TIRANË- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka zhvilluar një takim me ministrin e Arsimit të Malit të Zi, Predrag Boskovic. Ministrja Nikolla e njohu ministrin e Malit të Zi me reformat që qeveria ka ndërmarrë në fushën e arsimit e sidomos mbi zhvillimet në arsimin e lartë. Ndër të tjera, ministrja shqiptare e informoi z. Boskovic për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, si dhe për procesin e akreditimit që Agjencia Britanike po zhvillon në të gjitha Institucionet e arsimit të lartë në vend.

Ndërsa ministri i Arsimit të Malit të Zi, Boskovic, i bëri me dije ministres Nikolla për zhvillimet e arsimit të lartë në vendin e tij, ku në fokus eshte lidhja mes studentëve dhe biznesit për praktikat profesionale. Ministrja Nikolla, duke u interesuar në lidhje me shkollimin e minoritetit shqiptar në Mal të Zi, kërkoi nga ministri Boskovic mbështetje për mundësimin e gjithë infrastrukturës së nevojshme për shkollimin e fëmijëve shqiptare në vendin fqinj.

Ministri Boskovic tha se “vitin e ri shkollor, nxënësit e minoritetit shqiptar atje do të zhvillojnë mësim me librin e ri të Abetares, si dhe i bëri me dije ministren Nikolla se ka iniciativa për nxitjen e studentëve që të studiojnë gjuhën shqipe në Fakultetin e Edukimit, duke shtuar kështu numrin e mësuesve të gjuhës shqipe për minoritetin”.

Takimi me ministrin e Arsimit të Malit të Zi, Predrag Boskovic, u realizua në kuadër të takimeve bilaterale per Platformën e Ballkanit Perëndimor për Arsim dhe Trajnim (WB PET), që këtë vit u mbajt në Vlorë.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: