Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Bundestagut gjerman, znj. Bärbel Bas, me rastin e zgjedhjes. Në letrën e saj Nikolla shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe Qeverisë Federale në rrugëtimin e Shqipërisë drejt perspektivës evropiane dhe anëtarësimit në BE.

Ajo thekson se vullnetin dhe angazhimin e saj për forcimin e lidhjeve mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut gjerman, duke pasur të qartë rolin e parlamenteve e parlamentarëve si përfaqësues të qytetarëve dhe aspiratave të tyre.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju përcjell përgëzimet më të sinqerta me rastin e zgjedhjes suaj Presidente e Bundestagut dhe Ju uroj shumë suksese në detyrën Tuaj të lartë dhe fisnike.
Gjej rastin të shpreh mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe Qeverisë Federale në rrugëtimin e Shqipërisë drejt perspektivës evropiane dhe anëtarësimit në BE.
Gjermania është lokomotiva politike dhe ekonomike e Evropës dhe kjo mbështetje është me rëndësi të madhe në kuadrin e Bashkimit Evropian.
Dëshiroj të shpreh vullnetin dhe angazhimin tim për forcimin e lidhjeve mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut gjerman, duke pasur të qartë rolin e parlamenteve e parlamentarëve si përfaqësues të qytetarëve dhe aspiratave të tyre.
Parlamentet mund të kontribuojnë jo vetëm në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe në arritjen e qëllimeve të përbashkëta globale, paqes, shëndetit dhe mirëqenies.
Së bashku do të jemi më të fortë për përballimin e sfidave të së tashmes dhe së ardhmes”, shkruan në letrën e urimit Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb