me të cilët edhe jam grindur, por kam bashkëpunuar sepse të tilla janë grindjet në punë. Opera kishte xhelozi doemos.
– Rolet tuaja të para cilat ishin, dhe me kë keni bashkëpunuar?
Roli im i parë ka qenë Gjergj Arianiti tek “Skena nga operat”, që e vuri në skenë Dhimitër Pecani. M’u besua një rol i vogël, por e tillë ishte pjesa. Në shfaqjen tjetër bëra Markezin nga “Traviatta” me Gaqo Çakon, me Ramiz Kovaçin, e Luiza Papën. Ishin artistët më në zë të kohës, isha më i riu mes tyre. Më pas erdhi mundësia të bëja Kolenin tek opera “La Boheme”, me regji të Gaqo Çakos, që më besoi 18 shfaqje rresht. Këtë rol e kam luajtur edhe me trupën e Ankarasë, bashkë me Inva Mulën që bëri Miminë. Çdo vit bëja role më të mira, derisa pata 16 të tilla, edhe Tonin tek “Paglaçi” sërish me Gaqo Çakon dhe Ramiz Kovaçin. Luajta edhe Ferranten tek “Trovattore”, ku kisha vetë regjinë dhe ishte pjesa e dytë si regjisor. “Peshkatarët e perlave”, pjesën time të parë si regjisor, e kam vënë në skenë me Inva Mulën, Kastriot Tushën, Artan Hiskun, etj. Ishte viti 1990. Tek “Trovattore” isha në gjendje pune dhe nuk e refuzoja dot rolin e Ferrantes, që e refuzuan shumë veta. Pastaj e ka bërë Frano Lufi, etj.
– Si ishte të punoje me Luiza Papën, Gaqo Çakon, Ramiz Kovaçin?
Ata janë një brez model për sa i përket disiplinës së punës, asaj administrative dhe artistike. Ata nuk i përbuznin të rinjtë, madje i mbanin afër. Dhe unë jam një nga ata që e mbanin afër. Ramizi më bënte gjithnjë vokaliza, edhe pse nuk isha nxënësi i tij, isha i Xhoni Athanasit. Ramizi më ka mbajtur afër, më ka bërë vërejtje. Jam produkt i shkollës së tyre. Sukseset e mia në ato vite varen prej tyre. Asnjë brez nuk ecën pa pedagogë të mirë.
– Si ishte të vije në skenë opera, në vitet 1990-1997? Nuk kanë qenë kohë për artin. Si ia bëtë ju?
Ajo anarki totale e Shqipërisë u pasqyrua edhe në opera. Por, në Opera, qëlloi që ishte një grup artistësh tërësisht i apasionuar. Që nuk pyesnin për përmbysje politike fare dhe më 1991, në kulmin e përmbysjeve të mëdha, vumë në skenë “Trovatoren”. Kur në skenë vihej e interpretohej opera “Trovatore”, jashtë digjeshin makinat e Sigurimit të Shtetit. Artistët e Operas ishin në skenë, të gjithë, nën drejtimin tim.
– A pati publik?
Po. Pati edhe publik. Erdhi atë kohë një gazetar amerikan, Tomas Klejn, i cili kishte ardhur për të parë situatën. Dhe vjen e sheh “Trovattoren” e me kërkon takim. Më thotë që për të është e pabesueshme që të vijë të shikojë një “Trovattore” si në Amerikë. Kur ai u kthye, botoi një shkrim në revistën “Opera news” ku flet për regjinë, operën, etj.
– Në fakt, si e përjetuat ju atë ndryshimin e vëmendjes ndaj operës dhe artit në tërësi? Kishte shumë vëmendje para 1990-ës e pas saj, me ardhjen e demokracisë u la mënjanë?
Më kujtohet që në atë kohë, një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës më tha: “Mos kërko asgjë. Opera nuk ka Greqia”. I thashë që nuk është e vërtetë e që nuk kishte informacion, pasi Greqia kishte opera të mira dhe madje ftonte aty emra të njohur botërorë. Atmosfera ishte në kundërshtim me atmosferën politike. Po ju tregoj diçka: im atë erdhi të shihte provat. Unë kërkova pushim, sepse njerëzit ishin të stresuar edhe nga gjendja. Kërkoja orare strikte. Babai më bëri vërejtje dhe unë i thashë: Baba, duhet të na thuash faleminderit, që në një kohë si kjo, një kalama si unë, bashkë me ‘kalamaj’ të tjerë, po vëmë Operan në rresht dhe në kulmin e përmbysjes së shtetit dhe në kulmin e përmbysjes politike, po bëjmë një super “Trovattore”. Si do të dalë ajo, ne të paktën po e bëjmë. Rezultoi që e bëmë mirë, dhe që prej asaj kohe, me atë regji ajo rivihet edhe sot. Është një nga pjesët më të gjata të repertorit: 24 vjet.
– Po viti 1997, si e gjeti Operën? Sa u ndikuat nga situata, rrëmuja?
Në atë kohë teatri ishte ‘kncock down’ se binin plumba përditë. Kisha një ftesë nga Ambasada Franceze për të parë operan “Carmen” në Bastijë. Kur u kthyem po mbyllej kufiri. U kthyem në kulmin e luftës në Shqipëri, sepse të nesërmen nuk pati më fluturime. Më pas ishin muajt e tmerrshëm ku mezi gjendej buka, por shkonim në punë për ditë. Një ditë bëmë një mbledhje.
– Kush ishte drejtor?
Ishte Agron Xoxe drejtor. Bëmë mbledhje dhe diskutuam çfarë pjese mund të vinim. Pas dy ditësh ramë dakord për “Il signor Bruscino” nga Rossini. Në fakt, po e bëja me studentët e Akademisë dhe u bë një bashkim mes solistëve të Operas dhe atyre të Akademisë. Mora prej andej dy studentë: Sokoloin Asllani dhe Dritan Lucën, që të dy punojnë një Vjenë, njëri me agjenci e tjetri në Operan e Vjenës. U lançuan dy të rinj në kulmin e luftës. Ishte opera me një akt, një produksion komik që duhej në atë kohë. U bë dhe doli mirë, u vu në skenë një javë para zgjedhjeve e pati dy shfaqje me sallën plot.
– Pra, ndiqej arti anipse kishte edhe ‘luftë’?
Ishte një revoltë që të thuhej se bëhej art në kohë lufte. Ndërkohë mes dy përmbysjeve, pati 3-4 vite turne në Itali mes viteve 1991-1997. Jepnim shfaqje në vende të hapura ku këndojnë emra të mëdhenj si Gianni Morandi Apo Placido Domingo. Në Amalfi ishte një natë para nesh ishte Mikele Pacido e më pas shkuam ne me ‘Toskën’ më 1995 kjo.
– Si vijoi karriera juaj pas 1997-ës, kur ju ishit tashmë regjisor me disa shfaqje? Cili ka qenë kulmi?
Nuk mund të flas për kulme. Dua që në çdo shfaqje të befasoj veten, jo të tjerët. Nuk pranoj të dal dy herë njësoj. Kam bërë shfaqje në disa qytete, edhe jashtë, në Shkup e Itali. Varet nga repertori. Kulmi për mua kanë qenë “Turandot” dhe “Aida”. Si nivel i vënies në skenë, kam konsumuar një mori stilesh: me dhe pa orkestër në skenë, me video-projeksion, me film, me kafka, me shumëçka.
– Sot, kur keni vënë në skenë kaq shumë, a ka një pjesë të pavënë që e keni në mendje?
“Makbeth”.
– Pse Shekspir dhe pse “Makbeth”?
Bota është e larë me gjak dhe ka shumë njerëz që i kanë duart të lyera me të. E që shohin ëndrra natën, duke uruar të mos zbulohen. E ka thënë Verdi, unë kam vetëm dëshirë ta vë. Kam provuar emocione të mëdha kur jam njohur me atë vepër. Verdi ka pushkatuar të gjithë kriminelët e botës me artin e vet, e në mënyrën e tij, por e keqja shumohet lehtë.
– Sa ka ndryshuar Nikolini ndër vite?
Jam njësoj siç isha 20 vjeç.
– Sa të ka dhënë mbiemri?
Asgjë, më ka dhënë vetëm kundërshtarë. Po më pas i ka zënë hija e tij poshtë. Unë nuk ankohem, ama do ta tregoj jetën time kur të vijë çasti i duhur. Kam ardhur në moshën 6-vjeçare në Opera, shihja babain. Jam përpjekur ta nderoj këtë mbiemër, jo të marr prej tij.
– Ishte zgjedhja juaj apo e babait?
Ishte e imja. Kam dëgjuar opera që i vogël dhe u lidha me të. Kur i thashë babait dua të bëhem regjisor më kundërshtoi, më tha: ‘Do të të sulen të gjithë, do merren me ty si regjisor’. Kam kënduar deri kur isha 50 vjeç.
– Cila ka qenë pjesa që të ka mbushur më shumë? Pjesa ku i ke thënë vetës: kaq doja?
Unë jam i pangopur. Sigurisht janë shfaqjet më të ndjekura.
– Cili është momenti që ju mbush: salla plot, duartrokitjet, çasti kur shihni provën gjenerale dhe thoni ‘kjo ishte, këtë doja’?
Shumë premiera kanë pasur dyndje spektatorësh. Një shfaqje që pati shumë publik e që ndjeva këtë që më thua ka qenë “Traviata” me Saimir Pirgun dhe Marjana Lekën, bërë para pak vitesh. Nuk e harroj sepse kishe dyndje në publik, por edhe duartrokitje që zgjatën për minuta të tërë. Ka qenë edhe “Madama Butterfly” me Marjana Lekën dhe herën e dytë më Ermonela Jahon. Nuk i arrin dot gjithmonë këto suksese. Pastaj ka momente kur artistë të ndryshëm kanë shkruar përshtypjet për bashkëpunimet si Eddi de Naddai për shembull.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: