TIRANË

Gazetari dhe pedagogu Ermal Hasimja, i ftuar në rubrikën  “Opinion” në News 24 deklaroi se do të plotësohen kërkesat e parashtruara prej studentëve.

Ai tha se  studentët duhet të shohin përtej protestave, pasi krahas tarifave ka edhe shumë probleme të tjera. Gjithashtu ai deklaroi se ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla rezulton të jetë një kokë turku në këtë histori, pasi siç  shprehet Hasimja, ajo nuk ka fuqi vendimmarrëse.

“Në rastet të tilla përputhen 700 gjëra të ndryshme. Shumica e studentëve janë sot aty për të shprehur zhgënjimin që ka pllakosur shoqërinë. Nuk është problemi vetëm tek tarifat. Mendoj se kërkesat do të plotësohen. Kjo lloj energjie që është krijuar do ishte mirë që të shërbejë si mesazh edhe për ata që janë në pushtet. Po të shikoni sot, ka më shumë tifozllik që e shohin protestën nga televizori dhe dritaret. Në fund të fundit të mos harrojmë se edhe në dhjetorin e ’90 gjërat nisin me gjëra më të vogla. Ministrja e arsimit është një kokë turku”, tha ai.

Sipas pedagogut, Ermal Hasimja në Shqipëria ka vdekur shpresa dhe të rinjtë këtë e kanë kuptuar me kohë. Ai theksoi se është një mbështetës i protestës, pasi kjo siç shprehet ai i jep shpresë ndryshimit të gjërave në Shqipëri.

“Vendimet aty ku ka më shumë  peshë financiare i merr Këshilli i Ministrave dhe kryeministrit. Meqë nuk kanë protestuar përpara nuk është gjë e mirë për të mos e bërë tani. Unë jam nga ata  që e mbështesë, jo nga pikat, por frymës së përgjithshme. Kjo është një çështje që shkon shumë më tej. Studentët shqiptar e kuptojnë realitetin shqiptar. Në këtë vend ka vdekur shpresa”, tha Hasimja.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb